Fidanishtja

Çka duam ne?

/ 7 minuta lexim

Nga Blerim Shala- Kosovës i duhet pra sa më pare një Plan i detalizuar i synimeve tona në dialogun me Serbinë, që njohin si kryefjalë krijimin e rrethanave kur autoriteti qeverisës i Kosovës do të shtrihet edhe në Veri, dhe kur Kosova do të mbërrijë të anëtarësohet në OKB.

Mund të paramendojmë fare lehtë këtë situatë. Pas takimit të pestë a të gjashtë të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, me homologun e tij, Ivica Daçiqin, Kryeministrin e Serbisë, Kryeministri do të paraqitet vullnetarisht në Kuvendin e Kosovës, që edhe një here tu tregojë deputetëve të Kosovës dhe mbarë opinionit vendor, se për çka është biseduar në takimin paraprak, gjithnjë të ndërmjetësuar nga Catherine Ashton.

Ka ndodhë tash e dy here një gjë e tillë, pse mos të bëhet kështu edhe tash e tutje, me të njejtën logjikë që çfarëdo që flitet në Bruksel, duhet të jetë e ditur prej nesh pra, prej qytetarëve të Kosovës.

Pas secilit prezentim të kësisojt të Kryeministrit Thaçi, do të kemi debatin, me thuaja të njejtat fjalë, të njejat porosi, të njejtat qëndrime, që janë dëgjuar tash e dhjetëra here në këtë politikën kosovare.

Dhe kështu do të sillemi në rreth, duke huqur, në fakt, thelbin e gjithë këtij dialogu.

Ky dialog, nuk ka për synim për të treguar se kush çka është në këtë skenën e mjerë politike kosovare, kush është më trimi e më patrioti, e kush më frikacaku dhe më tradhtari. Ky dialog, ashtu së paku quhet, dhe ky, së paku, është edhe synimi i Brukselit dhe Washingtonit, ka të bëjë me normalizimin (eventual), të marrëdhënieve të Kosovës dhe të Serbisë, për të treguar, para Botës, se çka në të vërtetë e kanë ndërmend të bëjnë në të ardhmen e afërt politikanët e Prishtinës dhe të Beogradit.

Por sjellja e jonë nuk është tek e mbrama risi në historinë e shqiptarëve të dy shekujve të fundit. Ajo e mirëfillta, e vërteta, e cila të thuash nuk gjindet fare në librat shkollorë, tregon që ne nuk kemi rreshtur duke u marrë njëkohësish me njeri-tjetrin, po aq sa edhe me ata që na mbanin pa liri dhe pa shtet, apo, në robëri. Pastaj habitemi pse jemi vonuar aq shumë në këtë rrëmujën e madhe historike ballkanike.

Këndejpari me siguri, edhe tash e tutje do të vazhdojmë me këtë qasje politike.

Edhe në një tjetër çështje, poaq të rëndësishme, ne po dëshmojmë që ose nuk po dimë, ose nuk duam të dime se çka duhet të bëjmë në këtë bisedime që kanë nisur tash e sa javë. Sa më pare që ta marrim vesh këtë çështje, do të jetë më mire për ne. Dhe anasjelltas.

Përqëndrimi i gjithë politikës së tashme kosovare është tek koncepti i transparences së takimeve Thaçi – Daçiq në Bruksel. Thjeshtë, të gjithë ne duhet ta dime se çka po flitet andejpari, gjegjësisht, a është duke respektuar apo jo Kryeministri Thaçi Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila, natyrisht (sepse ndryshe nuk bën), ka definuar qartë kufijtë e këtyre bisedimeve, nga perspektiva e interesave të Kosovës. Shteti i Kosovës, kufijë e tij, rregullimi i brendshëm i tij, nuk mund të jenë temë e bisedimeve.

KKGJILAN

Por fokusi real i të gjithë neve, do të duhej realisht të jetë diku tjetër. Natyrisht që ka rëndësi të madhe se çfarë po flitet në këto takime, por rëndësia sa shkon e rritet poqëse ne pyesim njeri-tjetrin, pa ngritë temperaturën e pseudo-patriotizmit dhe të patetikës së lojës me flamurin kombëtar, së pari, çka pritet në fakt të ndodhë në këtë dialog, dhe së dyti, çka do të duhej të ndodhte në këto bisedime, sa i përket interesave jetikë të vetë autoriteteve të Kosovës.

Për të mbërritë tek përgjigjet që ngërthejnë në vete një analizë të qëndrueshme dhe një parashikim të bazuar për rrjedhën e këtij dialogu, do të duhej parë se çfarë kërkon Perëndimi në këtë dialog, çka synon Beogradi zyrtar, dhe çka dëshirojmë me të mbërrijmë me këtë ballafaqim me Serbinë, i cili do të duhej të ishte krejt i fundit, poqëse njëmend do të hymë në kaptinën e paparë të normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi.

Është e vërtetë që pikënisja e këtij procesi na shkon goxha për shtati, sepse parimisht është në interes të Kosovës, mbi të gjitha, kur dihet se çfarë gjendje mbretëron në Veriun e Kosovës, dhe pse Kosova nuk po arrinë të stabilizohet as brenda territorit të saj, dhe as në skenën ndërkombëtare. Megjithatë, çdo dialog politik ka sprovat e veta, dhe në këtë aspekt, do të ishte iluzion i rrezikshëm të mendohet që në fund të rrugës do të mbërrihet me saktësinë dhe qëndrueshmërinë e Marrëveshjes (eventuale), e cila në plotëni do t’i reflektojë qëndrimet e palës kosovare.

Nuk do të jetë lehtë fare në këtë dialog. Dhe dihet shumë mire, si prej nesh, ashtu edhe prej Brukselit dhe Beogradit, se cila do të jetë sfida kryesore e kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare. Për Veriun e Kosovës është fjala.

Kosovës i duhet pra sa më parë që është e mundur, një Plan i qartë, detalizuar, i shpjeguar mirë, i synimeve tona në këtë dialog, atyre të variantit më të mire të mundshëm por edhe atyre që janë gjithsesi të arritshme (poqëse organizohemi si duhet), dhe që njohin si kryefjalë krijimin e rrethanave kur autoriteti qeverisës i Kosovës do të shtrihet edhe në Veri, dhe kur Kosova do të mbërrijë të anëtarësohet në OKB.

Por ne, së paku deri më tash, nuk jemi marrë fare me këtë Plan ku do të vërehej qartë pse po bisedojmë me Serbinë, çka duhet të arrihet me këtë dialog, dhe cila është korniza kohore brenda të të cilës duhet të merr fund ky dialog.

Aty-këtu kemi mundur të dëgjojmë deklarata edhe të zyrtarëve të lartë të Kosovës për këto çështje, por tej tyre, nuk kemi pare ende që kemi një vizion të qartë se çka na prêt në këto bisedime, çka presim ne prej këtij dialogu, dhe si mund të ndahemi në fund në këtë ndërmarrje ndërkombëtare.

Si po duket, në rrethanat e tanishme së paku, duket që nuk kemi kohë të mirremi me thelbin e këtij dialogu, por me njeri-tjetrin.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)