Cana mungon në derbi?

Lajme të këqija për Lazion. Trajneri Stefano Pioli duket se nuk do të mundë të llogarisë në shërbimet e Lorik Canës, për ndeshjen derbi ndaj Romës, që do të zhvillohet të dielën.
Në fakt, futbollisti shqiptar pësoi lëndim gjatë ndeshjes së zhvilluar të hënën mbrëma ndaj Sampdorias (3:0), të cilën e nisi nga fillimi, por që iu desh të largohej, për t’ia lëshuar vendin bashkëlojtarit Luis Pedro Cavanda, me të filluar pjesa e dytë.
Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, sipas së cilës, krahas përfaqësuesit shqiptar, Lazio s’mund të llogarisë as në boshnjakun Senad Lulic, po ashtu të lënduar ndaj Udineses.
Cana ka qenë titullar në pjesën më të madhe të ndeshjeve këtë sezon, ndërsa lëndimi i ka ardhur në momentin më të keq të mundshëm, para një ndeshjeje të madhe si ajo me Romën.