Uji Dea

Buxhovi: S’kam ambicie politike

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për një Kuvend dhe zgjedhje të reja për t’u normalizuar. Por, unë nuk kam kurrfarë ambicie për të udhëhequr këtë parti.

Skena politike është kapluar nga klanet ekonomike dhe mafioze. PDK’në e pret fat më i keq se LDK’në nëse nuk reformohet. Njëri nga themeluesit e LDK’së, Jusuf Buxhovi flet për Express.

Express: A keni ambicie të bëheni Kryetar i LDK’së?

J. Buxhovi: Nuk kam kurrfarë ambiciesh të merrem me politikë, ngaqë jam krijues i pavarur dhe shkencëtar, të cilit i duhet liria e veprimit dhe e të menduarit, nga të cilat politika të privon. Këtë e kam thënë shumë herë dhe e kam përsëritur shumë herë. Aq më pak që të jem kryetar i LDK’së, sepse unë jam larguar prej politikës në kohën kur unë e kam konsideruar se është e domosdoshme në vitin 1993, kur është mbyllur një proces shumë i rëndësishëm i konstituimit të LDK’së, pas Kuvendit të Parë që është mbajtur në maj të vitit 1991. Për mua, ky ka qenë largim i përhershëm nga politika. Në politikë nuk kam hyrë se kam pasur ambicie që të jem politikan. Përkundrazi, në politikë jam futur si intelektual, sepse kanë qenë rrethanat e tilla, ku kanë kërkuar kyçjen e intelektualëve në politikë.

Hidromorava

Express: Nga doli emri juaj si kandidat për Kryetar të LDK’së?

J. Buxhovi: Mendoj se është një spekulim shumë i ulët i disa qarqeve këtu, ndoshta mund të jenë brenda LDK’së, por mund të jenë në përgjithësi në kuadër të kësaj skene politike në Kosovë që është jostabile, që është para degradimit të plotë politik, moral dhe intelektual. Natyrisht, në rrethana të tilla, subjektet politike ndaj të cilave kam qenë gjithmonë kritik, tentojnë t’i ikin përgjegjësisë dhe të merren me tema spekulative. Në vend se të merren me përgjegjësitë aktuale, siç janë bisedimet me Serbinë, siç është situata që e ka sjellë Pakoja e Ahtisaarit, që faktikisht Kosovën e sjell para një gjendjeje shumë të pavolitshme, partitë merren me gjëra të tjera dhe kujtoj se ky është një spekulim. Prapë po e them, Jusuf Buxhovi s’ka pasur dhe nuk ka ambicie kurrë të merret me politikë, aq më pak të jem lider i LDK’së. Edhe pse pas vdekjes së Rugovës, kam pasur vazhdimisht oferta, edhe prej faktorit ndërkombëtar, por kam oferta edhe nga baza e LDK’së. Për çdo ditë marr kërkesa, letra të sinqerta nga njerëzit në bazë, që janë shumë të dëshpëruar me gjendjen jo vetëm në parti.

Express: Pra, kërkesa nga baza dhe qarqe të caktuara intelektuale është që ju të përfshiheni në LDK?

J. Buxhovi: Po, kam shumë kërkesa, jo vetëm tash, por prej se jam kthyer prej Gjermanisë.