UBT

Brahimi do të vazhdojë ta përfaqësojë Zvicrën

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Mesfushori kosovar Mërgim Brahimi do të vazhdojë të luajë për përfaqësuesen Shpresa (U-21) të Zvicrës, ani pse ai muajin e kaluar kishte theksuar se nuk ka vendosur ende mes Zvicrës e Shqipërisë. Brahimi 20-vjeçar është ftuar nga U-21 e Zvicrës për dy ndeshjet miqësore kundër Gjermanisë që luhen më 22 e 26 mars.

Brahimi ka debutuar për Shpresat zvicerane më 6 shkurt në ndeshje kundër Sllovakisë. Ai ishte ftuar në të njëjtën kohë nga Shqipëria e Zvicra, por vendosi të luajë për “helvetikët”. Brahimi kishte thënë se ka vendosur të grumbullohet me Zvicrën për të njohur më mirë këtë përfaqësuese dhe se i duhet kohë për të marrë vendimin përfundimtar se për cilin vend do të luajë.

“Ky është vetëm një hap për të njohur ekipin e Zvicrës dhe nuk do të thotë asgjë kundër Shqipërisë”, kishte thënë Brahimi për gazetën.

Mobi Casa

Mërgim Brahimi në gusht të vitit 2011 ishte ftuar në të njëjtën kohë nga U-21 e Shqipërisë dhe U-20 e Zvicrës. Atë kohë kishte zgjedhur Shqipërinë. Për U-21 të Shqipërisë deri më tani ka luajtur tetë herë dhe ka shënuar një gol, ndërsa ka debutuar edhe në kombëtaren A të Shqipërisë në ndeshje miqësore kundër Iranit, në maj të vitit të kaluar. Pasi muajin e kaluar u grumbullua me Zvicrën, në Shqipëri thanë se dyert e kombëtares për Brahimin janë të mbyllura.

Brahimi luan për Grasshopperin që po udhëheq në Superligën e Zvicrës. U-21 e Zvicrës ka ftuar edhe Arlind Ajetin, Berat Gjimshitin, Pajtim Kasamin e Hekuran Kryeziun.(koha)