Çfarë emri duhet të ketë stadiumi i qytetit në Gjilan

/ 8 minuta lexim

Gjilan- Tifozët e dy klubeve të qytetit të Gjilanit “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterat” e Gjilanit, për dëshirën e tyre kanë emërtuar stadiumin e qytetit sipas dëshirave të tyre. Intelektualët kanë theksuar se stadium ka emër të Selami Osmani-“Bezi”, ndërsa “Skifterat” të Agim Ramadanit, por për fat të keq dy anët e tifozëve kanë harruar se ata nuk janë që emërtojnë emra në një stadium i cili nuk i përket as Dritës e as Gjilanit por duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se stadium është i Komunës së Gjilanit.

Vështirë do të ishte menduar që plot pas 17 vite lirie të mos emërtohet stadiumi i qytetit në Gjilan me një emër të dëshiruar nga shumica e qytetarëve, por edhe tani kjo anomali po ndodhë duke krijuar pakënaqësi jo vetëm tek sportistët por edhe tek qytetarët Gjilanas.

Ndarjet, inatet dhe ndërrimi i pushteteve Komunale, mos interesimi i askujt ka bërë që stadiumi i qytetit në Gjilan të jetë i vetmi stadium në Republikën e Kosovës pa emër që është për çdo kritikë, një emërtim për stadiumin e qytetit do të ishte një bukuri dhe nder me të cilën do të identifikohej futbolli Gjilanas.

Shumë herë është biseduar me inate rrugëve e kafiterive, duke propozuar emra të ndryshëm të pranueshëm e të papranueshëm, duke shkaktuar mos kënaqësi në mesin e qytetarëve dhe sportistëve, por tani e 17 vite asnjëherë nuk është biseduar në mënyrë institucionale që të kapërcehet kjo enigmë tani e një kohë të gjatë.

Qytetit të Gjilanit tani ju ka shtuar edhe një stadium i mrekullueshëm tek varrezat e qytetit, duke ju krijuar futbollistëve kushte më optimale gjatë karrierës së tyre futbollistike, do të ishte mirë që sa më parë të emërohet me emër të pranueshëm nga shumica e qytetarëve të Gjilanit.

Qyteti i Gjilanit në historikun e tij ka pasur 3 stadiume, që asnjëherë nuk kanë pasur asnjë emër dhe kjo është për tu befasuar dhe është rast specifik në Republikën e Kosovës.

Stadiumi i parë ka qenë tek Teatri i Qytetit i cili është ndërtuar ne vitin 1930, në kushtet e atëhershme ku janë vendosur bazat e futbollit të qytetit të Gjilanit.

Stadiumi i dytë i cili është ndërtuar ishte në vitin 1948 në lagjen “Kamnik”, i cili ka funksionuar gjerë në vitin 1967, duke dhënë emra të mëdhenj të futbollit të qytetit të Gjilanit.

Stadiumi i tretë i tanishëm i qytetit në Gjilan fillon të ndërtohet në vitin 1967, ndërsa me bar fillon të jetë që nga viti 1971, por sot e asaj dite nuk ka ndonjë emër.

Stadiumi i katërt me bar artificial tek varrezat e qytetit i cili i plotëson të gjitha kriteret e FIFA-as dhe UEFA-s është lëshuar në përdorim pak para disa kohësh në vitin 2016.

Futbolli në qytetin e Gjilanit ka një zanafillë të lashtë duke datuar që nga viti 1928 kur për herë të parë ishte formuar ‘KF RAPID’, sipas hulumtimeve tona gjatë kësaj periudhe nuk kemi hasur në ndonjë futbollist Shqiptar i cili i ka mbrojt ngjyrat e këtij klubi.

Në vitin 1931 formohet ‘KF GAJRET’ ku njëherit kemi edhe futbollistin e parë shqiptarë në Anamorave.

Esat Berisha i cili njëherit ishte edhe atdhetarë i shquar i kombit Shqiptarë i cili më vonë ekzekutohet me 18 dhjetor të vitit 1944 nga forcat Serbe.

Në këtë periudhë të vështirë të popullit shqiptarë këtij futbollisti dhe patrioti i bashkëngjiten edhe shqiptarët e pakët të futbollit siç janë: Babush Tali, Rexhep Ahmeti, Selim Presheva e Njazi Halimi.

Në vitin 1937-38 formohet klubi me emrin ‘KF GRAGJANSKI’ i cili funksionon vetëm dy vite.

Me ngritjen e idealit për kombin Shqiptarë me tu kthyer në vitin 1941 në Gjilan, Esat Berisha formon ‘KF BASHKIMI’ duke inkuadruar disa futbollist Shqiptarë, por njëherit të rinjët Shqiptarë në këtë kohë arrijnë të organizohen si në jetën sportive njëashtu dhe në atë kulturore.

Pas luftës së dytë botërore në sistemin Komunist formohet në vitin 1945 ‘KF C.ZVEZDA’ e cila funksionon gjerë në vitin 1990 kur suprimohet sporti i Kosovës nga forcat Serbe.

