Çeku: Nuk jam ithtar i Jugosllavisë së re
Gjilan – Ministri i FSK-së Agim Ceku tha të hënën në Malishevë të Gjilanit se ndihet i befasuar me një konstatim që ka dal nga një medium serb se gjoja ai është ithtar i Jugosllavisë së re. Unë përkundrazi kam fletëarrest për shpërbërjen e kësaj Jugosllavie tha Çeku.
Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku ka demantuar një intervistë që është publikuar nga “Nedelnik” se gjoja ai ka deklaruar se shtetet e ish-Jugosllavisë mund të bashkëpunojnë ne mënyrë të shkëlqyer sapo të tejkalohet e kaluara e afërt dhe se mbështet idenë e një Jugosllavie të re.
“Unë vërtet ndihem i befasuar nga ajo intervistë e cila është dhënë para dy javësh dhe është botuar pikërisht sot. Nuk e di kujt i është dashur ai titull, por unë nuk kam deklaruar ashti siç është interpretuar” sqaroj Çeku.
Çeku tha se ka pasur një rol aktiv në shpërbërjen e kësaj Jugosllavie dhe realisht nuk mund të jetë përkrahës i një Jugosllavie të re siç është thënë.”Unë kam fletëarrest pikërisht për shpërbërjen e kësaj Jugosllavie” tha Çeku.
Çeku tha se ai vetëm ka përkrahur idenë e bashkëpunimit mes vendeve në rajon. “Ne e ndajmë një të kaluar të hidhur , por megjithatë jemi të obliguar që të bashkëpunojmë në të gjitha fushat për të krijuar një ambient të qetë për të gjitha vendet e rajonit” tha ministri i FSK-së.
Ndërkaq i pyetur nga rajonipress rreth marrëveshjes së nënshkruar Thaçi – Dacic dhe rolit të FSK-së në këtë marrëveshje Çeku tha se nga marrëveshja përfitues janë të gjithë qytetarët e Kosovës e bashkë me këtë edhe FSK-ja.”Marrëveshja në radhë të parë krijon një ambient të favorshëm politik për të gjithë , por në mënyrë të veçantë krijon një ambient te mirë edhe për FSK” shtoj Çeku.
Çeku këto komente i bëri në Malishevë të Gjilanit derisa mori pjesë në mbjelljen e fidanëve bashkë me Qemajl Mustafën dhe komandantin e FSK-së Kadri Kastratin./rajonipress/


