Çfarë do të ndodhë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?

Nga Arsim Sinani – Në vorbullën politike që po kalojnë shqiptarët s’do mend se një lodhje të mirëfilltë kanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në veçanti. Edhe pas më shumë se tri dekadash nuk po arrijnë ta gjejnë formulën politike për t’iu kundërvënë aparatit shtetëror maqedonas tek i cili hyjnë e dalin si spektator. Në një situatë të këtillë u pa se në dy ciklet zgjedhore janë prishur balancat për shkak të partive shqiptare në pushtet (BDI, PDSH, ALTERNATIVA) që nuk ofruan asgjë nga programi politik i shqiptarëve këtu dhe ruajtën vetëm ekzistencën e tyre politike dhe asgjë më shumë.

Shkapërderdhja politike është një doktrinë e ngritur bukur nga establishmenti politik maqedonas që shqiptarin në sistem e mban mirë por pa doktrinë shqiptarë , thjeshtë si një instrument karshi ndërkombëtarëve. Mos etablimi në dy blloqe politike i partive shqiptare në Maqedoni të Veriut ka shumë gjasa që të prodhojë atë që ndër vite nuk ka arritur ta bëjë doktrina shtetërore maqedone, që shqiptarët të votojnë për një parti maqedone. Dhe pa një marrëveshje mes partive shqiptare këtë do ta shfrytëzojnë me elegancë socialdemkratët maqedonas, të cilët shansin e tyre e shohin te votuesi shqiptar, i cili është mjaft i dëshpëruar nga gënjeshtrat që ia kanë servuar partitë shqiptare, e në prapaskenë të dirigjuara nga maqedonët. Këtë shqiptarët e kanë kuptuar shumë mirë por fati i keq është se shpresat i janë prerë pasi elitat politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, e në veçanti te shqiptarët janë elita të përzgjedhura nga maqedonasit e brenda partive politike shqiptare, Kjo me gjasë do të shfrytëzohet me shumë kujdes nga socialdemokratët që e duan me çdo kusht fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mosunifikimi i opozitës shqiptare Lëvizjes Besa dhe Aleancës së shqiptarëve është lajm i keq për votuesin shqiptar, i cili do ta ndëshkojë miksturën e partive politike shqiptare në qeveri. Kjo realisht i shërben doktrinës maqedone, e cila do që ta zgjidhë njëherë e mirë problemin me shqiptarët duke ua marrë të drejtën kombëtare që të kenë përfaqësim dinjitoz. Edhe pas dy dekadave të konfliktit shqiptaro-maqedonas elita politike shqiptare që doli nga lufta pa kuptim e humbi fletoren e idealeve mes Shkupit e Tetovës dhe i tjetërsoi e zvetënoi kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Nga shtetëformësia apo siç e them në vazhdimësi, shqiptarët lipset të jenë themeltar të vendit, e në vend të kësaj kjo kastë përfundoi në zyrat e Shkupit duke i zgjidhur problemet e një grupi njerëzish të dyshimtë që u imponuan dhe e tjetërsuan idealin e shqiptarëve të Maqedonisë. Lufta politike tanimë në kampin politik shqiptar e ka humbur kuptimin e vetë dhe shpresat mbeten në një lëvizje të mirëfilltë politike shqiptare kundrejt aparatit shtetëror që ta pranojë shqiptarin si themeltar, por këtë betejë do duhet ta zhvillojë një gjeneratë, e cila nuk është pjesë e kalkulimeve të sotme politike. Shqiptarët në Maqedoni të veriut nuk e meritojnë këtë gjendje në të cilën janë katandisur, por këtu mbështetja e politikës shqiptare në rajon ka qenë e paqartë dhe vetëm se e ka përkeqësuar këtë gjendje.

Si ka mundësi që shqiptarët mos të merren vesh mes vetes dhe ta kërkojnë qenien e vetë brenda një subjekti politik maqedonas. Kush i katandisi kaq keq. Dhe shumë pikëpyetje tjera, të cilat jo se nuk kanë përgjigje, por s’ka formacion i cili e zhvendos betejën në këto çështje, pasi pushteti jo vetëm që i ka tjetërsuar, por ama edhe i ka tenderizuar shqiptarët në pushtet.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale shqiptarët nxorën një kandidat dinjitoz presidencial, profesorin e nderuar Blerim Reka, i cili e unifikoi opozitën shqiptare në një Besëlidhje siç e quajti ai, por fatkeqësisht nga distance e sotme kohore po shihet se partitë politike shqiptare në Maqedoni të Veriu janë pa vizion politik dhe kontinuitet në veprime, prandaj edhe janë kështu siç janë sot, pa një drejtues të mirëfilltë politik.
Çështja e servilosjes politike e krerëve politik shqiptar kundrejt elitës politike maqedone është një çështje që kërkon analizë të thellë, pasi pranvera shqiptare në Maqedoni të Veriut do të vonohet për aq kohë sa të konsolidohet kreu i ri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet si shpëtimtari i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).