RCCOLA

Cenimi i lirisë së shprehjes dhe të medieve

/ 20 minuta lexim

Shkruan: Baton Haxhiu – Lidhur me statusin ligjor të Udhëzuesit 3 të KPM-së dhe shkeljes së lirisë së fjalës, mungesën e Ombudspersonit për të mbrojtur opinionin publik nga KPM-ja dhe Ligji Zgjedhor kundërkushtetues, AGPK-ja ka heshtur pashpjegueshëm në rastin më flagrant të cenimit të së drejtës për t’u informuar.

Për një muaj kam dëgjuar luftën për fjalën e lirë të gazetarëve dhe dy asociacioneve që përfaqësojnë grupimet e gazetarëve. Por aksidentalisht ata reagojnë me përmbajtje vetëm kur rrezikohen disa vlera, por nuk reagojnë kur cenohen fundamentalisht disa vlera tjera të lirisë së fjalës. Është një rrëfim tjetër shumë më brutal se Kodi Penal dhe dy nenet e saj.

Tri televizionet e Kosovës në një mënyrë ishin ankuar në KPM për faktin se kishim emetuar disa intervista dhe dy konferenca shtypi (Vetëvendosje dhe LDK) të fytyrave publike gjatë zgjedhjeve të fundit. Përfaqësuesit e televizioneve, KTV, TV21 dhe RTK, kishin akuzuar Klan Kosovën se po bënte shkelje të ligjit për fushatë zgjedhore dhe të Udhëzimit 3 të Komisionit të Pavarur të Medieve. Kolegët tanë na kishin akuzuar në emër të burokracisë duke harruar rëndësinë e lirisë së informimit. Dy asociacionet e gazetarëve nuk e kishin mbrojtur lirinë e shprehjes dhe kishin heshtur për veprimet e KPM-së që në mënyrë brutale po shkelte fjalën e lirë. Nuk kishin reaguar edhe për futjen e nenit në Ligjin për KPM-në ku në mënyrë brutale, të pahijshme dhe jo të ligjshme ku është mohuar konkurrenca e lirë në tregun medial në Kosovë.

Në ligjin e fundit të KPM-së, lobuesit kanë kontrabanduar nenin ku me ligj sigurohen frekuencat e televizioneve. Në këtë aferë korruptive ishte përfshirë edhe LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe Vetëvendosja, duke ndërtuar një koncept burokratik brenda Ligjit të KPM-së të aprovuar me shumicë votash. Nuk po flas për konceptin e padijes për këtë lëmi, po flas për dëshirën për të qenë të korruptuar kosovarë dhe evropianë bashkë. E në të njëjtën kohë janë të përfshirë të gjithë njerëzit e politikës për të blerë paqen me mediet dhe për t’i futur ato nën sqetullën e tyre, duke harruar se brenda proceseve burokratike sistemi medial lirshëm po pushtohet nga konceptet e lira dhe investuese nga mediat jashtë Kosovës.

Fakti që 13 vjet ne po ofrojmë një imazh të papërmirësueshëm dhe amatoresk, korruptiv dhe të paqëndrueshëm, po krijojmë hapësirë të bollshme të zhdukemi nga konkurrenca mediale. Edhe për faktin se jemi të padobishëm në ofertën për opinionin publik.

Tash po kthehem te fjala e lirë dhe cenimi i së drejtës për t’u informuar

Meqë gazetarët tanë janë të përfaqësuar nga dy asociacione, me vjen keq për heshtjen e tyre edhe për faktin se askund më shumë se në këto dy ligje nuk cenohet fjala e lirë dhe liria e punës së gazetarit. Janë shumë më të dëmshme se dy nenet e Kodit Penal. Por dëshira për protagonizëm e momentit i bën ata të jenë më pak të thellë në kërkimin e vërtetë të lirisë dhe të së drejtës së opinionit publik për t’u informuar.

