Carla del Ponte mban fajin pse Millosheviqi vdiq pa u dënuar për krimet në Kosovë

Prishtinë – Javën e shkuar Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë ka dënuar ish- presidentin e Liberisë, Charles Taylor, për krime kundër njerëzimit, duke e bërë kryetarin e parë të një shteti të marrë një dënim të tillë pas Luftës së Dytë Botërore. Pse nuk ishte Millosheviqi ai i cili do të mbetej në histori në vend të Taylorit dhe pse sot pasardhësit e Millosheviqit në Serbi po e rehabilitojnë politikën e tij.
Një prej roleve të gjykatave është që me verdiktet e tyre, përveç dënimit të personave për veprat e kryera, të sjellin edhe ndjenjën e drejtësisë për viktimat dhe me dënimet të tërheqin vërejtjen kriminelëve të tjerë potencialë që të bëjnë krime të tilla. Pra dënimet kanë edhe qëllim parandalimin e krimeve të ngjashme. Krim mbi të gjitha krimet janë krimet luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi. Për krime të tilla sot anekënd botës zhvillohen procese kundër shumë individëve.
Kjo është gjithsesi e rëndësishme. Por për dallim nga krimet e rëndomta, sado të rënda që të jenë, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidi, janë për nga natyra krime për kryerjen e të cilave duhet të ekzistojë një sistem i cili planifikon dhe në mënyrë sistematike zbaton ato krime me qëllime politike. Këto krime kryesisht bëhen për të ruajtur pushtetin e diktatorëve dhe për të mbajtur nën okupim popujt kundër vullnetit të tyre.
Kur ishin dënuar në Nurnberg të Gjermanisë dhe në Tokio të Japonisë udhëheqësit fashistë për krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, bota kishte thënë: ”Kurrë më“, duke shpresuar se tmerret e asaj lufte nuk do të shiheshin më, sidomos jo në territorin e Evropës. Pa kaluar as gjysmë shekulli në zemër të Evropës, aty ku kishte filluar edhe Lufta e Parë Botërore, në Ballkan, u bënë krimet e tmerrshme që Evropën e përkujtuan se ende ka njerëz dhe sisteme të cilat, nëse nuk i ndal dikush, janë në gjendje të bëjnë të njëjta krime për të cilat kishin besuar se nuk mund të përsëriteshin më.
Pasuan vrasjet masive të civilëve në Vukovar të Kroacisë, rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës dhe masakrat në këtë qytet duke shkuar deri te gjenocidi në Srebrenicë, që sot edhe zyrtarisht është rasti i vetëm i gjenocidit në Evropën pas Luftës së Dytë Botërore i konfirmuar me disa vendime të dy gjykatave, Gjykatës për krime lufte dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kur forcat e Millosheviqit, të cilat i kryen këto krime të tmerrshme, u ndalën në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë ato vazhduan në Kosovë. Ndodhën Izbica, Meja, Reçaku, Prekazi, Suhareka dhe shumë krime e tjera të rënda. Dhe, falë guximit të Louise Arbourit, atëbotë Kryeprokurore e Tribiunalit të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, Millosheviqi më në fund u akuzua për krime lufte.
Kjo akuzë, duhet pranuar qartë tani, edhe pse askush nuk e thotë publikisht, kishte shkaktuar pakënaqësi në shumë qarqe ndërkombëtare perëndimore, sepse donin që të mos përjashtohej mundësia e arritjes së një marrëveshjeje me Millosheviqin për Kosovën. As në NATO nuk e kishin pritur me kënaqësi këtë aktakuzë për ngritjen e së cilës thuhet se meritën kryesore për dhënien e dëshmive e kishin shërbimet e Britanisë së Madhe.
Kështu Sllobodan Millosheviqi u bë i pari shef shteti i cili ende ishte në pushtet i cili përballej me aktakuzë për krime lufte. Ai së pari ishte akuzuar për krimet në Kosovë, sepse Louis Arbour i kishte bindur gjykatësit në Hagë se ka dëshmi të mjaftueshme për krimet në Kosovë dhe se është lehtë të dëshmohej se Millosheviqi, si president i shtetit, i cili e ka Kosovën nën kontroll, mban përgjegjësi direkte për ato krime. Millosheviqi në fund u dorëzua në Hagë, u zhvillua Gjykimi i tij, u nxorën të gjitha dëshmitë e prokurorisë, por edhe të vetë Millosheviqit si mbrojtës i vetvetes për krimet në Kosovë.
Por ndërkohë kundër Millosheviqit ishin ngritur edhe dy aktakuza të tjera, njëra për Bosnjë-Hercegovinën e tjetra për Kroacinë. Përderisa ishte lehtë të dëshmohej se forcat serbe kishin bërë krime në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë nuk ishte lehtë të dëshmohej edhe përgjegjësia direkte e Millosheviqit për këto krime pasi që ato kishin ndodhur „jashtë territorit të Serbisë“. Kështu, për shkak të stërzgjatjes së procesit, për shkak të probleme gjatë procesit që i kishte shkaktuar vetë Millosheviq, ai vdiq pa iu shqiptuar verdikti.
