Fundamenti

Ç’është kjo ndarje ndër shqiptarë, edhe në kohë festash?!

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Labinot Hajdari- Jo rrallëherë është thënë se populli shqiptar është një ndër popujt që është dalluar ndër shekuj për tolerancën fetare dhe për një bashkëjetesë të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Kjo është e vërtetë, e pakontestueshme!

Edhe pse nga shumë rryma të ndryshme me qëllime të caktuara propagandistike, shqiptarët janë etiketuar si turq, grekë, serbë, etj, ky popull i shumë vuajtur përsëri ka arritur që të mbrojë unitetin e vet kombëtar, që të mos bëhet pre e përpjekjeve të segmenteve antishqiptare, të cilët s’lanë gurë pa lëvizur vetëm e vetëm të copëtojnë trojet shqiptare, ta ndajnë e çajnë këtë popull.

Shqiptarët nuk e kishin formuar tolerancën fetare dje, e as sot, por është kjo vlerë që buron me shekuj, prandaj vargjet e Vaso Pashë Shkodranit ‘’Mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria”, janë dëshmi e së vërtetës, dëshmi e vetëdijes së lartë kombëtare. Këto vargje shumëkush i keqkupton e keqinterpreton si shprehje të mendimit ateist. Vaso pashë Shkodrani ishte i mendimit se për shqiptarët, sikur se edhe te popujt e tjerë mbi të gjitha duhet të jetë interesi kombëtar, dhe që feja të mos jetë element ndarje në mes të shqiptarëve .

Doktori i shkencave Islame, dr.Xhabir Hamiti, në një nga publikimet e tij thekson se Faik Konica në shkrimet e tij për tolerancën fetare ndër shqiptar thoshte: “ Unë besoj se shqiptarët gjithkund janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare” .

Ndërkaq Sami Frashëri shkruan: “ Ndarjet në besim nuk sollën çarje në mes të shqiptarëve. Gjendjet e besimit, jo vetëm në vendet e lindjes, por edhe në Evropë, e në vendet e ndriçuara me qytetërim, shumë herë kanë nxjerr vrasje të mëdha e të tmerruara; Në Shqipëri, këto grindje nuk ndihen dhe kurrë në këtë vend s`kanë ngjarë”.

Prandaj, te shqiptarët, edhe pse të ndarë në disa fe, ekzistonte tradita e mirë e tolerancës fetare dhe një harmoni bashkëjetesë midis feve të ndryshme, gjë që na bënte të krenohemi dhe ta trumbetojmë si një vlerë të çmuar të shoqërisë sonë.

Bashkë-ekzistenca që ekziston tek shqiptarët, të besimit islam, apo të besimit të krishterë, përbën një vlerë sublime që rrallë popuj mund ta kenë në historinë modern, prandaj edhe mund të konsiderohemi si model për të tjerët. Është pikërisht kjo krenari që e kemi ndje gjithmonë, ashtu siç e ndjejmë edhe në ditën e Kurban Bajramit, si festë e mirësisë dhe solidaritetit ndaj njëri-tjetrit.

Hidromorava

Shqiptarët nga të gjitha trojet etnike, në të kaluarën kanë qenë mirë të koordinuar qoftë në kohë gëzimi e hidhërimi, duke ndarë së bashku të mirën dhe te keqën, të gëzueshmen dhe të trishtueshmen.

Shqiptarët si popull dhe si komb,në mesin e virtyteve të tyre, janë identifikuar edhe me virtytin e solidarizimit që na mbajti gjallë edhe atëherë kur ishim buzë greminës Mysliman apo i krishterë, nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Presheva, apo Ulqini, ishin një dhe ta pandarë.

Jemi mësuar të lexojmë e dëgjojmë se Kurban Bajrami simbolizon dashurinë, paqen, gëzimin, begatinë dhe solidaritetin. Në këtë ditë (por jo vetëm në këtë), patjetër, të zemëruarit duhet të pajtohen, sepse kjo është dita e gëzimit dhe lumturisë së përbashkët me të afërmit, fqinjët, miqtë, etj. E sot, kur shqiptarët dukën më të bashkuar se kurrë, dita e Kurban Bajramit, na gjen të ndarë, në dysh.

Festa e Kurban Bajramit i ka ‘’ndarë’’ Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë, dhe mbarë shqiptarët e besimit islam. Besimtarët islam të Shqipërisë dhe Maqedonisë do ta festojnë Bajramin me 25 tetor, ndërsa ata të Kosovës më datë 26 tetor.

Të ndarë në ditë feste me njëri-tjetrin, dita e Kurban Bajramit bashkon shqiptarët me Turqit, në njërën anë, dhe me Arabët, në anën tjetër…! Ç’është kjo ndarje ndër shqiptarësh, edhe në kohë festash?! Ç’është ky përafrim ndaj turkut dhe arabit, dhe largim ndaj njëri-tjetrit, shqiptari-shqiptarit?!

Ky turqizëm dhe arabizëm (asgjë të keqe për këta popuj), jo vetëm që ndan shqiptarët andej e këtej kufijve, por ndan dhe miliona shqiptarë, mërgimtarë, që për arsye socio-ekonomike akoma janë të detyruar të jetojnë në dhe të huaj, e të cilët vetëm në ditët festive kanë mundësinë të gëzojnë të bashkuar.

Pavarësisht nga (mos)koordinimi i bashkësive fetare në trojet shqiptare, duhet ta dijë i madh dhe i vogël, hoxhë apo prift, se shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë, do të ndihen zotë të vendit të tyre dhe se do të vazhdojnë me traditën e bukur, në bashkëjetesën e tolerancës fetare, me mendje dhe zemër nga njëri-tjetri, duke festuar kështu së bashku në një ditë, kudo ku ka shqiptar, dhe ky vëllazërim do të trashëgohet si një dhuratë e çmuar gjeneratë pas gjeneratash.