Fundamenti

Bujanoc: Koalicioni joparimor, jopragmatik dhe jologjik

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Nexhmedin Saqipi – Zanafilla e përçarjeve shqiptare në Luginë të Preshevës daton qysh herët, por më e theksuar është ajo pas vitit 2002, kur për herë të parë në historinë e këtij rajoni spektri politik arriti të fitoj pushtetin lokal në Bujanoc dhe të jetë participues edhe në Medvegjë.

Lugina e Preshevës me dy pushtete e gjysmë lokale, arriti të faktorizohet dhe të sensibilizohet si në arenën vendore, po ashtu edhe ndërkombëtare. Ky sukses i korpusit politik shqiptar, nuk i shkonte për shtati Beogradit, i cili në forma të ndryshme arriti, që me një grusht pushtet t’i përçaj shqiptarët, duke i grupizuar e parcializuar në shumë parti.

Gjatë kësaj periudhe subjektet politike shqiptare, nuk e kishin vështirë të arrinin marrëveshje për qeverisje lokale dhe të merrnin pjesë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare, mirëpo krijimi i shumë partive, krijoi rrethana të tjera të disfavorshme për bashkëpunim të ndërsjellë.

Zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare në Luginë të Preshevës e arritën kulmin e ndasive partiake, sa u desh edhe Tirana, të intervenoj për një unitet të imponuar te klasa politike shqiptare, në mënyrë që të tejkalohen acarimet artificial në formimin e qeverisjes së re komunale.

Koalicioni

Për t’i ofruar shqiptarët e përçarë në luftën në pushtet Tirana zyrtare angazhoi Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, i cili nuk e pati edhe aq të lehtë t’i bëjë bashkë subjektet politike në Bujanoc, për të ndërtuar një koalicion gjithëpërfshirës shqiptar në qeverisjen e vendit.

Në shikim të parë Ministri Cakaj arriti t’i bëjë bashkë krerët politikë shqiptarë, sa për të arritur një Marrëveshje historike dhe për t’u reklamuar nëpër faqet mediatike, mirëpo në esencë përçarja patologjike shqiptare nuk u evitua.

Spektri politik shqiptar i Bujanocit ishte unik në Tiranë dhe Prishtinë, por jo edhe në Luginë, i cili vazhdonte me avazin e vjetër, duke vazhduar luftën e brendshme për pushtet, për të degraduar Marrëveshjen e imponuar dhe duke krijuar grupe të reja rebeluese përbrenda partive. Nga kjo marrëveshje, që ka bashkuar subjektet politike rreth një uniteti deklarativ, thjesht, ka rezultuar me ndarje të reja, të cilat nuk u binden drejtuesve të tyre dhe një koalicioni të tillë falso.

Një koalicioni joparimor, jopragmatik dhe jologjik, çfarë është ky për Bujanocin unik, po sjell telashe në qeverisjen lokale, duke ndarë spektrin politik në dy taborre, të cilat me fërkimet politikë, po u sjellin dëm proceseve demokratike dhe po shkaktojnë pasoja të papara për qytetarët.

Mospajtimi

Mospajtimet e trashëguara nga e kaluara e hidhur e partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës, tashmë kanë arritur një në shkallë, sa elektorati nuk po e fsheh zemërimin dhe zhgënjimin e vet, ndaj të zgjedhurve politikë.

Në orët e para të demokracisë pas shembjes së komunizmit, në Luginë të Preshevës funksioni vetëm dy parti politike dhe disa organizata joqeveritare, ngase aso kohe, kishin frikë njerëzit të merreshin me aktivitete politike. Po edhe kur ishin vetëm dy parti politike, mospajtimet dhe grindjet mes tyre nuk mungonin, e që nganjëherë shkonin edhe deri te ish presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, i cili me pjekurinë dhe maturinë politike arrinte t’i qetësonte.

