Buzhala: Na duhet një parti e re, me ide dhe guxim politik

Drejtori i Gazetës Express, Berat Buzhala, ka folur për subjektin e ri politik që është duke u formuar nga deputeti tashmë i pavarur, Ilir Deda, dhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari.
Buzhala ka thënë në Zona e Debatit në Klan Kosova se vendit i duhet një subjekt i tillë, i ri politik, me ide të reja, pasi shumica e qytetarëve nuk ndjehen të përfaqësuar nga partitë ekzistuese.
“Njerëzit po dihen pak a shumë, Ilir Deda, Mimoza Kusari, Dastid Pallaska, Vjosa Osmani shpresoj, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu edhe këta dy janë duke u kontaktuar dhe këta është mirë të shkojnë nëse mbledhin guxim. Duhet një parti e re me një ide të re, shumica e njerëzve nuk janë të përfaqësuar politikisht”, ka thënë Buzhala.
“Ne kemi nevojë për një klasë ndryshe politike që ka mendim ndryshe. Shumica e këtyre janë të barabartë me profile, janë njerëz që kanë treguar diçka. Të gjitha situatat e kanë krijuar një momentum të ri politik, nuk duhet të dezertohet duhet të vazhdohet. Nuk duhet të ketë dëshpërim pse ka dështuar ORA apo FER’i, një koncept i ri na duhet”, është shprehur drejtori i Gazetës Express.