Fundamenti

Bunjaku: Nuk do t’i imponohemi asnjë lojtari

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Në prag të lojës së ekipit kosovar me Senegalin në Gjenevë, shprehet për Albinfo.ch Albert Bunjaku, selektor i përfaqësueses së Kosovës, e cila, 100 për qind është e bazuar në futbollistë të diasporës.

Përfaqësuesja e Kosovës që momentalisht është 100 për qind e bazuar në futbollistë të diasporës do të luajë dy lojë ndërkombëtare, një në Kosovë dhe të dytën në Gjenevë, ku do ndeshet me kombëtaren e Senegalit.

Selektori i Kosovës, Albert Bunjaku, flet se lojtarët që janë më të mirët do të luajnë për kombëtaren dhe për te të gjithë që duan të luajnë për Kosovën janë kosovarë dhe aty nuk ka dallime. Ai gjithashtu flet për inkuadrimin e mundshëm të superlojtarëve të diasporës, si Xhaka dhe Shaqiri, si dhe si do të veprojë Federata e Futbollit të Kosovës në mbledhjen e lojtarëve në kombëtare.

Në Gjenevë kombëtarja e Kosovës do të ndeshet me Senegalin që ka lojtarë që kanë luajtur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe të cilët janë shumë të rrezikshëm.
Bunjaku, i cili thotë se është nisur për mundialin e ardhshëm, flet për albinfo.ch në këtë intervistë.

Albinfo.ch: Ju keni thënë se qëllimi juaj është kampionati i ardhshëm botëror?

Albert Bunjaku: Ky nuk është një vizion, por më tepër një cak. Ne nuk guxojmë të dyshojmë se mund të arrijmë. Për mua kjo është shumë normale dhe duhet të synojmë çdo ditë në këtë drejtim. Normalisht se është edhe pjesa diplomatike, por ne e kemi në mendje gjithmonë se është duke na u bërë e padrejtë që një popull është i izoluar prej sportit ndërkombëtar.

Albinfo.ch: Xhudo ka arritur anëtarësim ndërkombëtar me rezultatet e arritura? A mendon se edhe në futboll mund të arrihet kjo?

Albert Bunjaku: Në futboll është pak më vështirë, por normalisht që është e mundur. Futbolli është sport kolektiv dhe ka një ndikim tjetër, pasi është sporti më i popullarizuar në botë, me këtë normalisht që edhe ndikimi i futbollit do të jetë më i madh.

Albinfo.ch: Në lojën e fundit ekipi ka qenë i domuniar me lojtarë nga diaspora. Me këtë lojtarët kosovarë mbesin jashtë. E kam lexuar argumentin tuaj se edhe vendet e tjera përbëjnë ekipin nga lojtarët që luajnë në ligat e Evropës Perëndimore, mirëpo në rastin tonë kemi të bëjmë me lojtarë të bërë në Kosovë dhe të tillë të bërë jashtë Kosovës? A do të ndryshojë kjo apo do vazhdojë që përfaqësuesja e Kosovës të jetë e prodhuar jashtë?

Albert Bunjaku: Mendoj që krejt kjo nuk është e formuluar mirë. Që nga viti 2009, kur unë kam filluar të punoj si selektor i Kosovës, ne i kemi tubuar 218 lojtarë, prej tyre më shumë se 158 kanë qenë prej ligës së Kosovës, dhe në planprogramin tonë prioritet ka qenë liga e Kosovës. E unë mendoj se ne duhet të punojmë shumë për të rritur intensitetin e trajnimeve, kualitetin e trajnimeve që në të ardhmen të kemi sa më shumë lojtarë të ligës së Kosovës.

Mirëpo duhet t’i kthehemi realitetit. Aty ku po duam të luajmë është një nivel superior. Kemi të bëjmë me lojtarë që luajnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe Kupë Botërore. Ne duhet të përballemi me ta, e në këtë rrafsh kemi edhe prezantimin e shtetit, që është gjë shumë me rëndësi.

Kemi kaluar nëpër katër faza të seleksionimit. Faza e parë në vitin 2009 që ka qenë ajo e motivimit, pastaj në fazën e dytë nga viti 2010, kur kemi filluar të luajme lojë me klube të ndryshme, atëherë kemi pasur fazën e seleksionimit individual, ndërsa tash prej janarit 2014, kur kanë filluar lojët e reprezentacionit, ka filluar faza e konkurrencës.

