Uji Dea

Çka përfshinin 4 amendamentet e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli

/ 5 minuta lexim
HW

Gjithsej 4 amendamente i dërgoi presidentja Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës më 5 mars për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit aktual e të cilat nuk u votuan në mungesë të kuorumit.

Amendamentet përfshinin ndryshimet që presidenti të mos zgjidhej më nga Kuvendi i Kosovës, por drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.

Gjithashtu në amendamente parashihej që mandati i Presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa Presidenti i ri të zgjedhet dhe të bëjë betimin.

Gjithashtu në amendamentet që i ka siguruar KOHA parashihej që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Amendamenti 1 i dorëzuar nga Osmani parashihte ndryshimin e nenit 65 të Kushtetutës, Kompetencat e Kuvendit.

Propozohej të ndyshonte paragrafi 7 i këtij neni.

“Neni aktual 65.7 është si vijon: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës (7) zgjedh dhe mund të shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës në pajtim me këtë Kushtetutë’; Sipas amendamentit të propozuar, neni 65.7 ndryshohet si vijon: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës: (7) dorëzon në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 91 të Kushtetutës’”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga Osmani.

Në amendamentin 2 Osmani ka propozuar që të rastet kur shpërndahet Kuvendi të përcaktuara në nenin 82 të fshihet pika e fundit që është “Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Në amendamenti 3 Osmani ka propozuar që neni 86, Zgjedhja e Presidentit, të fshihet dhe të zëvendësohet me një nen të ri 86.

Mobi Casa

“Sipas amendamentit të propozuar, neni i ri 86 ka tekstin si vijon:

‘1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.

  1. Zgjedhjet Presidenciale shpallen nga Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës.
  2. Nëse kandidati për President merr shumicën absolute (më shumë se 50%) të votave të vlefshme në rrethin e parë, atëherë zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave në rrethin e parë, mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave në rrethin e parë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve mbahet jo më vonë se 30 ditë nga rrethi i parë. Kandidati, i cili merr shumicën e votave në rrethin e dytë të zgjedhjeve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës’”, thuhet në kërkesën e Osmanit.

Presidentja në amendamentin 4 ka propozuar të shtohet një nen i ri, ai 163, Shpallja e Zgjedhjeve të para Presidenciale me këtë përmbajtje:

“Pavarësisht dispozitave të era të kësaj Kushtetute: (1) Mandati i Presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa Presidenti i ri të zgjedhet dhe të bëjë betimin. (2) Presidentët që kanë shërbyer para hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve, kanë të drejtë të zgjedhen dhe rizgjedhen edhe një herë si President i Republikës së Kosovës”.

Osmani në konferencën për media të mbajtur më 6 mars, një ditë pasi që Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë pasuesin e saj dhe nuk i miratoi amendamentet kushtetuese ka thënë se miratimi i tyre nuk është lidhur me mandatin e saj derisa ka shtuar se ndryshimet do të mund të aplikoheshin vetëm për zgjedhjen e presidentit pas pesë vjetësh.

“Këto amendamente nuk do kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do duhej të zgjidhej deri mbrëmë. Arsyeja është e thjeshtë vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit aktual. Do të thotë se edhe nëse do miratoheshin mbrëmë ato nuk do të ndryshoni asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim”, është shprehur Osmani.

Amendamentet kushtetuese, të cilat presidentja Osmani ia ka përcjellë Kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit të shtetit me votë të drejtpërdrejtë nga populli nuk kanë arritur të miratohen më 5 mars në mungesë të kuorumit.

Për çdo ndryshim kushtetues kërkohet miratimi nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë. Në këtë seancë, në sallë kanë qenë 93 deputetë, ndërkaq kanë munguar të nëntë ligjvënësit e partisë serbe, Lista Serbe.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.