Fundamenti

Çka ndodhi me Sopën?

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Hamdi Sopa, zyrtar i Qeverisë, dyshohet se para se të hidhej nga kati i nëntë, është therur me thikë. Në trupin e tij sipas autopsisë janë gjendur dy plagë. Besohet se kur është kryer krimi prezent kanë qenë edhe familjarët e tij. Policia nuk ka thënë asgjë lidhur me këtë.

Zyrtari i Qeverisë së Kosovës, i cili vdiq të martën, dyshohet se është vrarë.

Sipas burimeve të afërta me organet e hetuesisë të portalit Indeksonline, thuhet se viktima para se të binte nga ballkoni i banesës së tij ishte therur me një mjet të mprehtë.

Rezultatet e autopsisë kanë treguar se Sopa kishte pasur dy plagë në trup nga thika, e më pas ka rënë nga kati i nëntë.

Mësohet se kur është kryer ky krim prezentë kanë qenë edhe familjarët e tij.

Në anën tjetër zyrtarët e policisë nuk e konfirmojnë e as nuk e mohojnë këtë.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë çështje. Duhet të pyesni prokurorinë”, ka thënë Brahim Sadriu zëdhënës i policisë.

Mobi Casa

Ndërkaq, kontaktimi me prokurorinë ishte i pamundur për shkak se nuk i hapnin telefonat.

Gjatë ditës së mërkurë është mbajtur edhe një mbledhje komemorative.

Hamdi Sopa me jetën dhe veprën e tij, në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën, do të mbetet sinonim i intelektualit të mirëfilltë, i njeriut të qytetëruar dhe i profesionistit dhe zyrtarit të devotshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kështu u tha në mbledhjen komemorative të ish zyrtarit shumëvjeçar për informim në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Hamdi Sopa, i cili humbi jetën të martën duke u hedhur nga kati i nëntë i banesës së tij. Kolegë, miq, familjarë dhe qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në këtë mbledhje për t’i dhënë lamtumirën e fundit punëtorit shumëvjeçarë të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopës. Arianit Bytyqi, drejtor i Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeministrit, me këtë rast ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e të ndjerit Sopa në ndërtimin e kapaciteteve të para të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Bytyqi vlerësoi Sopën si njeriun me përvojën e duhur të komunikimit me publikun për të nisur mbarë ndërtimet e institucioneve shtetërore të Kosovës. “Shumë vjet më parë në vitin 2002 Hamdi Sopa ishte ndër zyrtarët e parë që filluan të ndërtonin kapacitetet e para të Qeverisë së Kosovës. Në kuadër të këtyre përkushtimeve Hamdiu kishte përgjegjësi për ngritjen e kapaciteteve të Zyrës për Informim të kryeministrit të Kosovës, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi dhe profesionalizëm të lartë. Në rrethanat e reja të pas çlirimit të Kosovës gazetari me përvojë, sociologu dhe mbi të gjitha intelektuali Hamdi Sopa ishte njeriu me përvojën e duhur të komunikimit me publikun për të nisur mbarë ndërtimet e institucioneve shtetërore të Kosovës”, ka thënë ai.

Në emër të sekretarit të përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit foli shefi i zyrës së sekretarit Arben Lala, i cili tha se lajmi për vdekjen e Hamdi Sopës ka qenë i rëndë dhe rrëqethës për të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin atë. “Me dhimbje dhe indinjatë të thellë morëm dje lajmin për humbjen tragjike të kolegut dhe mikut tonë të nderuar dhe të dashur Hamdi Sopa. Padyshim se tej mase na ka goditur lajmi rrëqethës që kolegu ynë në fjalë nuk do të gjendet më në mesin tonë. Andaj më lejoni që në emër të kryeministrit dhe në emrin tim personal të sekretarit të përgjithshme të kryeministrit Fitim Krasniqit t’ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta së pari familjes Sopa, kolegëve të nderuar dhe juve kolegë”, ka thënë ai.(express)