Fundamenti

Çfarë e shkakton humbjen e dëgjimit?

/ 5 minuta lexim

Është zhurma dhe jo mosha, faktori që na çon drejt humbjes së dëgjimit.Miliarda persona kanë probleme me dëgjimin, të shkaktuara nga zhurmat e vazhdueshme që na rrethojnë. “E vërteta e hidhur është se shumë prej nesh janë vetë përgjegjës për humbjen e dëgjimit”, shkruan Katerin Bouton në librin e saj “Të bërtiturit nuk të zgjidh punë”.

Shkaku janë zhurmat ndaj të cilave ne e ekspozojmë veten ditë pas dite. Në mjedise të zhurmshme pune zbatohen rregulla të caktuara, por jashtë tyre jemi plotësisht të pambrojtur. Muzika nga kufjet, koncertet e rrokut, tharëset e flokëve, sirenat, fshesat me korrent, boritë e makinave etj., të gjitha këto ndikojnë negativisht në veshët tanë.

Jetojmë në një botë të zhurmshme, që duket se çdo vit bëhet edhe më shumë e zhurmshme. Pas shërbimit të dobët, e dyta renditet ndotja akustike, për të cilën njerëzit ankohen më shumë nëpër restorante. Zhurmat e larta ose ekspozimi kronik ndaj një tingulli edhe kur ai nuk është shumë i lartë, mund të dëmtojë aparatin e dëgjimit duke i shkatërruar qelizat përgjegjëse.

Në këtë rast, këto qeliza janë në një sasi të caktuar dhe nuk mund të zëvendësohen, ndaj ndjeshmëria ndaj tingujve humb përkohësisht. Fillimisht humbet ndjeshmëria ndaj tingujve me frekuencë të lartë, më pas humbet edhe aftësia për të dëgjuar frekuencat e fjalëve. Robert V. Harrison, një specialist në Universitetin e Torontos, shprehet se pasojat e ekspozimit ndaj zhurmës grumbullohen vazhdimisht. Edhe pse në fillim shkatërrohen vetëm disa qeliza, nëse ekspozohemi përditë ndaj zhurmës, atëherë dëgjimi ynë fillon të dobësohet derisa të humbasë.

Kur qelizat e dëgjimit dëmtohen që në moshë shumë të re, siç ka ndodhur me shumë muzikantë rroku apo edhe të pasionuar pas koncerteve të tyre, me arritjen e moshës së mesme këta persona e kanë shumë të vështirë të dëgjojnë dhe kuptojnë fjalët. Tingulli matet me decibel (dB), niveli i zhurmës që shkakton humbje të përkohshme të dëgjimit është rreth 85 dB, i barabartë me zhurmën e tharëses së flokëve apo edhe miksuesit të frutave.

Dr. Majkëll Seidman këshillon përdorimin e tapave të veshëve gjatë kohës kur kryejmë aktivitetet e mësipërme. Mbrojtja e veshëve është e detyrueshme për personat që përdorin armë, ngasin motoçikleta apo përdorin sharra elektrike. Nga ana tjetër, po kaq të dëmshme janë edhe aparatet që përdorim për të dëgjuar muzikë, sidomos kur ajo e tejkalon nivelin e duhur.

Fidanishtja

Nëse muzikën e dëgjoni me zë shumë të lartë, atëherë jeni duke shkatërruar qelizat tuaja të dëgjimit që në moshë të re. Një studim nga Qendra Amerikane e Dëgjimit zbuloi se mes përdoruesve të pajisjeve muzikore, 35 për qind e të rriturve dhe 59 për qind e adoleshentëve pranojnë se dëgjojnë muzikë me zë të lartë. Dr. Harrison shprehet se njerëzit akoma nuk e kuptojnë se çfarë dëmi po i shkaktojnë vetes.

Ata shpesh e rrisin volumin e muzikës për të shmangur zhurmat përreth, por gjëja e duhur për t’u bërë është të vendoset një kufi i dëgjimit të muzikës në një dhomë të qetë dhe ai të mbahet i pandryshueshëm gjatë gjithë kohës. Ekspertët shprehen se kufjet e celularëve janë më të rrezikshme sesa kufjet e kompjuterëve, pasi të parat janë të vogla dhe mund të futen më thellë në vesh duke shkaktuar një dëm më të madh për të njëjtin nivel muzike. Edhe lodrat e krijuara për fëmijë mund të shkaktojnë dëmtim të dëgjimit të tyre.

Qendra Amerikane e Dëgjimit liston një sërë produktesh siç janë armët me kapsollë, kukullat që flasin, makinat me sirena dhe bori, instrumentet muzikore dhe lodrat me kurdisje. Specialistët shprehen se disa prej këtyre objekteve të përdorura nga fëmijët krijojnë një ndotje akustike deri në 90 dB. Për këtë arsye doktorët këshillojnë prindërit që të kenë kujdes në lidhje me lodrat që blenë për fëmijët e tyre.

Muzika nga kufjet, koncertet e rrokut, tharëset e flokëve, sirenat, fshesat me korrent, boritë e makinave etj., të gjitha këto ndikojnë negativisht në veshët tanë

Qendra Amerikane e Dëgjimit zbuloi se mes përdoruesve të pajisjeve muzikore, 35 për qind e të rriturve dhe 59 për qind e adoleshentëve pranojnë se dëgjojnë muzikë me zë të lartë

Pas shërbimit të dobët, ndotja akustike, është i dyti fenomen për të cilin ankohen më shumë rreth restoranteve.(JANE E. BRODY, The New York Times)