Fundamenti

Chelsea shkruan historinë

/ 3 minuta lexim

Chelsea është triumfuesi i sivjetmë i garës më të madhe evropiane për klube – Ligës së Kampionëve. Rezultati i takimit të zhvilluar në Allianz Arena pas kohës së rregullt dhe pas vazhdimeve ishte 1-1, ndërsa pas ekzekutimit të penaltive më e saktë rezultoi skuadra e Chelseat.

Një Bayern i jashtëzakonshëm u shfaq në fraksionin e parë të lojës me një dominim total dhe administrim të ndeshjes, e cila u zhvillua në pjesëfushën që u takonte lojtarëve me fanellat e kaltra.Të panumërta ishin rastet e bavarezëve në 45 minutat e para të takimit, mirëpo fati nuk ishte në anën e tyre. Rastin e parë të vërtetë e pati Arjen Robben, i cili depërtoi në zonë për të goditur, mirëpo aty ishte Petr Cech për ta ndalur.

Pasuan goditjet nga Schweini dhe Kroos, dhe një seri tastesh të humbura nga Ribery, Mueller, Robben e Gomez. Ndërkohë, që e pathyeshme u tregua mbrojtja e ekipit anglez.

Rastet e vetme të Chelseat në këtë gjysmëlojë ishin një gjuajtje e lirë nga Juan Mata që përfundoi mbi portë dhe një goditje nga Salomon Kalou, të cilën e ndali Neuer.

Edhe gjysma e dytë filloi me një fotografi të ngjashme – me Bayernin që sulmonte dhe Chelsean që priste rastin nga ndonjë kundërsulm. Franck Ribery arriti ta tundë rrjetin, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë lojë.

Blutë vazhduan t’i bëjnë ballë ofensivës agresive të lojtarëve me fanellat e kuqe, të cilët shpërdoruan raste të shumta shënimi.

Mobi Casa

Ishin momente të shkurtra kur lojtarët e Chelseat dilnin nga gjysma e tyre për të rrezikuar dhe menjëherë kthehej loja e zakonshme – bavarezët sulmonin, të kaltrit mbroheshin.

Dhe më në fund erdhi goli. Ishte minuta e 83-të kur u thye mbrojtja e çeliktë e Chelseat. Thomas Mueller e mposhti me kokë portierin Cech pas një harkimi të Toni Kroos (83’).

Mirëpo, befasia e Bluve këtë edicion nuk mungoi as në finale. Pas një krosimi nga këndi të Juan Matas, rezultatin e barazoi, kush tjetër pos Didier Drogbas (88’).
Duke qenë se nuk u shënuan gola të tjerë, loja shkoi në vazhdime për t’u kërkuar fituesi.

Pak minuta pas fillimit të pjesës së parë të vazhdimeve, Drogba bëri një gabim fatal duke ndërhyrë nga prapa në Ribery në zonë, dhe arbitri akordoi penalti. Përgjegjësinë e mori Arjen Robben, por i jashtëzakonshmi Petr Cech e ndali goditjen e tij.

Në 15 minutat e fundit të kësaj finaleje dramatike, lojtarët e Bayernit diktuan lojën që e bënë gjatë gjithë sfidës, mirëpo vazhduan me moskonkretizimin e rasteve të tyre. Dhe meqë nuk pati gola, u desh që penaltitë të vendosin fituesin.

Pas ekzekutimit të penaltive, më të suksesshëm u treguan lojtarët me fanellat e kaltra, kështu që Chelsea shpallet fitues i edicionit 2011/2012 në Ligën e Kampionëve.
Ky është titulli i parë në histori të skuadrës londinezë në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/