Fundamenti

Buja u gëzohet arrestimeve në UP!

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Ramë Buja, ministër i Arsimit, ende zyrtarisht nuk është njoftuar nga rektori Ibrahim Gashi, lidhur me arrestimet e fundit në Universitetin e Prishtinës. Arrestimet e tilla, sipas Bujës, i kanë shqetësuar të gjithë dashamirësit e arsimit. Por, në anën tjetër, përveç shqetësimit, ka qenë edhe një dozë e gëzimit, për faktin se, sipas ministrit Buja, ka nisur të goditet abuzimi dhe shpërdorimi.

“Dhe nëse është kjo, atëherë edhe ata që e kanë ndërmend, ose që iu ka shkuar mendja ndonjëherë të bëjnë një gjë të tillë, do të stopohen dhe nuk do të bëjnë një gjë të tillë. Unë akoma nuk kam marrë informacion zyrtar nga Universiteti, se si ka ndodhur dhe ku ka ndodhur. Kam kërkuar që të takohem me rektorin, dhe ai të më sjell zyrtarisht informacione, se çfarë po ndodh në Universitetin Publik”, ka thënë Buja.

UBT

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, Muharrem Nitaj, kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së, ka thënë se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe menaxhmenti, janë duke e analizuar me shumë kujdes situatën e krijuar pas arrestimeve të disa personave në këtë institucion, me dyshimin se janë marrë me veprimtari të kundërligjshme. “Brenda kompetencave dhe kuadrit ligjor, jemi duke i shqyrtuar të gjitha masat e mundshme, ndaj të gjithë atyre, që në çfarëdo forme, janë përgjegjës për situatën e krijuar ose janë shkelës të drejtpërdrejtë të detyrave të punës. Udhëheqja e UP-së është e përcaktuar që t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj çështjeje”, ka thënë Nitaj…(Tribuna).