Buxheti sërish në asfalt, aty ku vidhet më lehtë

Në Kosovën e pasluftës nga të gjitha qeveritë e deritanishme, që kanë qenë në krye të ekzekutivit, është krijuar një traditë që nga ekspertët konsiderohet të jetë e mbrapshtë për zhvillimin ekonomik të vendit. Thuajse gjysma e investimeve kapitale gjatë këtyre mandateve qeverisëse kanë shkuar në asfaltim rrugësh dhe ndërtim të autostradave.
Shi për këtë analistët e ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se kjo ndarje e tillë e buxhetit të vendit është bërë për faktin se pushtetarët e këtyre garniturave qeverisëse e kanë pasur më së lehti që të vjedhin paratë e buxhetit të vendit përmes tenderëve qindra-milionësh të rrugëve, ku partitë që kanë qeverisur me vendin kanë pasur përfitimet e tyre të majme milionëshe. Si dihet, autoritetet e Kosovës patën deklaruar se me buxhetin e vitit 2017 do t’i japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet, përveç fushave të tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë. Në buxhetin e këtij viti, topprioriteti i Qeverisë së kaluar të Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore ka qenë ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve. Nga 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro ishin ndarë për investime kapitale, që ishte rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në vitin 2016. Ndërkaq, sa i përket buxhetit të Kosovës për vitin 2018, edhe ky buxhet sërish do të fokusohet në asfalt.
Vitin e ardhshëm, buxhet dy miliardë euro
Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se për vite me radhë, që nga pas lufta e deri më sot, buxhetit të Kosovës nuk i ishte dhënë orientim i duhur nga autoritetet e vendit. Sipas tyre, ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit. Investime të shumta në infrastrukturën rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që e lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte të tjera. Tani, në kohën kur autoritetet e vendit do të jenë në përpilim të projekt -buxhetit për vitin 2018, ekspertë dhe përfaqësuesit e bizneseve japin vlerësimet e tyre për orientimin e këtyre mjeteve. Mbi 2 miliardë euro janë parashikuar t’i ketë buxheti i Kosovës për vitin 2018. Profesori universitarë , Nazmi Mustafa, eksperti i çështjeve ekonomike, tha për gazetën”Kosova Sot”se vlera prej dy miliardë eurosh është solide, sikur mjetet e buxhetit të orientoheshin në sektorë që nxisin zhvillim ekonomik. “Ajo që është pozitive, sa po duket, është fakti se një pjesë e mirë e buxhetit është e dedikuar në investime, por e keqja është se investimet tona që nga pas lufta kanë shkuar shumica sish në asfalt dhe më pak në sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik”, potencoi ai. Mustafa thekson se, është koha e fundit kur Qeveria e Kosovës, para së gjithash, një pjesë të madhe të mjeteve do të duhej që të orientoheshin në energjetikë, pasi nga pas lufta kemi probleme të mëdha energjetike, kapitalet që i kemi janë vjetruar dhe po e ndotin ambientin.
Bizneset kërkojnë mbështetje
Ndërsa, përfaqësuesit e AKB-së, që janë organizata që mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë, ndërkaq, thonë se për vite me radhë buxhetit të Kosovës i është bërë orientimi jo i duhur. Sipas tyre, investimet në projektet ku kryesisht kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve në Kosovë, vlerë- sohen si të nevojshme, por investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat. Lideri AKB-së, Agim Shahini, thotë për ” Kosova Sot” se buxheti për vitin 2018 do të duhej të orientohej më shumë në zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë. “Parashikimet e Qeverisë për një buxhet prej 2 miliardë eurosh shpresojmë të mos jenë barrë e presionit të bizneseve dhe qytetarëve për taksa, por të jenë përparësi që do t’i jepet luftës kundër informalitetit”, tha ai.
Eksperti Florim Rudhani, për gazetën “Kosova Sot’ thotë se investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat. “Tashmë Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet, siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi. Ndaj, duhet evituar investimet në infrastrukturë,dhe të mbështet sektori privat, NMV-të, në veçanti të përkrahet sektori prodhues. Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar”, u shpreh ai. “Kjo ndarje e tillë e deritashme e mbrapshtë e buxhetit të vendit është bërë për faktin se pushtetarët e këtyre garniturave sunduese e kanë pasur më së lehti që të vjedhin paratë e buxhetit të vendit përmes tenderëve qindra-milionësh të rrugëve, ku partitë që kanë qeverisur me vendin kanë pasur përfitimet e tyre të majme milionëshe”, potencoi Rrudhani.
