UBT

“Botimet KOHA” rikthen kryeveprën e poetit Ali Podrimja

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë – Poeti emblematik shqiptar, Ali Podrimja, më 28 gusht (sot) do të mbushte 70 vjet. Kryevepra e tij “Lum Lumi”, ka 30 vjet që kur u botua për herë të parë, e bëri jehonë të madhe. Në ditëlindjen e poetit me nam, “Botimet KOHA” ka zgjedhur që të ribotojë kryeveprën e mjeshtrit të fjalës së shkruar.

Te “Lum Lumi”, Podrimja shfaq dhimbjen për humbjen e të birit të tij nga një sëmundje e pashërueshme, për t’i dhënë kësaj ndjenje përmasa universale, përmes poezisë së tij. Të gjitha të hyrat që do të arkëtohen nga shitja e këtij edicioni të veçantë do t’i dhurohen fondacionit “Ndihmë Fëmijëve me Kancer”, që është iniciativë e prindërve me qëllim të përkrahjes së stafit të Repartit Hematologjik -Onkologjik në Klinikën Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Dy mijë kopje të librit do të dalin në treg me çmim prej 5 eurosh, në të gjitha pikat e shitjes së “Kohës Ditore”.

Ilir Gorani, drejtor ekzekutiv i këtij fondacioni, ka mirëpritur iniciativën e “Grupit KOHA”, pasi mendon se kjo do të plotësojë fondet për aktivitetet e tyre në forcimin e shërbimit publik të pediatrisë në Kosovë.

“Me këto mjete që do të mblidhen do të na mundësohet ta vazhdojmë edhe për një kohë bërjen falas të analizës ‘Flowcytometry’ për diagnostikim të hershëm të leukemisë”, ka thënë Gorani. Kjo analizë bëhet në laboratorin që ky fondacion ka krijuar përmes donacioneve të mbledhura më parë nga disa donatorë. “Me diagnostikim të hershëm mundësohet që trajtimi i fëmijëve të bëhet edhe në Kosovë, duke kursyer mjete të mëdha si të familjeve ashtu edhe të buxhetit të Kosovës”, ka thënë Gorani.

Ai ka marrë shembull qytetin e Grazit të Austrisë, ku thotë se shërbimi onkologjik në “Kinderklinik” të Universitetit të Grazit është zhvilluar njësoj, falë donacioneve.

“Shpresojmë që edhe kompanitë e tjera do të sensibilizohen dhe duke u njohur me aktivitetet tona edhe përmes këtij rasti do të gjejnë formën për t’iu bashkuar përkrahjes se aktiviteteve tona”, ka shtuar Gojani.

Gazetari Zenun Çelaj, mik i afërt me poetin Podrimja, ka thënë se është një gjest që para se t’i kujtohej “Grupit KOHA” do të duhej ta bënin institucionet e shtetit.

“Është një gjest dorëhapur, me një investim jo fortë të vogël. Është një punë e madhe që bëhet në ditëlindjen e tij, pikërisht me kryeveprën e personalitetit të madh të kombit”, ka thënë Çelaj, në emër të “Grupit KOHA”. “Ky është modeli që duhet të merret për nderimin e personaliteteve që e nderojnë kombin”, ka shtuar ai.

Çelaj ka thënë se është mëkat se si Ali Podrimja është i vetmi nga shkrimtarët e mëdhenj të Kosovës, të cilit nuk i është botuar kompleti i veprave. Podrimja ka më shumë se 30 libra të shkruar, e është i përkthyer në më shumë se 20 gjuhë të ndryshme të botës, që e bënë atë poetin më të përkthyer shqiptar.

UBT

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të jetë nikoqir i promovimit të kësaj vepre. Me fillim në orën 12:00, aty do të flasin miqtë e ngushtë dhe familjarë të Podrimjes. Akademik Rexhep Ferri, i cili poetin e njeh që nga bankat e shkollës fillore në Gjakovë, do të flasë për fëmijërinë dhe miqësinë e tij të gjatë më poetin me nam, ndërsa akademik Mehmet Krajës do t’i takojë të flas për veprën “Lum Lumi”.

“Do të flas për kryeveprën “Lum Lumi”, për atë që përmban ajo, dhe për ‘fshehtësinë’, ta quaj kushtimisht pse kjo vepër është ndër më të mirat në letërsinë shqipe, ku qëndron vlera e saj”, ka thënë akademik Kraja.

Nipi i poetit, Gent Salihu, do të lexojë poezinë e fundit të poetit Podrimja, “Fustani i verdhë”, e cila nuk ka më shumë se 3 strofa.

“Mu duk më interesant të lexoj atë se sa të flas diçka. Është folur për këtë poezi, por nuk e ka parë askush. E gjeta në bllokun e tij, që e ka pasur me vete në Francë”, ka thënë Salihu.

Akademik Rexhep Ferri, thotë se qysh tash ka nisur t’i mungojë shumë miku i tij i vjetër. Ai shprehet se nuk e ka pasur aspak të lehtë që të shkruajë për mikun e tij të moçëm Ali Podrimja. E këtë e ka arsyetuar me tri fjali.

“Ndoshta pse shkoi e nuk e kemi njohur sa duhet, se sfidat e poezisë që i kanë munguar dhe i mungojnë poezisë shqipe, Aliu ka ditur t’i tejkalojë me përkushtim dhe se nuk e di se sa e kemi kuptuar atë ne të tjerët”, ka thënë akademik Ferri.

Sipas tij, shpeshherë, jeta e poetit Podrimja është vlerësuar pak a shumë përmes krijimtarisë së tij.

“Por krijimtaria e Aliut nuk ka qenë kopjim i natyrës, por krijim i saj. Këtë boshllëk mes artit dhe jetës së përditshme të Ali Podrimjes, ne nuk e njohim. Ndonjëherë mundohemi ta kuptojmë se jeta e viteve ’50 dhe 60 e shekullit të kaluar nuk ishte edhe aq e lehtë, sidomos për ata krijues që përmes poezisë kanë shprehur pakënaqësitë e veta”, ka thënë akademik Ferri.

Ali Podrimja u gjet i vdekur të shtunën e 21 korrikut të këtij viti, në një pyll rreth 4 kilometra larg qendrës së qytetit të qetë e të vogël në jug të Francës, Lodeve. Aty po merrte pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”, ku po përfaqësonte poezinë shqipe. Kishte humbur kontaktet me miqtë e familjarët në Kosovë dhe me organizatorët e Festivalit në Francë, tri ditë para se të gjendej trupi i tij i pajetë, të mërkurën e 18 korrikut. Raporti i autopsisë së tij, i kryer nga Klinika mjekoligjore në Montepelliere, ka treguar se vdekja e poetit kosovar me nam ka ardhur natyrshëm. Poeti i njohur kosovar është varrosur më 26 korrik, me nderime të larta në varrezat e Prishtinës.