Uji Dea

Rinia shqiptare nuk ndejti duar kryq edhe pse ishte e përdhosur nga diktatura Komuniste, arrijnë të formojnë ‘KF DRITA’ në vitin 1947 me baticat dhe zbaticat e saja ‘KF DRITA’ të këtij pushteti komunist ia del të mbijetoj sot e asaj dite, duke qenë streha e vetme e rinisë Shqiptare duke u bërë lokomotiva e rinisë, popullit Shqiptarë dhe intelektualëve të sajë.

Kur gjithçka pushteti serb në vitin 1990 kishte uzurpuar dhe larguar çdo qenie Shqiptare, rinia e Gjilanit e veçanërisht futbolldashesit formojnë në vitin 1995 ‘KF GJILANI’ duke paralelizuar pushtetin serb, ndërsa këtij klubi futbollistikë i bashkëngjitet një numër i madh futbolldashës duke krijuar një klub që respektohet me të madhe në tërë vendin.

Për plot 86 vite që zhvillohet futbolli në qytetin e Gjilanit për befasi dhe neglizhencë të njerëzve që kanë udhëhequr futbollin në Gjilan nuk kanë mundur ta emërtojnë stadiumin me një emër të cilin e meriton qyteti i Gjilanit, që është për çdo kritik dhe mjaft skandaloze.

Një histori e tillë e futbollit në Gjilan ka ngjallur mjaft reagime dhe është quar mjaft pluhur tek qytetarët, për një emër të arsyeshëm që më në fund dy stadiumet e qytetit në Gjilan të gëzojnë emrat e tyre.

Ndër emrat të cilët po flitet se stadiumi duhet të pagëzohet janë: Esat Berisha, Agim Ramadani, Ali Haziri e Nazim Rexhepi, Ramadan Salihu, Selami Osmani”Bezi”, Buzë Dobrushës .

Për hir të opinionit të qytetarëve të Gjilanit dhe futbolldashësve pas shumë përpjekjeve po japim biografitë e personave të cilët meritojnë të kenë emër dy stadiumet e qytetit në Gjilan.

ESAT BERISHA- Futbollist i parë shqiptarë në Anamoravë. Jurist i diplomuar në Zagreb dhe patriot i shquar i lëvizjes kombëtare, i pushkatuar nga forcat serbe në vitin 1944.

Është një familje futbolldashës të cilët janë marrë me lojën e futbollit siç janë:Raif Berisha, Jakup Berisha, Tajar Berisha, Ymer Berisha e Meriton Berisha. Karrierën e ka zhvilluar në Maqedoni e Serbi në OFK Beograd ku njëherit ishte edhe studentë.

AGIM RAMADANI – KATANA- Luftëtar dhe komandant i luftës së Kosharës i vrarë në vitin 1999. I cili theu kufirin më të mbrojtur ne Evropë shqiptaro-shqiptarë njëherit ishte edhe pasionues i sportit.

ALI HAZIRI e NAZIM REXHEPI- Dy futbollistë të shquar të ‘KF C.Zvezda’ të Gjilanit të cilët aksidentalisht në vitin 1976 kanë humbur jetën. Haziri përpos që ishte futbollistë shumë i spikatur ai ishte njëherit edhe një humanist i madh i popullit shqiptarë ndërsa Rexhepi ishte njëri ndër futbollistët më cilësor me një perspektiv të ndritshme të futbollistit.

RAMADAN SALIHU- Futbollist i KF C, Zvezda të Gjilanit të cilin forcat Serbe e vranë në vitin 1999.

Salihu konsiderohej njëri ndër futbollistët më të mirë mbrojtës të Kosovës, kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme të futbollistit, karrierë të madhe zhvilloi në Maqedoni pikërisht në Kumanovë ku sot e asaj dite admirohet me gjurmët të cilat i la pas vete, si në anën njerëzore njëashtu dhe në atë futbollistike.

SELAMI OSMANI “BEZI”- Donator dhe Kryetar i KF Drita, njeriu i cili gjerë në vdekje ishte pranë këtij klubi. Osmani ishte njeriu i cili ndau kafshatën e bukës për të mirën e futbollit, të gjitha sukseset e ‘KF Drita’ lidhen me emrin e këtij njeriu i cili është ikonë e “bardhe e kaltërve” të Dritës.

LUMI DOBRUSHA – Stadiumi i qytetit gjendet pranë këtij lumi të qytetit.

Jemi të vetëdijshëm por për hir të futbollit dhe qytetit të Gjilanit të punohet në këtë drejtim nga njerëzit kompetent të Komunës së Gjilanit.

Vendimin e emërtimit të stadiumit të qytetit, sikurse çdo emërtim tjetër të institucioneve e merr Kuvendi Komunal i Gjilanit, do të ishte mirë që të procedohen propozimet e tilla nëpër mekanizmat e Kuvendit Komunal, pastaj është çështje e institucioneve vendimmarrëse se si do ta trajtojnë, të jenë bindëse, të jenë të paanshëm e të zgjidhet emri i duhur dhe i pëlqyer për të gjithë neve./sylejman ismajli/rajonipress/