UBT

“Cirkut” parlamentar t’i jepet fund, sa më shpejt zgjedhje

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Seanca e radhës dëshmoi sa skandaloze është kjo legjislaturë.

“Koalicioni qeveritar me rreth 40 deputetë shqipfolës, ndaj rreth 60-ve që janë në opozitë, po e dhunon popullin, sidomos kur kemi parasysh se kjo Qeveri është kuislinge ndaj Beogradit. Kjo arsye është madhore, sidomos në prag të ‘dialogut’ të paralajmëruar, ndërsa të tjerat janë arsye më minore, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme! ‘Cirkusiada’ e djeshme e Kuvendit ishte një dëshmi më shumë”, thotë Ibrahim Kelmendi për “Kosova Sot”

Analistë të skenës politike kosovare, por edhe qytetarët e vendit tonë janë të një mendimi unik se kjo legjislaturë e tashme është shndërruar plotësisht në një Kuvend të cirkut. Ata vlerësojnë se këtë vlerësim e konfirmoi edhe seanca e së martës në Kuvendin e Kosovës. Sipas tyre, kjo është kriza më e thellë, në të cilën ndodhet politika kosovare, sidomos pas sherrit që e ka futur vendin i pari i shtetit, me idetë e tij të çoroditura e të pashembullta për korrigjim të kufijve. Analistët po pyesin se përse ky Kuvend nuk denjoi që të diskutojë as edhe një herë për kalbëzimin e sistemit të drejtësisë, nevojën për bërjen e një ligji të Wetting-ut, apo për monopolet zhvatëse, për punësimet politike, për ekonominë në rrënim, shëndetësinë e arsimin në degradim. Sipas analistëve e qytetarëve, ky Kuvend duhet që të shpërndahet sa më shpejt, ngase, sipas tyre, kuvendarët e tashëm me cirkun e tyre vetëm se po e shpenzojnë buxhetin e shtetit dhe lëre më që nuk veprojnë asgjë në interes të qytetarëve, por edhe po i dëmtojnë shumë rëndë interesat publike.

Kaosin politik e shfrytëzon kreu i shtetit
Analisti politik Ymret Reshiti, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se turra- vrapi i partive politike në pushtet për të thirrur seancë mbi seancë, shpërfaq më së miri antagonizmat e këtij Kuvendi, i cili po dëshmon se është jofunksional, ashtu siç është thënë që nga momenti i konstituimit. “Seanca e thirrur nga partitë në pushtet nuk mund të kuptohet assesi ndryshe veçse tentative për të zvarritur dhe për të pamundësuar mbajtjen e seancën së jashtëzakonshme, të thirrur nga partitë opozitare konform rregullave dhe procedurave. Seanca e thirrur nga partitë opozitare ka si qëllim ofrimin e një zgjidhjeje për temën e bisedimeve ose ofrimin e një qëndrimi zyrtar të Kuvendit të Kosovës në kohën kur mbretëron kaosi institucional se kush ka të drejtë ta përfaqësojë Kosovën në bisedime”, u shpreh ai. “Në krejt këtë mishmash politik, i vetmi që po përfiton është presidenti Thaçi, i cili me ëndje po e pret datën 7 shtator që të legjitimojë veten si kryenegociator për bisedime me Vuçiqin. Propozimi i ekzekutivit për Grupin e negociatorëve është veprimi më qesharak dhe joserioz që ka ndërmarrë kryeministri i kravatave në qeverisjen e tij”, vijoi më tej analisti Reshiti. Sipas tij, Grupin negociator edhe ligjërisht, por edhe logjikisht e formon Kuvendi i Kosovës me propozimet e partive politike parlamentare dhe jo nga propozimet e Qeverisë apo të Presidencës. Kurse, specialisti i integrimeve evropiane Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kuvendi i Kosovës i ngjau më shumë një cirku, se vendit ku vendoset për çështje me interes për votuesit dhe të tjerët. “Kriza në të cilën është vendosur Kosova, me të vërtetë është e rëndë, pasi dy blloqet politike ashpërsisht janë konfrontuar, saqë mundësia për të gjetur ndonjë zgjidhje përmes mjeteve demokratike është e besuar minimalisht”, theksoi ai.

RCCOLA

QEVERISJE DESTRUKTIVE E PAKICËS
“Partitë politike në pushtet assesi nuk po e kuptojnë se janë pakicë, janë më pak në numër se opozita, ngase Lista Serbe është si ‘kali i Trojës’, edhe nga brenda edhe nga jashtë po e dëmton shtetin e Kosovës, duke shantazhuar partnerët e koalicionin me mosvotimin e iniciativave të tyre. Situata e fundit politike tregon se zgjedhjet e reja janë të nevojshme për ta zhbllokuar punën e Kuvendit të Kosovës si organ më i lartë i shtetit, i cili nuk po mund ta kryejë rolin e tyre për shkak se është peng i Listës Serbe”, tha Ymret Reshiti për “Kosova Sot” Ymret Reshiti

KELMENDI: KUVENDI TË SHPËRNDAHET!
Ndërsa, Ibrahim Kelmendi, për gazetën ” Kosova sot”, thotë se ky Kuvend do të duhej të shpërndahej, por fatkeqësisht populli nuk është i ndërgjegjësuar për të ofruar e për të zgjedhur parlamentarë më të mirë se këta që kemi. “Ky Kuvend duhet të shpërndahet edhe për arsye se në këtë mandat 95 për qind e qytetarëve të Kosovës, me përkatësi etnike shqiptare, po dhunohen nga rreth 3 për qind e minoritarëve serbë, të cilëve u janë rezervuar 10 vende në Kuvend. Këtyre duhet shtuar edhe 10 vende, që u janë rezervuar minoriteteve joserbe”, vlerësoi ai

Qytetarët, të irrituar nga pushteti
Edhe qytetarët tanë janë të indinjuar së tepërmi me përbërjen e tashme të Kuvendit të Kosovës. Kështu, qytetari Shemsi Muçiqi nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”,tha se nuk ka fije dyshimi se përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës duhet shpërndarë sa më parë dhe nuk ka qenë fare nevoja që të pritet kaq gjatë, sepse kjo punë ka qenë dashur të bëhej që para 6 muajve. Kjo, ngase kuvendarët nuk po punojnë asgjë për popullin dhe vetëm se po e zhvatin paranë e popullit”, u shpreh ai. “Kosova tashmë ka nevojë për një spektër të ri politik, që nuk është i korruptuar dhe që mendojnë për popullin. Prandaj, e them lirshëm se vetëm me një strukturë të re politike Kosova mund të shkojë përpara, kurse me këtë garniturë kuvendarësh e pushtetarësh vendi po shkon drejt greminës”, theksi Muçiqi. Kurse, qytetari tjetër nga Prishtina Beqir Koxha, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ajo që po ndodh në Kuvendin e Kosovës në këtë legjislaturë është për keqardhje dhe skenat e tilla më shumë i ngjajnë një cirku se sa punës së një Kuvendi me skena dëshpëruese. “Thënë troç, kjo përbërje e Kuvendit dhe legjislacionit aktual duhet që të shpërbëhet sa më parë”, potencoi Koxha.

(Kosova Sot)