Ka pasur propozim që Millosheviqit së pari t’i shpallej verdikti për krimet në Kosovë, për çka procesi ishte kryer, e më pas të vazhdonte procesi edhe për aktakuzat për Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Por Carla del Ponte e kishte hedhur poshtë një gjë të tillë. Ai druante se në rast të dënimit të Millosheviqit për Kosovën nuk do të kishte më vullnet të nxirreshin dëshmitë për krimet në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Kjo bëri që edhe më shumë të komlikohej procesi. Gjatë këtij procesi vdiq edhe kryetari i Trupit Gjykues në rastin Millosheviq, Richard May.
Javën e shkuar Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë ka dënuar ish-presidentin e Liberisë, Charles Taylor, për krime kundër njerëzimit duke e bërë kryetarin e parë të shtetit të marrë një dënim të tillë pas Luftës së Dytë Botërore. Pse nuk ishte Millosheviqi ai i cili do të mbetej në histori në vend të Taylorit dhe pse sot pasardhësit e Millosheviqit në Serbi po e rehabilitojnë politikën e tij.
Carla del Ponte dhe Tribunali i Hagës në tërësi, edhe pse nuk mund të mohohet kontributi i tyre për të ndriçuar qindra raste të krimeve të tmerrshme të luftës, kanë ndihmuar edhe në relativizimin e krimeve serbe, duke krijuar përshtypjen se të gjitha palët në territorin e ish-Jugosllavisë kanë bërë krime. Del Ponte pas largimit të saj nga detyra e kryeporkurores në paraqitjet e saj publike ka shprehur qartë qëndrime kundër liderëve të Kosovës duke u marrë me ta më shumë sesa me Millosheviqin. Ajo po ashtu ka ndihmuar ato qarqe në Serbi të cilat duan të barazojnë fajin për krimet në ish-Jugosllavi duke thënë se nën hetime kishte edhe presidentin e Kroacisë, Franjo Tugjman, dhe atë të Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq.
Kjo u shkon në favor atyre në Serbi, të cilët sot thonë se „Milosheviqi nuk ka qenë aspak ndryshe nga të tjerët në rajon“ dhe se ai „ka vdekur pa iu dëshmuar faji me vendim të gjykatës, pra i pafajshëm“. Kjo ndihmon sot edhe Qeverinë e Serbisë, ku nënkryetar është Ivica Daçiq, dikur dora e djathtë e Millosheviqit dhe ai madje është kandidat për president. Daçiq sot për Kosovën ka të njëjtat qëndrime të cilat i ka pasur shefi i tij i dikurshëm (se Kosova është pjesë e Serbisë“ dhe ai Daçiq sot është i mirëpritur në Evropë.
Megjithatë nuk mund të thuhet se nuk ka pasur dobi nga procesi kundër Millosheviqit në Hagë. Ai proces, edhe pse përfundoi pa verdikt, për shkak të vdekjes së të akuzuarit, ishte ndjekur më shumë se cilido proces tjetër në botë dhe gjatë tij janë nxjerrë shumë dëshmi për atë që kanë bërë forcat e tij në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Dhe populli serbë do të duhej një ditë të përballej me atë që është bërë në emër të tyre dhe të kuptojë të vërtetën e jo të fusë kokën në rërë. Përballja me të vërtetën dhe me krimet e luftës do të jetë më e rëndësishme për pajtimin e popujve në ish-Jugosllavi, sepse dialogët të cilët zhvillohen nëpër zyrat e ndryshme në Bruksel. Pa falje s’ka pajtim, por harresa nuk është kurrsesi rrugë drejt pajtimit.
E sa për diktatorët dhe parandalimin e krimeve të tyre, pos gjykatave, tash dhe vetë popujt po tregojnë se askush nuk mund të ketë pushtet të pafund. Në dy vitet e fundit janë shembur në Afrikë disa diktatura për të cilat është menduar se do të jetojnë edhe gjatë. Pa Gadafin, Mubarakun, Ben Alin dhe diktatorët e tjerë njerëzit marrin frymë më lirshëm në Egjipt, Tunizi dhe Libi. Pos porosisë për diktatorët mënyra se si kanë përfunduar ata, edhe në rastin e Charls Taylorit, do të duhej të ishte vërejtje edhe për botën demokratike që të kenë kujdes kur bëjnë pazare me njerëz të tillë. Kjo sepse pa një dozë bashkëpunimi nga ana e shteteve demokratike as ata nuk do të mund të qëndronin aq gjatë në pushtet dhe nuk do të ishin në mundësi të bënin aq shumë krime sa kanë bërë. (marrë nga koha.net)