Po kthehem te udhëzuesi administrativ i KPM-së dhe Ligji Zgjedhor. Une po mundohem të shpjegoj një rrugë tjetër, në të cilën KPM-ja dhe Ligji për Zgjedhjet janë shkelësit më të mëdhenj të lirisë së fjalës dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve përfaqësojnë idenë e paqartë, mungesën e dijes për fjalitë që dalin nga mediumet në funksion të opinionit publik. Ky ligj dhe KPM-ja vetë, bashkë me udhëzuesin administrativ janë përfaqësues të një situate tjetër politike. Dhe si i tillë është i papërdorshëm dhe i dëmshëm. AGPK-ja duhet të bëjë çmos që të shfuqizojë urdhëzuesin administrativ sepse Klan Kosova dhe unë personalisht nuk do ta aplikoj dhe respektoj burokracinë në dëm të informimit.

Pasqyra e fakteve

Më datën 11 dhjetor 2010, Klan Kosova pati përpiluar programin special për monitorimin e zgjedhjeve të përgjithshme të datës 12 dhjetor 2010, i cili është emërtuar “Maratona e zgjedhjeve”. Ky program ka qenë i bazuar në parimin e informimit të opinionit publik për ngjarjet dhe zhvillimet me interes publik gjatë ditës së votimit në kohë reale, duke i respektuar dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.

Duke qenë se i gjithë programi “Maratona zgjedhore” është transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ekipi udhëheqës i Klan Kosovës ka kërkuar nga ekipi realizues që të sigurohen se i gjithë stafi që ka qenë i angazhuar në këtë program do t’i respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi lidhur me mbulimin dhe raportimin e ngjarjeve gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Rrjedhimisht, gjatë transmetimit të këtij programi personat përgjegjës janë siguruar që në asnjë mënyrë të mos transmetojnë ndonjë aktivitet të fushatës zgjedhore të cilësdo parti politike apo çfarëdo informate tjetër që, për shkak të përmbajtjes së vet, do të mundë të karakterizohej si aktivitet i fushatës zgjedhore.

Intervistat me përfaqësuesit e partive politike, shoqërisë civile, zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me rrjedhën e zgjedhjeve dhe daljen e votuesve në zgjedhje;

Raportet e korrespondentëve të Klan Kosovës nga vendvotimet e ndryshme në Kosovë lidhur me rrjedhën e zgjedhjeve dhe daljen e votuesve në zgjedhje;

Transmetimi i konferencave për shtyp të partive politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me rrjedhën e zgjedhjeve dhe parregullsitë e evidentuara gjatë procesit zgjedhor; dhe

Debatet me analistë dhe ekspertë të ndryshëm lidhur me ngjarjet që kanë karakterizuar ditën e zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, është me rëndësi të nënvizohet se programi “Maratona zgjedhore” është dizajnuar në bazë të përmbajtjes së informatave që janë raportuar, transmetuar apo diskutuar dhe jo personave apo grupeve që do të shprehin, përcjellin apo diskutojnë mbi këto informata. Në bazë të kësaj, Klan Kosova është siguruar se programi “Maratona zgjedhore” është në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe ligjore që e rregullojnë punën e medieve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.

Më 12 dhjetor 2010, drejtori ekzekutiv i Klan Kosovës ka pranuar një email nga përfaqësuesi i Divizionit për Monitorim dhe Pajtueshmëri të Mediave të KPM-së, i cili ka “tërhequr vërejtjen” se Klan Kosova ka transmetuar programe që nuk janë në përputhje me nenin 51.2 të LZP-së. Në po të njëjtën ditë, KPM-ja i ka dorëzuar Klan Kosovës Njoftimin për Shkelje dhe i ka kërkuar të vijë në pajtueshmëri më nenin 51.2 të LZP-së dhe Udhëzuesin 3 të KPM-së.

Më 15 dhjetor 2010, Klan Kosova i ka drejtuar KPM-së një letër me të cilin ka reaguar ndaj Njoftimit për Shkelje dhe ka ofruar një përshkrim të përgjithshëm të bazës ligjore mbi të cilën është mbështetur gjatë transmetimit të programeve në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme, duke nënvizuar se programet e Klan Kosovës në këtë ditë kanë qenë në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.

Më 15 dhjetor 2010, Këshilli i KPM-së ka nxjerrë vendimin me të cilin ka gjetur se Klan Kosova ka shkelur nenin 51.2 të LZP-së dhe Udhëzuesin 3 të KPM-së. Me këtë rast Këshilli i KPN-së Klan Kosovës i ka shqiptuar dy sanksione, përkatësisht (I) gjobën prej 20,000 Eurove dhe (II) detyrimin për të kërkuar falje për shkeljet e bëra.

Në arsyetimin faktik të dhënë në Vendimin e KKPM-së theksohet se Klan Kosova ka transmetuar intervista të personaliteteve politike dhe pjesëmarrësve në zgjedhje dhe ka transmetuar raporte nga selitë e partive politike si “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga ku janë parë sloganet e këtyre partive politike. Për më shumë, në pikën 9 të vendimit KKPM-së thuhet se edhe pas tërheqjes së vërejtjes nga ana e KPM-së, Klan Kosova ka vazhduar të transmetojë deklaratat e pjesëmarrësve në zgjedhje të përgjithshme.

Përfundimisht, në pikën 12 Këshilli i KPM-së përsërit në mënyrë të përgjithshme se Klan Kosova ka transmetuar programe të subjekteve politike që kanë garuar në zgjedhje prej të cilave ka marrë deklarata që i takojnë aktivitetit të fushatës zgjedhore.

Është me rëndësi të theksohet se në përshkrimin faktik të “shkeljeve” të gjetura në Vendimin e KKPM-së nuk ofrohet asnjë hollësi ose e dhënë lidhur me përmbajtjen e deklaratave të transmetuara në programin e Klan Kosovës, të cilat janë karakterizuar si aktivitet i fushatës zgjedhore. Përkundrazi, nën kategorizimet e përgjithësuara Vendimi i KKPM-së është përqendruar tek protagonistët e programit, pjesëmarrësit në zgjedhje, pavarësisht përmbajtjes së deklaratave të tyre.

Në arsyetimin ligjor Vendimi i KKPM-së është bazuar në nenin 52.1 të LZP-së, i cili përcakton si në vijim:

Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve.

Për më shumë, në arsyetimin ligjor Vendimi i KKPM-së është mbështetur në Udhëzuesin 3 të KPM-së, i cili në përpjekje të interpretimit të nenit 51.2 të Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh si në vijim:

Në pajtim me praktikat e përgjithshme në Evropë, radiot dhe televizionet nuk duhet të transmetojnë asnjë deklaratë apo material tjetër që ka të bëjë me zgjedhjet, të ndonjë kandidati apo përfaqësuesi të ndonjë Entiteti Politik të Certifikuar, ose nga të tjerët në emër të, ose lehtë të identifikuar me një kandidat ose Entitet Politik të Certifikuar.

Kjo ndalesë përfshin transmetimin e deklaratave të kandidatëve që garojnë për zgjedhje, transmetimin e çdo aktiviteti të subjektit politik të certifikuar dhe deklaratat e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Përveç referimit në dispozitat e lartpërmendura të LZP-së dhe Udhëzuesit 3, Këshilli i KPM-së në vendimin e vet nuk ka ofruar ndonjë analizë ligjore se si veprimet e Klan Kosovës kanë shkelur dispozitat ligjore të përshkruara më lart.

Hidromorava

Interpretimi i gabuar i ligjeve të aplikueshme

Udhëzimi 3 është në kundërshtim me nenin 51.2 të LZP-së

Nga arsyetimi i dhënë në Vendimin e Këshillit të KPM-së shihet se baza ligjore mbi të cilën mbështetet ky vendim është Udhëzuesi 3 i KPM-së. Në lidhje me këtë, është me rëndësi të theksohet se Udhëzuesi 3 e tejkalon ndalesën e nenit 51.2 të LZP-së në dy aspekte, si në vijim:

Përkundër faktit se ndalesa e paraparë me nenin 51.2 të LZP-së është e përqendruar në përmbajtje, gjuha e Udhëzuesit 3 zgjeron këtë ndalesë duke e zhvendosur fokusin nga përmbajtja te pjesëmarrësit në zgjedhje, pavarësisht përmbajtjes së deklaratave të tyre; dhe në këtë mënyrë Udhëzuesi 3 paraqet një bazë absolute të përgjegjësisë (të ashtuquajtur “strict liability”) e cila abstrahon elementet subjektive të përgjegjësisë dhe është në kundërshtim me rendin juridik në Kosovë.

Siç u përmend më lart, cilësia themelore e ndalesës së nenit 51.2 të LZP-së është përqendrimi i saj në përmbajtjen e materialeve dhe informatave që transmetohen, duke ndaluar vetëm transmetimin e materialeve që kanë të bëjnë me aktivitet të fushatës zgjedhore. Përqendrimi i kësaj dispozite në përmbajtjen e materialeve që transmetohen përforcohet edhe nga Neni 3 i LZP-së, i cili përcakton përkufizimin vijues për termin “Aktivitet i Fushatës Politike”:

s“Aktiviteti i Fushatës Politike” do të thotë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, mbledhje, prezantim publik, ose ndonjë aktivitet i përgatitur për të propaganduar mesazh politik në lidhje me zgjedhjet.

Ky definicion i termit “Aktivitet i Fushatës Politike” sqaron, përtej çfarëdo dyshimi, se një aktivitet mund t’i atribuohet fushatës politike vetëm nëse ai aktivitet ka për qëllim propagandimin e një mesazhi politik në lidhje me zgjedhjet.

Për qëllime të kësaj analize duhet të nënvizohet se mesazhi propagandues politik në lidhje me zgjedhjet nënkupton thirrjen për të votuar një parti apo kandidat politik apo për të mos votuar një parti apo kandidat politik. Rrjedhimisht, është e qartë se ndalesa e nenit 51.2 të LZP-së është e përqendruar në përmbajtje të aktivitetit dhe nuk ndalon në asnjë mënyrë apo formë aktivitetet e pjesëmarrësve në zgjedhje të cilat nuk propagandojnë mesazhe politike në lidhje me zgjedhjet.

Në arsyetimin e dhënë në vendimin e KPM-së, Këshilli i KPM-së pohon se Klan Kosova ka shkelur nenin 51.2 të LZP-së me rastin e intervistimit të kandidatëve në zgjedhje pa ofruar asnjë hollësi apo referencë lidhur me përmbajtjen e deklaratave të pjesëmarrësve në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mund të konsideroheshin si propagandim i mesazhit politik në lidhje me zgjedhjet.

Përkundrazi, gjatë programi “Maratona e zgjedhjeve” të gjitha paraqitjet e pjesëmarrësve në zgjedhje kanë qenë të kufizuara në thirrjen për të dalë në zgjedhje, mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe raportimin dhe diskutimin mbi parregullsitë e evidentuara gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, gjatë konferencave për shtyp të partive politike transmetimi direkt është përqendruar vetëm te raportet për mbarëvajtjen dhe parregullsitë gjatë procesit zgjedhor dhe në asnjë moment nuk ka transmetuar ndonjë aktivitet që do të mundë të definohej si propagandim i ndonjë mesazhi politik lidhur me zgjedhjet.

Lidhur me intervistat e transmetuara është me rëndësi të theksohet se deklaratat që përmbajnë thirrje për dalje në zgjedhje dhe respektim të ligjit, qoftë është nëse vijnë nga pjesëmarrësit në zgjedhje, i shërbejnë mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe si të tilla nuk ndalohen nga ligjet në fuqi. Për më shumë, deklaratat e liderëve të partive politike apo pjesëmarrësve në zgjedhje që ftojnë qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të respektojnë ligjin dhe rregullat e zgjedhjeve apo raportojnë për shkelje në vendvotime nuk ndalohen nga neni 52.1 i LZP-së për arsye se përmbajtja e tyre nuk ka të bëjë me aktivitet të fushatës zgjedhore. Përkundrazi, të gjitha mediat janë të detyruara të raportojnë informatat e tilla pasi që ato i shërbejnë interesit të përgjithshëm publik dhe, si të tilla, i kontribuojnë mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Rrjedhimisht, nuk ka dyshim se ndalesa e nenit 51.2 e LZP-së është e përqendruar në përmbajtje të deklaratave të transmetuara dhe një instrument udhëzues, siç është Udhëzuesi 3 i KPM-së, nuk mund të zgjerojë dhe tejkalojë kuptimin e një dispozite ligjore. Si pasojë, KPM-ja nuk mund të bazohet në Udhëzuesin 3 gjatë shqyrtimit të kësaj ankese.

Neni 51.2 i LZP-së është në kundërshtim me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës

Pa paragjykim ndaj analizës dhe argumenteve të ofruara më lart, dëshirojmë që në këtë ankesë të shtrojmë edhe një çështje që ka të bëjë me interpretimin e ndalesës së nenit 51.2 të LZP-së në kuadër të nenit 40 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton si në vijim:

40.1 Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

40.2 Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Neni 40.2 i Kushtetutës së Kosovës në mënyrë eksplicite dhe pa lënë vend për ndonjë dykuptimësi përcakton se liria e shprehjes është një e drejtë që mund të kufizohet më ligj vetëm në rast se një “gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.”

Kjo dispozitë jo vetëm se e konfirmon interpretimin tonë ligjor, të ofruar më lart, se çfarëdo kufizimi i lirisë së shprehjes duhet të përqendrohet në përmbajtje por edhe tregon se, në fakt, ndalesa e nenit 51.2 e LZP-së është në kundërshtim me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës pasi që kjo ndalesë nuk është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Sipas nenit 40 të Kushtetutës së Kosovës, ligjet mund të kufizojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo mund të autorizojnë institucionet, siç është KPM-ja, të ndalojnë apo kufizojnë lirinë e shprehjes vetëm në raste kur informacionet e shprehura apo të shpërndara nxisin dhe provokojnë dhunë dhe armiqësi në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. Sipas nenit 40 të Kushtetutës së Kosovës medieve do të mund t’iu shqiptohet ndonjë sanksion po që se ato transmetojnë informata apo deklarata të personave që nxisin ose provokojnë dhunë dhe armiqësi në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare dhe vetëm atëherë kur një kufizim i tillë ndaj lirisë së shprehjes parashihet me ligji.

Rrjedhimisht, mund të konstatohet se Vendimi i KKPM-së ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën pasi që bazohet në një ligj, i cili nuk është në pajtim me dispozitat kushtetuese lidhur me lirinë e shprehjes.

Përmbajtja e programit “Maratona zgjedhore” i ka shërbyer interesit publik në atë se ka raportuar për parregullsitë gjatë procesit zgjedhor dhe ka ngritur vetëdijen e votuesve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje për pasojat ligjore që mund t’i pësojnë ata persona që shkelin procesin zgjedhor dhe cenojnë votën e lirë.

Përfundimisht, dëshirojmë të nënvizojmë se Klan Kosova gjithnjë i ka respektuar të gjitha vendimet e KPM-së kur ka qenë e bindur se ato janë të bazuara në ligjet në fuqi. Në këtë rast nuk i kemi zbatuar vërejtjet e KPM-së vetëm për arsye se kemi qenë të bindur, në bazë të këshillave të juristëve tanë, se programi ka qenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe kushtetuese në fuqi. Rrjedhimisht, fakti se nuk i jemi përgjigjur pozitivisht vërejtjeve të KPM-së nuk duhet të interpretohet në asnjë mënyrë si shpërfillje e këtij institucioni. Përkundrazi, siç e kemi dëshmuar më parë ne gjithnjë i kemi respektuar vërejtjet dhe vendimet e KPM-së kur kemi vlerësuar se ato janë të bazuara në ligjet në fuqi.

Nëpërmjet vendimeve të tyre, organet administrative të sipërpërmendura kanë cenuar lirinë e shprehjes dhe të medieve të garantuara respektivisht në nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Rëpublikës së Kosovës. Sipas dispozitave të këtyre dy neneve kufizimi i këtyre të drejtave mund të bëhet vetëm me ligj kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Në rastin tonë, është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës ai që kufizon pjesërisht dhe përkohësisht të drejtat mësipërme për hir të heshtjes elektorale. Organet adiministrative të autorizuara nga ky ligj për të nxjerrë legjislacion dytësor dhe rregullat për zbatimin e tij, nuk mund të bëjnë përcaktime të cilat do të krijonin kufizime më të mëdha sesa ato që parashikon ligji.

Kur këto rregulla nxirren nga organe që nuk janë autorizuar prej ligjit, aktet e tyre jo vetëm që janë nul por nëse do të zbatoheshin (siç aktualisht janë marrë në konsideratë) do të cenonin pikërisht të drejtat kushtetuese të përmendura më sipër.

Ligjvënësi ka konsideruar KQZ-në si organi kompetent dhe me njohurinë e duhur për të nxjerrë legjislacionin dytësor dhe rregullat përkatëse për zbatimin e ligjit. Për rrjedhojë ekziston prezumimi ligjor se asnjë organ administrativ veç tij nuk gëzon njohuritë dhe kompetencën e nevojshme për të nxjerrë aktet e nevojshme që mundësojnë zbatimin e ligjit në fjalë.

Për këto arsye themi se Udhëzuesi 3 i Komisionit të Pavarur të Mediave – ky i fundit prezumohet se nuk i njihet kompetenca për të nxjerrë akte të tilla – dhe vendimet përkatëse të organeve administrative që janë bazuar në të, kanë cenuar të drejtat kushtetuese të garantuara nga nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Kosovës.

Në fund të kesaj desha të theksoj se koncepti i mbrojtjes së lirisë dhe të së drejtës për t’u informuar shkelet nga vetë ne, mediet, që në mungesë të dijes dhe guximit për t’u përballur me të vërtetën akuzojmë njëri tjetrin për shkelje ligjore. Asnjë shkelje nuk mund të ndodhë nëse opinioni publik duhet të informohet. Sepse e drejta për t’u informuar është më shumë e dobishme sesa pafuqia për të qenë i ditur për të krijuar program cilësor. Padija nuk mbrohet as me ndërhyrje burokratike e as me njohje të personit që të përfaqëson në mënyrë koniunkturale.

I vendosur aty për të mbrojtur një koncept të pashije konceptualisht dhe programor. Kjo është mënyra më e mirë e ngufatjes së tregut cilësor, qoftë me ligjin e ri për KPM ose me KPM-në vetë si institucion. Në këtë mënyrë vetëm e shpejtoni rrufeshëm “pushtimin“ programor që vjen nga të tjerët dhe shikuesi do të na nxjerrë nga tregu për faktin se kemi ndërtuar koncept koniunktural dhe jo garues për program televiziv. Ne po ikim me shpejtësi nga tregu sepse nuk bëjmë asgjë për ta ofruar shikuesin.