UBT

Britani, kosovari dënohet me burg për një rast unik

/ 3 minuta lexim

Gurim Pajova, 24-vjeçar, ka mbërritur kur ka qenë 14 vjeç nga Kosova në Britani, i fshehur në një maune, pas humbjes së babait dhe zhdukjes së nënës së tij.

Për të është kujdesur shteti anglez duke qenë se ai ishte minoren, deri sa mbërriti moshën madhore.
Në mars të vitit 2010, në një mbrëmje në qytetin Lincoln, ku pasi kishte pirë gjithë ditën në një PUB, ai i ofroi mikeshës së tij angleze Sarah Miles, 23-vjeçare, të bënin një xhiro me makinën e tij.

Ai i jepte makinës pa patentë angleze dhe pa siguracion. Për shkak të përmbysjes së makinës, duke qenë se ai kishte alkool në gjak tre herë e gjysmë më shumë se limiti i lejuar, shoqja e tij shtatzëne 6-muajshe, kaloi në hemorragji dhe pas 20 ditësh lindi parakohe një vajzë, e cila jetoi vetëm 25 minuta.

Pajova nuk ishte babai i foshnjës, por ishte shok me vajzën shtatzëne dhe vëllanë e saj, njofton gazeta “The Telegraph”, raporton Top Channel. Ai ishte dënuar edhe më herët për dhënien e makinës nën influencën e alkoolit dhe pa pasur patentë dhe siguracion makine.

Pajova pas padisë për t’u paraqitur në gjykatë, tenton të largohet me autobus drejt Francës, me një pasaportë falso sllovake.

Fidanishtja

Në gjykatë fillimisht pretendoi se nuk ishte ai shoferi në kohën e aksidentit, por më pas nuk dha dëshmi në gjyq. U dënuar me gjashtë vjet heqje lirie në një proces që sipas juristëve është unikal dhe i paprecedent në sistemin ligjor anglo-sakson.

Në Gjykatën e Kurorës Mbretërore në Lincoln, u tha se vdekja e foshnjës ishte shkaktuar si rezultat i drejtpërdrejtë i lindjes së parakohshme, në javën e 24-t të shtatzënisë. Sipas prokurorit të çështjes, Gordon Aspden, pa këtë aksident foshnja, e quajtur Nicole, nuk do të kishte ndërruar jetë, sikundër ndodhi.

Por sipas një argumentimi ligjor, shkruan tabloidi “The Daily Mail”, në rastet kur një nënë shtatzënë dhe fëmija i palindur vdesin, shoferi paditet vetëm si shkaktar për vdekjen e nënës, pasi foshnja nuk ka marrë frymë në mënyrë të pavarur.

Por në këtë rast kemi të bëjmë me një dallim të rëndësishëm, duke qenë se foshnja ka jetuar 25 minuta dhe nëna ka mbijetuar. Për këtë arsye juristet e këtij procesi gjyqësor ndaj kosovarit Pajova, besojnë se kanë të bëjnë me një rast penal, unik dhe të paprecedent në sistemin e drejtësisë britanike. /Telegrafi/