Çka e kërcënon Kosovën gjatë vitit 2017
Nga Burim Ramadani – Në përgjithësi, ky vit, i cili edhe më herët është parashikuar të jetë i rëndë, mund të përkeqësojë situatën e sigurisë deri në nivele destabilizimi. Për të shmangur këtë, duhet maturi dhe vendosmëri.
Destabilizimi është kërcënimi kryesor i Kosovës gjatë vitit 2017. Për arsye të ndryshme, për shkak të faktorëve të ndryshëm, sikurse edhe për shkak të zhvillimeve të deritashme. Të gjitha këto janë grumbulluar për vite me radhë, derisa disa sfida të reja i janë vënë përpara shtetit të ri të Kosovës.
Të gjitha çojnë kah mundësia e destabilizimit. Apo, thënë më korrekt, pothuajse të gjithë faktorët aktualë mund të kenë qëllim destabilizimin e Kosovës.
Por, cilët janë këta faktorë dhe aktorë që duan apo ndikojnë në një mundësi serioze për të destabilizuar Kosovën gjatë javëve apo muajve në vijim?
Sigurisht, përgjigja nuk është njëdrejtimëshe. Madje, nuk ndërlidhet vetëm me një faktor. Të gjeturat kryesore të analizimit dhe identifikimit të sfidave dhe kërcënimeve mund të përmblidhen në një paragraf:
Kosova është e sulmuar momentalisht nga zhvillimet në nivelin global, në raportet rajonale, në zhvillimet e brendshme dhe ato që ndërlidhen me procese tashmë të pritura për këtë vit. Faktorë ndikues për goditjet që po i jepen Kosovës vijnë edhe nga Serbia, edhe nga refuzimi i komunitetit serb qëë të njeh shtetësinë e Kosovës, edhe nga shtrirja e dukshme e ndikimit rus në Ballkan, edhe nga paqartësia e udhëtimit të mëtutjeshëm të Bashkimit Evropian (sidomos pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar), si dhe mungesës së qartësisë së plotë rreth orientimeve që administrata Trump do të ketë në raport me zhvillimet globale, sikurse edhe vazhdimi i kërcënimit të nga ideologjitë e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.
Dhe, sigurisht, në tërë këtë situatë me kuptime të shumta, Kosova si shtet i ri dhe i brishtë ballafaqohet me domosdoshmërinë e ndërtimit përfundimtar të qëndrueshmërisë së saj të përjetshme. Për të arritur këtë, normalisht se duhet zhvilluar kapacitetet e veta të plota në garantimin e mirëqenies, sigurisë dhe vazhdimësisë së saj.
Duhet kompletuar, për shembull, Arkitekturën e Sigurisë Kombëtare. Tashmë, me vite ka mbetur peng procesi i themelimit të forcave ushtarake, që do të kishin mision mbrojtës. Duhet qartësuar të ardhmen e integrimit ndër-etnik dhe bashkë-jetesës ndër-etnike brenda sistemit politik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Duhet definuar mirë dhe qartë raportet me Serbinë, e cila në javët e fundit duket se ka marrë ofensivë të re me qëllim të realizimit të projektit të saj “Kosova – shtet i dështuar”.
Mbi të gjitha, Kosova dhe elita e saj politike e institucionale duhet të jenë të vëmendshëm për krizën në të cilën është futur vendi. Krizë e kuptimit të aftësisë së shtetit për të zbatuar vendimet politike të tij, sikurse edhe krizë nga synimet direkte të Serbisë për të ndërtuar ‘realitetin e ri’ edhe më të keq në veri të Kosovës.
Porse, kjo nuk është e tëra.
Institucionet e Kosovës duhet, po ashtu, të jenë të vëmendshme me pakënaqësitë në rritje të qytetarëve dhe kategorive të ndryshme shoqërore në Kosovë. Edhe kategoria e veteranëve të luftës, e cila vazhdimisht ka rritur nivelin e shprehjes së pakënaqësive, është një prej faktorëve që duhet trajtuar në mënyrë adekuate institucionale dhe shoqërore.
Më tutje, por që ndërlidhet sigurisht, është edhe fakti i vazhdimit të fletë-arresteve të Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së. Normalisht, kjo vetëm sa ka ridëshmuar problemet e thella dhe të patejkaluara me Serbinë dhe politikën e saj agresive ndaj Kosovës.
Sa për sherr, ky vit është edhe viti i fillimit të pritshëm të funksionimit të asaj që njihet si “Gjykata Speciale”. Kjo Gjykatë pritet të trajtojë raste të ndjeshme të dyshimeve për krime lufte dhe krime të llojeve tjera, porse qartësisht është selektive dhe mono-etnike. Pra, synon të targetojë vetëm shqiptarët. Prandaj, është edhe një faktor tjetër që mund të ndikojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në stabilitetin e Kosovës.
Krimi i organizuar transnacional, sigurisht, avancon në kapacitetet e veta saherë që vendet dhe rajonet e ndryshme ballafaqohen me kriza. Si e tillë, krizat në Kosovë dhe Ballkan mund të kenë ndikim në rritjen e organizatave kriminale dhe veprimtarisë së tyre. Kjo, sigurisht, dobëson aftësitë e shtetit për të reaguar në mënyrë të plotë dhe të fuqishme.
Në përgjithësi, ky vit, i cili edhe më herët është parashikuar të jetë i rëndë, mund të përkeqësojë situatën e sigurisë deri në nivele destabilizimi. Për të shmangur këtë, duhet maturi dhe vendosmëri.