Të ndryshojë politika e investimeve
Ekonomisti Dardan Grapci tha për “Kosova Sot’, se askund në botë nuk ndodh që gjysma e buxhetit të një vendit të shkojë në asfaltime rrugore, por me këtë po vërejmë se partitë e deritashme në pushtet po vjedhin duke ua dhënë tenderët e rrugëve firmave të personave që i njohin ose që kanë bërë marrëveshje sekrete me ata, duke e ndarë një përqindje për veten e tyre. “Investimet në sistemin arsimor do të duhej të ishin një nga orientimet më të rëndësishme që duhet t’i bëhet buxhetit. Sepse, mjetet e buxhetit të Kosovës do të duhej të orientoheshin në ngritjen e cilësisë së arsimit, sepse kërkesa është jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe e vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës”, u shpreh ai. Sipas Grapcit, duhet që të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë.”Është bërë e nevojshme që të vazhdohen projektet e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi,si dihet botërisht, infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në BE”, vlerësoi ai.
Mungojnë analizat për efektet ekonomike të investimeve
Edhe deputetë të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, janë të mendimit se orientimi i mjeteve të buxhetit të Kosovës për vitin 2017 dhe 2018 ka mundur që të jetë i ndarë më mirë, sepse nuk është parë si mënyra më e mirë e mundshme. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Morina tha për “Kosova Sot ” se nga 2 miliardë eurot e planifikuara të buxhetit të vitit 2017, si dihet, 700 milionë euro janë parashikuar të shkojnë në investime kapitale, që është rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në këtë vit. “Në infrastrukturë do të vazhdojë financimi i autostradës, Prishtinë-Han i Elezit në nivele më të larta se fillimisht. Veç saj, në buxhetin e vitit 2017 është planifikuar edhe fillimi i autostradës për Gjilan. Po ashtu, është ndarë buxhet adekuat për rrugët rajonale për Mitrovicë, Pejë, për rrugën Komoran-DrenasSkenderaj, për Podujevë dhe rrugë të tjera të rëndësisë nacionale. Ndërkohë, për ndërtimin e rrugëve të reja janë ndarë 16 milionë euro me mbi 90 projekte që lidhin fshatrat dhe rajonet anembanë Kosovës”, sqaroi ai.
Ndërsa ishdeputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot” sederi më tani të gjitha qeveritë investimet më të mëdha kapitale i kanë bërë në asfaltimin e rrugëve dhe në infrastrukturë, si në kanalizime, ndërtime të objekteve shkollore,sportive dhe objekteve të tjera. “Asnjë nga qeveritë e deritashme nuk kanë bërë analiza se sa këto investime kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit, në zbutjen e papunësisë, sa kanë ndikuar objektet në përmirësimin dhe cilësinë e arsimit, po edhe analiza të tjera”, theksoi ai. “Është e qartë se vendi ynë ka pasur nevojë për rrugë, shkolla, kanalizime dhe objekte të tjera infrastrukturore, por këto ka pasur mundësi të bëhen edhe me kredi të buta nga vendet e BE -së dhe donatorëve të tjerë, dhe mjetet buxhetore të vendit të shfrytëzohen në investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ku do të kishte për të ndikuar në zvogëlimin e papunësisë dhe zhvillim të hovshëm të vendit “, thotë ish-deputeti Neziraj. “Kur të analizohet cilësia e rrugëve dhe objekteve, shihet se është bërë me cilësi të dobët, edhe pse kostoja e rrugëve dhe objekteve kanë qenë si të BE – së, cilësia është shumë e dobët dhe këtu lind dyshimi se këto investime në asfalt dhe objekte shkollore po bëhen që të përfitojnë njerëz të caktuar dhe grupe të caktuara interesi nga politika e pushteti. Rrugët e asfaltuara dhe objektet shkollore të ndërtuara po shihet se afati i tyre nuk po është më i gjatë se një mandat zgjedhor dhe kjo të lë të dyshosh se këto investime, si në nivelin lokal dhe atë qendror, po bëhen vetëm për qëllime elektorale, por edhe për përfitime në tenderë, sepse në asfalt dhe në ndërtime është më lehtë të keqpërdoren mjetet financiare të buxhetit të Republikës së Kosovës” vijoi më tej Neziraj. Sipas tij, Qeveria e re duhet të caktojë prioritet e qarta, se pas përfundimeve të këtyre rrugëve, që janë planifikuar nga qeveritë e kaluara, duhet që investimet të bëhen aty ku munden të sjellin hapje të vendeve të punës, investime në ndërrimin e strukturës së ekonomisë së vendit, e sidomos investime në prodhimtari, me qëllime që të ndryshojë bilanci tregtar dhe që të kemi eksport të mallrave tona.
(Kosova Sot)