Uji Dea

Çka na pret më 2013?

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Adrian Çollaku – Lamë pas vetes një vit, i cili nuk ishte aspak i lehtë. Qytetarët e Kosovës vazhdimisht u përballën me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e energjisë elektrike, ujit… Madje një pjesë e madhe e qytetarëve patën vështirësi që ta sigurojnë edhe bukën e gojës.

Por, çka bënë institucionet përgjatë një viti për ta?

Thuajse asgjë! Pos propagandës, kinse janë duke punuar shumë për këtë vend dhe në të mirë të qytetarëve. Dhe natyrisht edhe “dhurimin” e skandaleve të njëpasnjëshme, ku u keqpërdorën miliona euro të tatimpaguesve kosovarë. Përgjatë një viti as nuk pati liberalizim të vizave, siç na patën lodhur politikanët tanë duke premtuar heqjen e regjimit të vizave gjatë 2012-ës, as nuk pati rritje ekonomike, as ulje të papunësisë, as përmirësim të qeverisjes, as… Gjithçka shkoi si mos më keq!

Shpresat që viti 2013 të jetë më i suksesshëm janë shumë të vogla. Për të mos thënë nuk ekzistojnë fare! Kjo, të paktën, bazuar në indikacionet e ndryshme, qoftë politike, ekonomike e sociale si dhe nga mënyra se si po e udhëheq vendin kjo shkollë qeverisëse, në “stilin e odave”. Në anën tjetër, sfidat me të cilat do të përballen institucionet, por edhe qytetarët, do të jenë shumë të mëdha.

Sfida numër 1 do të jenë bisedimet me Serbinë. Ashtu edhe siç është paralajmëruar nga ndërkombëtarët, sidomos zyrtarët e Bashkimit Evropian janë të interesuar që gjatë këtij viti t’i përfundojnë këto bisedime dhe të “ikin” nga problemet e Ballkanit, që duket se janë stërlodhur me to. Natyrisht se nga këto bisedime do të ketë kompromise të dhimbshme, siç është veriu i Kosovës, më saktësisht dhënia e një statusi special asaj pjese të vendit, që do ta bëjë shtetin tonë edhe më jofunksional.

UBT

Sfidë tjetër, që me gjasë do të jetë edhe më e vështirë se sa bisedimet me Serbinë, është korrupsioni, i cili është zhytur thellë në sistemin qeverisës të vendit, pa përjashtuar këtu asnjë nivel, qoftë lokal apo qendror. Rastet e shpeshta të korrupsionit, që përfshinë vendin gjatë vitit 2012, si rasti i pasaportave biometrike, ku u avulluan 1.4 milionë euro, e i cili skandal e dëmtoi aq shumë procesin e liberalizimit të vizave, pastaj keqpërdorimet me targa të automjeteve, e shumë e shumë raste të tjera dhe, në anën tjetër, mosndëshkimi i askujt, dëshmon se sa thellë është zhytur korrupsioni në shoqërinë tonë dhe sa i vështirë do të jetë luftimi i kësaj dukurie. Jo vetëm pse mungon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin, por shumë zyrtarë të lartë qeveritarë po mundohen me çdo kusht të pengojnë luftimin e tij, për faktin se janë vetë të përfshirë në afera korruptive.

Gjyqësori, i cili duhet të ishte shtylla e shtetit, ka dështuar shumë keq në luftimin e korrupsionit. Shumë raste janë shndërruar në politike, çka ka bërë që qoftë drejtësia vendore, por edhe ajo e EULEX-it ta ketë kredibilitetin dhe besueshmërinë në shkallën më të ulët të mundshme.

Kriza ekonomike në të cilën gjendet vendi, si pasojë e së cilës çdo ditë e më shumë po “zhduket” shtresa e mesme ngas shoqëria kosovare, duke shkuar drejt një shtrese të varfër dhe ekstremisht të varfër dhe mungesa e një politike zhvillimore ekonomike nga ana e Qeverisë së Kosovës, do ta vërë vendin drejt një shpërthimi social, I cili tash e sa vjet është parandaluar vetëm falë mërgimtarëve tanë, të cilët vazhdojnë edhe më tutje të sjellin para në Kosovë dhe të zbusin sadopak gjendjen.

Pra, me një fjalë, sfidat me të cilat do të përballen qytetarët e Kosovës do të jenë të panumërta, që në këtë shkrim do të ishte e pamundur t’i numëronim. Dhe e tërë kjo falë kësaj qeverisjeje, të stilit të odave, nga e cila vështirë se do të “shpëtojmë”. Të paktën, jo me këtë pasivitet të partive opozitare, të një pjese të shoqërisë civile, të një pjese të mediave… E, sidomos me pasivitetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët duket se nuk dinë nga t’ia mbajnë dhe kujt t’i besojnë.