“Cana mbyll karrierën pas Euro 2016”

Largimi nga kombëtarja shqiptare e futbollit nuk do të jetë çështja e vetme e rëndësishme futbollistike që Lorik Cana do të marrë në shqyrtim në këtë verë. Sipas gazetës sportive franceze “L’Equipe”, kapiteni i kombëtares shqiptare po mendon që të varë përfundimisht këpucët në gozhdë, duke u larguar nga futbolli i luajtur.
Në këtë vendim të tij ndikojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha, realizimi i ëndrrës së tij më të madhe sportive, pjesëmarrja në fazën finale të një turneu me fanellën e Shqipërisë.
Gazeta franceze, duke trajtuar kthimin në fushë pas më shumë se një muaji pushim të mbrojtësit me Nantën, ka kujtuar edhe deklaratën e bërë pak ditë më parë nga kapiteni i Shqipërisë. Ai shpjegoi se kishte bërë disa ditë pushim për t’u riaftësuar dhe për të mos rrezikuar me dëmtimet në fundin e sezonit, para Europianit. “Për Lorik Canën, Europiani përbën një objektiv madhor. Ndoshta ky është objektivi i fundit për të, pasi ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbylljes së karrierës së tij pas këtij aktiviteti ndërkombëtar, pak pasi të ketë mbushur 33 vjeç”, shkruhej në artikullin e gazetës sportive franceze, transmeton gazeta shqip.
Në fillim të sezonit, para se të nënshkruante me Nantën një kontratë dyvjeçare, Cana arriti akordin me klubin e tij të ri që të mos luante të gjitha ndeshjet, duke kursyer energjitë për Europianin. Kjo ka qenë arsyeja kryesore se pse që nga data 5 dhjetor ai ishte ulur në stolin e rezervave, duke i lënë hapësirë të rinjve, edhe pse tashmë duhet të luftojë për të rifituar vendin në skuadër. “E di që do të kem mundësi të luaj në pjesën e dytë të sezonit. Nanta është ekipi i duhur për të përgatitur Europianin”, ishin fjalët e futbollistit në intervistën e dhënë pak ditë më parë, duke bërë të qartë se nuk shqetësohej, për sa kohë që nuk prishej plani i tij për të shkuar në formë në aktivitetin që fillon në qershor.
Për të marrë këtë vendim mund të ndikojë edhe gjendja fizike e lojtarit, pasi Cana ka pranuar se pas një pjese të parë të sezonit ku kishte luajtur me rregullsi, për të kishte qenë i detyrueshëm një pushim i gjatë riaftësimi. Por futbollisti, i cili gjatë karrierës së tij ka fituar nofkën “luftëtari” pasi jep gjithmonë maksimumin në fushën e lojës, nuk do të pranonte kurrsesi një rol joprotagonisti në sezonin e ardhshëm te Nanta, pas një karriere të kaluar në klube shumë të njohura në Europë. Kjo ishte një prej arsyeve pse ai gjatë verës refuzoi oferta nga kampionatet aziatike, sepse ana ekonomike e marrëveshjes nuk kishte rëndësi sa ajo sportive. Ndaj me kualifikimin në Europian për herë të parë të Shqipërisë, Cana ka gati “fundin e lumtur” të historisë së tij në futbollin e luajtur, duke u larguar si protagonist nga sporti që e bëri të njohur në të gjithë botën.