Busavata kërkon rrugë e ujësjellës, në Berivojcë dështon debati
Kamenicë – Është mbajtur dëgjimi publik në Busavatë lidhur me planifikimin e buxhetit për vitet 2018-2020, derisa në Berivojcë ka dështuar të mbahet për shkak se nuk ka marrë pjesë asnjë qytetar.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa në bashkëpunim me Grupin e Grave filluan me mbajtjen e dëgjimeve publike nëpër lokalitete për planifikimin e buxhetit për vitet 2018-2020.
Në dëgjimin publik në fshatin Busavatë, edhe përkundër faktit se pjesëmarrja e qytetarëve nuk ishte e kënaqshme, drejtoresha për Buxhet dhe Financa Shejnaze Masurica prezantoi buxhetin e planifikuar për vitet 2018-2020, dhe si kërkesa me prioritet më të madh nga kryetari i këshillit lokal të Busavatës u paraqitën: Përmirësimi i rrugëve me zhavorr, Hapja e një pusi për ujësjellës, etj.
Po ashtu falënderime pati edhe në adresë të komunës për projektet që janë kryer dhe për ato të cilat janë duke u kryer, siç është fillimi i projektit të shkollës fillore, për të cilën kanë pasur nevojë banorët e këtij lokaliteti.
Ndërsa, sot më datë 21.08.2017 ishte planifikuar dëgjimi publik me qytetarët e fshatin Berivojcë, por edhe pse është paralajmëruar me kohë nuk mori pjesë asnjë qytetarë./rajonipress/


