Bujar Nevzati i ka disa kërkesa ekstra për kryesuesen e Kuvendit
Gjilan – Bujar Nevzati këshilltar nga PDK-ja i ka shtruar disa pyetje në formë të kërkesave Valentina Bunjakut. Nevzati ka kërkuar listën e të punësuarve në kompanitë publike, listën e projekteve të realizuara gjatë vitit 2016, një njoftim zyrtar rreth aktakuzës së ngritur ndaj Lutfi Hazirit dhe të tjerëve, një përgjigje rreth incidentit në Zabelin e Sahit Agës dhe shqetësimet e banorëve të Uglarit e Velekincës, problemin e aktorëve dhe të teatrit, zvarritjen e rrugës Gjilan – Drini Market.
Bujar Nevzati tha për rajonipress se gjatë seancës së KPF-së, kërkova nga Kryesuesja që në seancën e ardhshme ta bije listën e të punësuarve në gjitha sektorët e Kuvendit Komunal e edhe në Kompanitë Higjiena dhe Hidromorava, t`i shohim ne dhe qytetarët se kush është punësuar për këto tri vite, a familjaret e udhëheqjes Komunale a qytetarët qe nuk kane asnjë të punësuar.
Pastaj kam kërkuar listën e projekteve të parapara dhe të realizuara për vitin 2016, dhe të na njoftojnë me cilësinë e punimeve. Kam kërkuar me na njoftue me projektin e lumit Mirusha, sepse qe tri vite nuk ka lëvizje fare.
Gjithashtu kam kërkuar, pse po zvarritet rruga Gjilan – Drini Market, sepse qytetarët që lëvizin në atë drejtim, banorët e asaj lagje dhe bizneset janë në hallë të madh.
Kam kërkuar, çka po ndodhë me aktorët e teatrit dhe stafin ndiçmes. Kam kërkuar, pse në shtëpinë e kulturës në Përlepnicë, nuk po i vazhdoni punët, a qe tri vite po gënjeni që do ta rregullojmë në pranverë, pastaj në vjeshtë e mandati ju shkoi, pa e bo asnjë punë.
Kam kërkuar që të na njoftoi me aktakuzat ndaj Kryetarit të Komunës, Drejtorit të Urbanizmit dhe zyrtarëve tjerë Komunal. Kam kërkuar me na njoftue, me incidentin në Zabelin e Sahit Agës, mes zyrtarëve Komunal dhe një banori të atjeshëm.
Kam ngrit shqetësimin e banorëve të Uglarit dhe Velekinces, lidhur me hapjen e varrezës për kafshët me sëmundje gungore. Pastaj lidhur me propozimin e Kryetarit të Komunës për ndryshimin e statutit të komunës. Ne si PDK e edhe unë si këshilltar e përshëndesim këtë propozim, sepse edhe para tri viteve ishim kundër këtij ndryshimi.
Mirëpo për me e votue, duhet të tregoi arsyen Kryetari, pse e patë ndryshuar dhe pse po i rikthen këto drejtori. Ne si PDK, jemi të bindur se Kryetari e ka ndryshuar, sepse gjatë fushatës zgjedhore ju ka premtuar ndërtime pa leje dhe pa e respektuar planin urbanistik (kjo shihet në tërë hapësirën e Komunës ) qytetarëve të Komunës e veçanërisht miqve dhe militantëve LDK-së. Dhe tash kur po i përfundon mandati, po mundohet prapë me i rikthye këto Drejtori tha Nevzati./rajonipress/


