United Hospital

Bugaqku: Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 4 tetor, Kosova hyn në terren të paqartë kushtetues

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, vendi mund të përballet me një situatë të paqartë institucionale, pasi edhe afati gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së presidentit nga kryetari i Kuvendit do të ketë përfunduar.

Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online hulumtuesi i lartë i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku.

Sipas tij në një situatë të tillë do të nevojitej interpretim nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa dilemë mbetet edhe se kush do të kishte të drejtë ta dërgonte këtë çështje për interpretim.

Bugaqku në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Kushtetuta e Kosovës, përmes nenit 90, përcakton qartë rastet e mungesës së përkohshme dhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të presidentit kur posti mbetet vakant.

“Dispozita e nenit 90 të Kushtetutës së Kosovës flet për mungesën e përkohshme të presidentit. Aktualisht i përcakton situatat se kur mund të jetë kjo pozicion ose ky lloj funksioni vakant, qoftë në rastet kur të ketë paaftësi mjekësore apo në rastet kur e autorizon kryetarin e Kuvendit që me zëvendësu për arsye të tjera shëndetësore, si dhe në rastet tashmë të ditura kur jep dorëheqje, i skadon mandati, apo edhe shkarkohet nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe nga ai moment pozicioni i tillë konsiderohet që mbetet vakant”, ka deklaruar Bugaqku.

Ai ka sqaruar se në rastin kur posti i presidentit mbetet vakant, Kushtetuta ia jep kryetarit të Kuvendit mundësinë që të ushtrojë edhe detyrën e presidentit, por vetëm brenda një afati të përcaktuar.

“Sipas nenit 90 të Kushtetutës, ky lloj pozicioni mund të ushtrohet ose mund të funksionojë me ushtruesin e detyrës së presidentit post që mund ta bëjë vetëm kryetari i Kuvendit të Kosovës. Dhe Kushtetuta e ka bërë të qartë periudhën kohore se kur dhe deri në cilin afat kryetari i Kuvendit mund të qëndrojë në atë pozicion si ushtrues i detyrës së presidentit. Dhe atje është dispozita shumë e qartë. Dhe aty thuhet shumë qartë që posti i ushtruesit të detyrës së presidentit duhet të mbahet ose mund të mbahet nga kryetari i Kuvendit për një periudhë jo më të gjatë se sa 6 muaj”, është shprehur ai.

Bugaqku ka theksuar se afati gjashtëmujor llogaritet nga momenti kur posti i presidentit mbetet vakant dhe nuk ka më një president legjitim në detyrë.

HW

“Dhe kjo i i bie që periudha 6-mujore llogaritet nga momenti kur pozicioni i presidentit legjitim ka mbetur, ose posti i presidentit ka mbetur vakant. Pra, ka mbetur pa funksionarin legjitim në atë pozicion”, ka thënë Bugaqku.

Duke folur për situatën që gjendet Kosova, ai ka përmendur skadimin e mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani dhe afatin deri më 4 tetor, kur sipas tij kryetari i Kuvendit mund të vazhdojë ta ushtrojë edhe funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

“Në rastin konkret, meqenëse zonjës Osmani i ka skaduar mandati me datë 5 prill, i bie që deri më 4 tetor kushdo qoftë kryetar i Kuvendit mund ta mbajë funksionin edhe të ushtruesit të detyrës së presidentit. Ky është aktualisht edhe interpretimi që është, ose edhe sqarimi që është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht tek neni 90. Përderisa nuk ka ende vendim tjetër, po të themi ashtu, ose interpretim tjetër nga ana e Gjykatës Kushtetuese, kjo edhe mund të konsiderohet që është rrethana e vetme aktuale që e jep ose që e sqaron që deri më datë 5 tetor mund të kemi kryetar Kuvendi që mund ta mbajë edhe funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentit”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, sipas Bugaqkut, nëse deri në përfundimin e këtij afati nuk zgjidhet presidenti i ri, situata mund të bëhet e paqartë nga aspekti kushtetues dhe institucional.

“Në të kundërtën, në rast se cenohen, shkelen ose në rast se nuk respektohet dhe nuk zgjidhet presidenti i ri legjitim, atëherë hyjmë në një terren të paqartë dhe mbase edhe nevojitet interpretim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, këtij lloj interpretimi duhet me i shikuar pastaj se kush ka të drejtë me e dërgu. Sepse ju e dini që tashmë në rast që hipotetikisht Kuvendi konstituohet i bie që edhe dita e 60-të e zgjedhjes së presidentit të përfundojë po në ditën kur i skadon edhe afati 6-mujor kryetarit të Kuvendit që ta mbajë edhe funksionin e presidentit apo ushtruesit të presidentit”, ka thënë Bugaqku.

Ai ka vënë në dukje se përveç afatit gjashtëmujor, problematike mund të jetë edhe përputhja e tij me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke ngritur pikëpyetje edhe për institucionin që do të mund ta adresonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Prandaj, ka shumë rëndësi edhe me parë se kur do të përfundojë ky afat 60-ditor i mbajtjes së këtij funksioni, dhe e dyta është aty se kush do të jenë palët e autorizuara që mund ta dërgojnë rastin në Gjykaten Kushtetuese. Në rast se s’ka Qeveri legjitime dhe në rast se s’ka Parlament sepse nëse Kuvendi për 60 ditë nuk e zgjedh presidentin, ai Kuvend është i shpërndarë dhe rrjedhimisht nuk ekziston më legjislatura, nuk ekzistojnë më mandatet e deputetëve. Kryetari i Kuvendit s’ka të drejtë me referu çështje në Gjykatën Kushtetuese, dhe pastaj do të jemi në një dilemë ose në një rrethanë tejet të paqartë dhe nuk dihet se si do të sillemi në kuptimin institucional”, ka shtuar Bugaqku.

Më 4 prill, presidentja e atëhershme Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentit Albulena Haxhiut, pasi Kuvendi i Kosovës ishte shpërndarë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rrethanat kur partitë politike nuk kishin arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit të përcaktuar kushtetues./EO/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.