Fundamenti

Cana ndihet mirë në mbrojtje

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka thënë se ndihet mirë kur luan në vijën e fundit të mbrojtjes te Lazio. Cana në ndeshjet e fundit është aktivizuar në qendër të mbrojtjes.

Ai më herët ishte rezervist i lojtarëve të mesfushës. Në mbrojtje është paraqitur mirë. “Kam luajtur në disa ndeshje në këtë rol edhe me kombëtaren. Gjithsesi mund t’ju them se për një lojtar kanë rëndësi inteligjenca e tij, aftësitë fizike dhe eksperienca. Kur i ke këto cilësi, mund t’ia dalësh kudo.

Në këtë rol më vjen ndërmend Marcel Desailly”, ka thënë Cana, të enjten, për mediumet italiane. “Te Lazio më morën, edhe pse unë mund të përshtatem në disa role. Por kur nuk luan është e vështirë që të përshtatesh dhe të hysh në modulin e skuadrës si duhet. Personalisht jam shumë i lumtur kur luaj dhe ndihem shumë mirë në mbrojtje. Vitin tjetër dua të luaj në mbrojtje.

Hidromorava

Shpresoj ta bëj këtë te Lazio, por edhe nëse do të jem në një skuadër tjetër unë do të doja të paraqitesha në repartin e fundit”. Lazio aktualisht është e dyta me 42 pikë në Serie A, tri më pak se Juventusi që kryeson. Të shtunën në kuadër të javës së 21-të, Lazio luan në udhëtim kundër Palermos. “Pres një ndeshje shumë të fortë. Është një klub që ka investuar shumë, madje vitet e fundit shpeshherë ka qenë edhe në mesin e skuadrave lart të renditura.

Aty luan Samir Ujkani, portieri i kombëtares sime, me të cilin flas herë pas here”, ka shtuar Cana. Ai ka thënë se nga pozita e mbrojtësit do të provojë të shënojë ndonjë gol nga goditjet standarde. Kandidat për titull kampioni në Itali, Cana e sheh edhe Napolin e Interin.