Çeku: Oferta e FSK-së për të rinjtë serb është e sinqertë
Gjilan – Agim Çeku i shoqëruar edhe nga Kevin Lynch drejtor në NATO dhe Millan Stojanoviq nënkryetar për komunitete kanë bashkëbiseduar me të rinjtë serb të fshatit Shillovë të Gjilanit. Çeku tha se FSK-ja është forcë e të gjithëve dhe ka kërkuar nga të rinjtë serb që mos ta humbin shansin, por të kyçen në FSK sepse aty kanë mundësi shkollimi, karriere dhe punësimi.
“Mos rrini peng i së kaluarës, por kyçuni në FSK dhe në institucionet e Kosovës sepse kjo forcë e sigurisë është garantuese për të gjithë qytetarët e saj pa dallim”.Ky ishte mesazhi i ministrit të FSK-së Agim Çeku drejtuar të rinjve serb në Shillovë të Gjilanit me të cilët për pak orë ka biseduar duke ua sqaruar atyre të mirat, përparësitë dhe qëllimin që ka kjo forcë.
Çeku i cili shoqërohej edhe nga Kevin Lynch drejtor i forcave operacionale në NATO ka kërkuar nga të rinjtë serb që mos të vonohen dhe mos të humbin kohë , por të kyçen sa më parë në FSK sepse ajo është edhe e tyre.”Kosova dhe FSK-ja është shtëpi e të gjithëve , edhe e juaja e cila garanton siguri dhe paqe në rajon. Ky është qëllimi ynë dhe sa më parë që na bashkoheni aq më e lehtë bëhet puna për ne dhe për ju. Oferta e jonë për ju është e sinqertë” ka thënë Çeku.
Çeku tha se është hera e tretë që viziton Shillovën.”Herëve tjera ka pasur shumë rezerva nga qytetarët kurse tani po e shoh që keni filluar ta kuptoni realitetin sepse vetëm integrimi në institucione dhe FSK sjellë të mira për familjet tuaja, për karrierën tuaj dhe për të ardhmen tuaj. Për mua çdo serb është i mirëseardhur në FSK dhe tani kemi mjaft shembuj ku edhe kemi njerëz që po shkollohen edhe në Akademi në Shkup.”Andaj askush prej jush nuk do të gabonte nëse rreshtohet në FSK dhe i shërben asaj. Njerëzit ende mund të kenë paragjykime e iluzione , por ky vend, ky shtet dhe këto institucione siç është FSK-ja janë tuajat. Mos humbni kohë sepse ne po përpiqemi për të mirën tuaj dhe do të jemi përgjegjës për të garantuar edhe të drejtat tuaja dhe të gjitha komuniteteve tjera joshqiptare”.
Çeku tha se NATO është këtu për ta garantuar standardet dhe kriteret që aplikon FSK-ja. “Jemi ushtri profesionale dhe në shërbim të popullit. Mos harroni se edhe në FSK mund të flisni gjuhën tuaj dhe të shkolloheni në gjuhën tuaj” sqaroj Çeku.
I pyetur nga rajonipress se pse komunitetet joshqiptare duhet ta duan FSK, ta përqafojnë uniformën e FSK-së dhe t`i shërbejnë FSK-së , Çeku tha se shqiptarët si popull shumicë duhet të jenë shembull në rajon. “Kosova mund të depërtojë në rajon dhe në mekanizmat kredibël ndërkombëtarë vetëm nëse plotëson këto kritere dhe nëse vendos standarde të larta në FSK duke ofruar rreth vetës të gjitha komunitetet. Është përgjegjësi e shumicës që ta ndihmojë dhe integrojë pakicën” tha Çeku.
Kurse Kevin Lynch zyrtar i lartë në NATO tha se FSK-ja është ndërtuar në bashkëpunim me NATO-n dhe po punojmë edhe më tutje sepse kemi investuar shumë në FSK.”Derisa ne po flasim këtu në Bruksel po diskutohet për të ardhmen e FSK-së.”Unë vetëm mund të ju them se Kosova dhe FSK-ja janë e ardhmja e juaj dhe ky institucion është i hapur për të gjithë. FSK-ja është forcë moderne dhe garantuese për të gjithë” tha Lynch.
Një ish ushtarak serb Zhivko Xhakliq tha se Anamorava është model dhe shembull i bashkëjetesës.”Gjilani ka treguar se jeta mes shqiptarëve dhe serbëve është e mundur.
Kurse Millan Stojanoviq nënkryetar për komunitete në Kuvendin e Gjilanit ka kërkuar nga të rinjtë serb që të aplikojnë sepse FSK-ja është e tyre dhe në shërbim të tyre.”Gjilani ka dhënë shembuj të shumtë se si ndërtohet bashkëjetesa. E falënderoj shumë zotin Çeku që po na jep mundësi për të konkurruar në FSK” tha Stojanoviq.
Stojanoviq tha se ende kemi nevojë për një gjuhë të përbashkët .”Ne po kërkojmë vetëm atë që na takon dhe do t`i përqafojmë institucionet legjitime të Kosovës”.
Të rinjtë serb të pranishëm në këtë bashkëbisedim kanë bërë pyetje dhe janë interesuar për format e aplikimit./rajonipress/


