Botërori 2014, objektiv i Shaqirit

Xherdan Shaqiri i ka idetë e qarta me Kombëtaren e Zvicrës. Mesfushori kosovar synon që me helvetikët ta sigurojë një vend që çon në Botërorin ‘Brazili 2014’, i cili mbahet pas dy vjetësh. 20-vjeçari insiston se përvoja që do ta bëjë në Bayern Munich, ku u transferua gjatë kësaj vere, do ta ndihmojë në arritjen e objektivave me ekipin e Ottmar Hitzfeldit.
“Kur transferohesh në një klub të madh, konsiderohesh si lojtar që ke diçka më shumë. Logjikisht, dëshiroj të jem si një lider në fushë. Natyrisht, dëshiroj t’i ndihmoj lojtarët e rinj. Prandaj, dua të kontribuoj që të kualifikohemi në Botërorin e Brazilit”, deklaroi Shaqiri për magazinën zvicerane, Blick.
Futbollisti gjilanas ka folur edhe për eksperiencën në Gjermani. Ai thotë se konkurrenca e fortë me lojtarët si Ribery, Robben, Muller e Kroos do ta ndihmojë atë që të bëhet edhe më i fortë. Për Shaqirin nuk ka rëndësi se në cilin krah luan, pasi që për të, më me rëndësi është që të ketë sa më shumë minuta në këmbët e tij.