“Bosët” vendosin për Kryesinë!
Sekretari i përgjithshëm dhe anëtarët e rinj të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk do të zgjidhen as gjatë javës që po vjen, ndërsa pas zgjedhjes së tyre do të hapet “dera” për zgjedhjen e nënkryetarëve, me ç’rast përfundon procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti.
Statuti i partisë e përcakton se pas zgjedhjes së njëqind e pesëdhjetë e katër anëtarëve të Këshillit Drejtues, duhet të mblidhen anëtarët e këtij organi, të cilët me votat e tyre do ta zgjedhin fillimisht sekretarin e përgjithshëm, e pastaj edhe anëtarët e kryesisë. E pas përfundimit të këtyre dy proceseve, kryetari i partisë, Hashim Thaçi, do të zgjedhë zëvendësit e tij.
Javën që po e lëmë pas Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin e gjashtë zgjedhor, gjatë së cilit janë zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues. Por, për dallim nga përbërja paraprake, pesëshja e parë më e votuar ka ndryshuar pothuajse tërësisht përbërjen.
Dy figurat kyçe të PDK-së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, që njihen si kritikë të ashpër të kryetarit të partisë, Thaçit, nuk janë në këtë grup. Derisa Limaj është radhitur i dhjeti në listën e të votuarve për anëtar të Këshillit Drejtues, Krasniqi është i tridhjetegjashti.
Faktin se organet e reja të partisë nuk do të mund të zgjidhen gjatë javës së parë të shkurtit e ka pohuar vetë koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, sipas të cilit, janë edhe disa procese që duhet të përfundojnë, pastaj të zgjidhet sekretari, anëtarët e kryesisë dhe nënkryetarët.(zeri)