UBT

Duhet ta pranojmë që lojtari më i mirë i mundshëm do të luajë. Nuk mund ta sjellim një lojtar në reprezentacion e ai të luajë me shpresën se e merr një ekip. Ata që vijnë në reprezentacion duhet ta meritojnë.

Për mua të gjithë lojtarët që duan të luajnë për Kosovën janë kosovarë.

Albinfo.ch: Çka i duhet ligës së kosovës që të krijojë më shumë lojtarë që do zënë vend në reprezentacion?

Albert Bunjaku: Më së pari ne duhet ta rrisimi sasinë e ushtrimeve. Pra, lojtarët shumë pak ushtrojnë, kur flasim për ata të moshës 15, 16-vjeçare. Numri i ushtrimeve është i kufizuar për shkak të infrastrukturës, e në shumë klube mungon programi për zhvillimin e talenteve, që është i domosdoshëm për të ardhmen.
Pastaj duhet ta rrisim edhe cilësinë e punës. Unë shpesh kur shkoj në Kosovë më përmendin se dikush është talent i ri, 20 ose 21-vjeçar. Nuk është talenti i ri 20, 21 vjeç, ne shohim 17 dhe 18-vjeçar duke luajtur në Premier Liga e Bundes Liga. Pse të mos kemi më shumë 15, 16, e 17-vjeçarë në superligë të Kosovës.
Reprezentacioni A i Kosovës duhet patjetër të bazohet në cilësi, ndërsa ato të grupmoshave edhe mund të ndërtohen ndryshe dhe mund të ketë hapësirë më shumë.

Albinfo.ch: Pasi FIFA realisht nuk e ka pranuar Kosovën, por u ka lejuar kombëtareve të tjera të luajnë me Kosovën. Në këtë rafsh a është diskutuar që lojtarët, si Xhaka e Shaqiri, të luajnë edhe për kombëtaren e Zvicrës, edhe për atë të Kosovës?

Albert Bunjaku: Ne tashmë vetëm sa kemi filluar të krijojmë një reprezentacion dhe gjatë kësaj rruge tregojmë se Kosova e ka një përparësi nga ekipi i tashëm, pasi kur të pranohet me të drejta të plota, të gjithë shqiptarët me prejardhje nga Kosova do të kenë të drejtë të zgjedhin përsëri. Kjo vlen për të gjithë lojtarët, pa marrë parasysh se ku janë.
Qëndrimi i Federatës dhe qëndrimi ynë është që lojtari vetë të vendosë, mos t’i imponohet. Faktori ynë kryesor është që ne jemi të përqendruar të krijojmë një shtab teknik profesional që secili lojtar që vjen të ketë lakmi të qëndrojë aty. Ajo është detyra jonë dhe besoj se jemi në rrugë të mirë.

Albinfo.ch: Liga e Kosovës ka gati dyfish më shumë ekipe se Liga e Zvicrës, a është diskutuar që të ulet ky numër, a ke propozuar ndonjëherë një gjë të tillë?

Albert Bunjaku: Federata i ka këshillat e veta teknike dhe Komitetin ekzekutiv që merr vendime. Unë mund ta them mendimin tim. Janë provuar metoda të ndryshme të ligës. Normalisht se sa më pak klube kemi (në ligën e parë) cilësia do të rritet.
Unë mednoj se më pak klube, më profesionale, është më mirë se më shumë klube, të cilat nuk i plotësojnë kushtet.
Ne e dimë se në Kosovë ka shumë nevojë për ndihma, por klubet nuk shuhen shkaku i krizës, por shkaku i keqmenaxhimit. Ne duhet të shikojmë mundësitë, nëse ke buxhet për elite, atëherë je në elite, nëse jo, atëherë nuk mund të jesh në elitë.

Albinfo.ch: Loja me Senegalin do luhet në Zvicër, mendimi juaj?

Albert Bunjaku:Ne do luajmë me Turqinë dhe Senegalin që janë dy superfuqi futbollistike. Ne që vetëm sa kemi filluar të ndërtojmë një përfaqësuese, takimi me dy ekipe të tillë është shumë pozitiv. Senegali nga aspekti individual ka lojtarë superiorë dhe ka lojtarë të nivelit më të lartë se Turqia. Ka lojtarë me shpejtësi, që është shumë i rëndësishëm në futbollin modern.
Do të jetë një ngjarje e mirë për ndërkombëtarizimin e sportit dhe në mes të Zvicrës do të tregojmë se populli i Kosovës, rinia e Kosovës merition të jetë pjesë e futbollit botëror.

Virtyt Gacaferi