Çka pas veriut?
Nga Berat Buzhala – Nëse nesër e zgjidhim problemin e veriut a e dini se cila temë po na pret tek dera? Bashkimi me Shqipërinë. Nëse nesër ndodh ky Bashkim Kombëtar a e dini se çka na pret tek dera? Një shtet shqiptar i madh i paedukuar dhe i prapambetur në të gjitha fushat.
Për tema të mëdha dhe të përgjithshme – si për shembull Zoti, Bashkimi Kombëtar, Veriu i vendit – të gjithë e kanë nga një mendim. Edhe idioti i fundit nxehet dhe çirret dhe i jep ato pak argumente të tija nëse në ndonjë odë a në ndonjë kafe dikush fillon e flet për apo kundër Bashkimit Kombëtar.
Nëse je shqiptar, e nëse je edhe i paarsimuar – lloj ky çdo ditë e më tepër në rritje – atëherë pak i inspiruar nga lajmet e televizioneve, pak nga portalët, e pak nga horrat politikë, gjëja e parë që të shkon në mendje ta thuash është se “nëse bëhemi bashkë me Shqipërinë, problemet ekonomike zgjidhen shumë më lehtë”. Pothuajse sikur me dorë të Zotit. Në anën tjetër, nëse je serb, e gjithashtu i motivuar prej të njëjtëve faktor që i përmenda për shqiptarët – vetëm tash në gjuhën serbe – kthimi i Kosovës nën Serbi do të nënkuptonte fundin e të gjitha problemeve tokësore.
Pra, vendi i ynë i dashur, Kosova, po shndërrohet në një tokë pjellore për kultivimin e ekstremistëve dhe fundamentalistëve të të gjitha ngjyrave dhe të të gjitha etnive. Sepse ky lloj produkti është i lehtë edhe për t’u kultivuar – kërkohet vetëm bukë dhe ujë – edhe i lehtë për ta menaxhuar.
Siç do të thoshte Arben Idrizi, të tillët ose nuk e kanë lexuar asnjë libër, ose e kanë lexuar vetëm një libër. Në të dyja rastet problemet janë kritike.
Mjafton një titull në një gazetë diku në Beograd dhe t’i e sheh Facebook’un se si vlon prej injorantëve se “muleni o burra se u shit Kosova”. Një gazetar diku në një qoshe të Serbisë në pamundësi për të prodhuar ndonjë shkrim më kreativ nxjerr diçka prej burimeve anonime diplomatike dhe mandej gjithë mediat tona i mprehin shpatat. Dhe për ketë – siç e dini – e kemi edhe një Lëvizje kujdestare për ta mbushur revolen me fishek, sa herë që e kërkon nevoja.
Dhe unë nuk e di se kur do të zgjidhet edhe ky problem. Por aktualisht e kam një frikë patologjike se çka do të ndodhë me vendin tonë fill pas zgjedhjes së kësaj dileme “veriore”, qoftë duke e shitur ketë pjesë (nuk e di as sa do të kushtonte!), qoftë duke ia dhënë një status special (nuk e di çka kuptohet me status special!), qoftë duke e integruar me pjesën tjetër të vendit (ketë variant e di).
Ne që 13 vjet jemi trajnuar si popull që të flasim vetëm për veriun dhe veriorët. Çka do të flasim, e me çka do ta mbushim hapësirën tonë pasi të hiqet kjo temë prej odave, dasmave, festave, dekave, show-vave, kuizave, lajmeve, debateve, zonave, rubikonave…? Pra, do të privohemi prej një lloj mundësie që ka qenë deri më tash ilaç për ta bjerrur kohën kot.
Tash, a do të mbushim ketë hapësirë kohore me tema si arsimi, shëndetësia, tatimet, taksat, mirëqenia sociale etj etj., apo tash do t’i përkushtohemi një teme tjetër bjerrakohëse siç është ajo e Bashkimit Kombëtar.
Më lejoni ta bëj të qartë që në krye të herës se unë nuk i besoj këtij Bashkimi Kombëtar çfarë po e promovon Lëvizja Vetëvendosje dhe që po ia mbajnë ison edhe pothuajse i gjithë spektri politik. Mirëpo për fatin tonë të keq, mirëpo për fatin e keq të fëmijëve tanë, sipas të gjitha gjasave skenari më i keq do të na ndodhë. Pra, fill pas “zgjidhjes” se problemit të veriut, atëherë do të angazhohemi kolektivisht për një kauzë tjetër të madhe, atë të Bashkimit Kombëtar. Kjo do të ndodhë sepse tregu është ideal. Edhe publiku do ta dëshirojë një lojë të tillë me zjarrin, e edhe lojtarët janë të përshtatshëm.
Për të folur për reforma në arsim kërkohet kompetencë. Pra, nuk është kjo një temë aq e nxehtë. Për të folur për ketë temë nuk është i gatshëm as Ramë Buja, as mediat tradicionale, e këto kontemporane si Facebook’u. E nëse të gjitha këta aktorë nuk janë të gatshëm për ta bërë atraktive për publik një temë kaq vitale, siç është arsimi apo shëndetësia, atëherë definitivisht nuk do të janë të gatshëm për ta pranuar si temë elektorale as publiku – masa. Edhe masa – pra qytetarët – do ta kanë më të lehtë që ta pranojnë për konsum ditor temën e Bashkimit Kombëtar, se sa të përballën me një të vërtetë të hidhur se shkolla që e kanë kryer nuk ka ndonjë vlerë.
Do të ishte detyrë e elitave politike që përpos lajmeve të mira, qytetarëve t’u kumtonin edhe lajme të këqija. T’u tregojnë atyre se jemi vend i prapambetur – bindshëm më i prapambeturi në Europë. Se cilësia e arsimit në Kosovë është bindshëm më e dobëta në Europë. Se cilësia e shëndetësisë është skandaloze. Se ekonomia ka stagnuar. Dhe plot “se” të tjera. Dhe t’u thuhet qytetarëve se për ta ruajtur vendin e fundit në të gjitha fushat e mundshme e kemi vetëm një rrezik potencial. Ai rrezik vjen nga Shqipëria. Pra, t’u thuhet qytetarëve se kudo që ne nuk jemi në vendin e fundit për cilësi, atëherë atë vend na e ka zënë Shqipëria. Pra, po, duhet t’u thuhet qytetarëve se Bashkimi Kombëtar as nuk mund të ndodhë në këto disa dekadat e ardhshme, e as nuk na i zgjidh problemet po të ndodhte nesër.
Autori është: Deputet i PDK’së në Parlamentin e Kosovës. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne janë personale.

