Fundamenti

Cana synon ligën e kampionëve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ardhja e Vladimir Petkovicit në krye të Lazios ka bërë që edhe Lorik Cana të ndihet më i qetë në Olimpico. Mesfushori kosovar po luan rregullisht në miqësoret që ekipi romak po i zhvillon gjatë përgaditjeve.

Reprezentuesi shqiptar thotë se është i lumtur që është pjesë e Lazios, me të cilën synon të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

Lazio e Lorik Canës po vazhdon të përgatitet për edicionin e ri. Seancat stërvitore të ekipit nga kryeqyteti italian po i udhëheq trajneri i ri Vladimir Petkovic. Me ardhjen e boshnjakut në Olimpico dyshimet rreth të ardhme së Canës në formacionin kryesor të Lazios duket se po shkojnë drejt fundit.

Në ndeshjet e fundit miqësore të Lazios, Petkovic po i jep hapësirë të madhe për të luajtur mesfushorit kosovar, i cili edhe në takim me Sienan ishte titullar. E kjo ka bërë që kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë tani të ndihet më i qetë në Lazio, qetësi kjo që i mungoi në edicionin e kaluar pas transferimit nga Galatasaray.

“Deri më tani kemi punuar shumë, por edhe mjaft mirë. Unë tashmë kam fituar përvojë në futbollin italian dhe jam më i qetë. Ndihem mirë i përgatitur fizikisht. Trajneri i ri ka ardhur me ide të tjera duke kërkuar futboll më sulmues, andaj ne duhet të mësojmë shumëçka nga ai”, ka deklaruar Cana.

Eco Higjiena

Ai ndihet i lumtur që është pjesë e një klubi të madh siç është Lazio, me të cilin në kampionatin e ri Cana synon ta arrijë kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Kosovari thotë se është i gatshëm ta ndihmojë Lazion në këtë drejtim.

“Unë jam i gatshëm që ta ndihmoj skuadrën t’i arrijë objektivat që ia kemi qitur vetës përpara. Ne synojmë kreun e tabelës. Pra, duam me çdo kusht ta zëmë një vend që na çon në Ligën e Kampionëve”, ka theksuar Cana, duke potencuar se Lazio nuk i frikësohet asnjë skuadre italiane.

“Këto ambicie e tregojnë fuqinë e Lazios, edhe pse kemi rivalitet të madh në kampionati si Milanin, Napolin, Undinesen, etj. Megjithatë, ne nuk e ndiejmë veten inferior ndaj askujt dhe me ndihmën e tifozëve shpresojmë t’i arrijmë qëllimet tona”, shtoi ai.

Ish futbollisti i Sunderlandit, i Olimpique Marseillet dhe i PSG-së ka folur edhe rreth rolit të tij në fushë. Fakti që mund të luaj në dy pozita – si mesfushor qendror dhe si qendërmbrojtës – e bën Canën të besojë si një futbollist më të nevojshëm për Lazion.

“Unë mund të aktivizohem në pozicione të ndryshme. Ky është një avantazh si për mua ashtu dhe për trajnerin. Unë jam në gatishmëri, pasi falë eksperiencës që kam mund të luaj pa problem në të dyja pozicionet. Unë nuk e kam ndonjë preferencë, por sigurisht që jam gati të aktivizohem aty ku ekipi ka nevojë për mua”, ka përfunduar Cana.(express)