Mobi Casa

Mospajtimet mes krerëve politikë të asaj kohe vinin zakonisht rreth qëndrimeve e të përbashkëta për të dalë, apo bojkotuar zgjedhjet parlamentare në Serbi, por jo edhe lokale ku ata e kishin interesin partiak.

Këto mospajtime erdhën më të theksuara pas viteve 2002, e sidomos pas përfundimit të konflikteve të armatosura dhe krijimit të Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, kur spektri politik shqiptar arriti të, që nga dy-tre parti të bëhen me dhjetëra sish. Kështu që vetëm nga Partia Për Veprim e Riza Halimit, u ndanë shumë krahë për të formuar Partinë Parlamentare, Bashkimi Demokratik i Luginës, Partia Demokratike Kombëtare, Unionin Demokratik Shqiptar, Lëvizjen e Progresit Demokratik, Partinë Demokratike, Alternativën për Ndryshim, ndërsa nga Partia Demokratike Shqiptare, po ashtu edhe dy-tre parti të tjera.

Beogradit zyrtar i shkonte për shtati formimi i kaq shumë partive shqiptare për t’i përçarë ata deri në ekstremitet dhe në këtë mënyrë për të krijuar mospajtime mes tyre, rreth projekteve me vlera shoqërore e kombëtare.

Rreziku

Në qoftë se vazhdohet edhe më tej me avazin e vjetër të përçarjeve shqiptare, të grupizuara në parti të shumta politike, mund të vij deri te një krizë më e thellë e organizimit dhe zhvillimit politik të tyre në Luginë të Preshevës.

Rreziku më i madh i ndasive politike po hetohet sidomos në periudhën e pandemisë, kur subjektet politike më shumë merren me premtime se sa me veprime konkrete se si t’i shpëtojnë qytetarët nga varfëria dhe virusi.

Kaëto parti për të marrë poena politik për zgjedhjet e radhës, formojnë Marrëveshje si kjo e Cakajt nga Shqipëria, për të siguruar pushtet lokal e qendror, a në anën tjetër elektorati i tyre po ikë për një jetë më të mirë, më të qetë dhe më prosperuese jashtë Luginës.

Lugina po zbrazet jo vetëm prej diskriminimit sistematik të Beogradi për pasivizimin e adresave, shlyerjen nga evidence e gjendjes civile, mosintegrimin etj, por edhe krerët e vetë institucionalë, të cilët më shumë merren me çështje globale se sa me problemet praktike me të cilat shqiptarët e kësaj Luginë përballen për çdo ditë.

Të mërzitur dhe të zhgënjyer me inatet dhe përçarjet e krerëve politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës, për veç qytetarëve një zemërim të papërmbajtur po e shprehin edhe drejtuesit e shoqërisë civile dhe mediave, të cilat nga spektri politik, injorohen dhe përbuzen.

Kjo klasë politike kur në kohët e vështira të demokracisë vepronin organizatat joqeveritare, krerët e tyre i quanin folkloristë, jo modernë, spiunë, madje edhe ekstremistë, kurse tani që janë ngrit në pushtet njerëzit, që kurrë nuk kanë pësuar nga ndonjë zullum shtetëror, paraqiten para opinionit me gojën plot patriotizëm. Këta patriotë me bateria, lëre që po u shkaktojnë dëm subjekteve të tyre, por edhe do ta zbrazin Luginën në heshtje, duke e kthyer Bujanocin në Medvegjë të dytë, ashtu siç mbetën shumë vendbanime shqiptare në rrethinën e Leskocit dhe Nishit.

Koalicionet do të ishin shumë më parimore, praktike dhe logjike, sikur ato të krijoheshin me qëllime të mira e të dala nga njerëzit e kësaj Lugine, të përmendur për pleqnarë e pajtimtarë me përvojë jetësore, se sa ato të vijnë të imponuara nga jashtë në stilin eja dreq e na ndreq, që do të shoqëroheshin me pasoja për qytetarët dhe të ardhmen e tyre politike./rajonipress/