Bulliqi insiston, Kosova ka humbur territor

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike po mban mbledhjen ku në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, raporton ‘Zëri.info’.
Shpejtim Bulliq kryetar i komisionit shtetëror për Demarkacionin me Malin e Zi tha se Komisioni nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të gjetur më shumë fakte pasi sipas tij për këtë janë bërë lëshime të shumta.
‘Puna e këtij Komisioni ka qenë e orientuar në tri drejtime”, ka sqaruar Bulliqi duke thënë se dokumentacioni është analizuar dhe pas kësaj kanë ardhur në disa përfundime.
E para që është esenciale sipas tij, është se komisioni ka kaluar kompetencat e tij duke i lejuar vetes ne përcaktimin e vijës kufitare pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.
Bulliqi ka thënë se gjatë negociatave janë prezantuar disa të dhëna nga ana e këtij komisioni që kanë dëshmuar se është humb territor, mirëpo ai shtoi se ende nuk e dinë nëse këto të dhëna nuk janë hequr ende nga tavolina e bisedimeve.
Ai tha se në bazë të analizave del që Kosova ka menaxhuar pjesën që sot mbetet diskutabile se a është pronë e Kosovës apo Malit të Zi.
“Është e pamundur që këto të dhëna t’i sqarojmë edhe për opinionin publik”, ka shtuar ai.
Bulliqi tha se ky Komision ka ardhur në përfundim se shumë objekte të ndryshme për periudha të tëra kohore në atë territor i ka menaxhuar Kosova.
‘Vijmë në përfundim që vija administrative nuk është identike me vijën kufitare që e ka prodhuar komisioni ynë shtetëror”, ka thënë Bulliqi.
Bulliqi po ashtu ka prezantuar disa pjesë të hartës me disa të dhëna. /ZERI