Brenda dy mandateve të Sokol Halitit janë ndërtuar dhe zgjeruar mbi 30 ura

Viti – Gjatë 8 viteve të fundit, në komunën e Vitisë janë ndërtuar 32 ura, si segmente që do të ndikojnë në lidhjen e shumë rrugëve, lokaliteteve e fushave bujqësore. Pos ndërtimit, i është kushtuar rëndësi e veçantë edhe zgjerimit të urave në të gjitha lokalitet e komunës së Vitisë.

Ndërtimi dhe zgjerimi i këtyre urave, është mirëpritur nga banorët, duke konsideruar si projekte mjaft të qëlluara e shumë të nevojshme, pasi do të lehtësojnë qarkullimin në komunikacion, por edhe shkurtimit të rrugëve, me që janë hapur edhe shumë rrugë të vjetra, të cilët që një kohë të gjatë nuk kanë qenë të qarkullueshme.

I pari i kësaj komune ka potencuar rëndësinë e realizimit të këtyre projekteve infrastrukturore duke thënë se ka qenë prioritet institucional, karshi nevojave të qytetarëve.
“Për këto dy mandate kemi ndërtuar 32 ura në gjithë territorin e komunës sonë. Natyrisht që kemi hapur edhe rrugë që nuk kanë qenë pothuajse fare të qarkullueshme me vite për mjetet motorike. Gjithashtu, kemi krijuar edhe shumë rrugë alternative që lidhin fshatrat e komunës së Vitisë njëra me tjetrin, por edhe komunën tonë me komunat fqinje si me Kaçanikun, Kllokotin e Gjilanin” u shpreh Haliti.

Ai po ashtu thekson se me ndërtimin e këtyre rrugëve dhe urave pos që janë krijuar rrugë alternative është shkurtuar distanca kohore nga një vendbanim në tjetrin, duke ndikuar pozitivisht edhe në uljen e shpenzimeve për derivate.

Përndryshe nga 32 ura të cilat janë ndërtuar në këtë periudhë kohore, disa janë ndërtuar nga fillimi dhe në disa të tjerë është bërë zgjerimi i tyre për të mundësuar qarkullimin sa më të mirë dhe të sigurt.

Haliti potencoi se komuna e Vitisë në bashkëpunim me partnerët e saj mbetet e përkushtuar të realizoj edhe në të ardhmen projekte të cilat janë në interes të gjithë qytetarëve vitias./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS