RCCOLA

Borrell thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi ka mbetur pezull, shpreson se do të zbatohet

/ 3 minuta lexim

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Kosova dhe Serbia ec paralelisht me integrimin e tyre në Bashkimin Europian.

Ai në konferencën e sotme për media e potencoi se zbatimi i kësaj marrëveshje, për të cilën tha se ishte vështirë për t’u arritur, “fatkeqësisht” ka mbetur pezull, raporton Gazeta Express.

Borrell tha se për të dyja, Kosovën dhe Serbinë, zgjerimi dhe progresi në dialogun e lehtësuar europian drejt normalizimit të marrëdhënieve “duhet të ecin paralelisht”.

“Nuk mund të bësh diçka pa e bërë tjetrën”.

Progresi drejt Bashkimit Europian dhe zgjidhjet në dialog janë në varësi dhe ndërveprim të ndërsjellë, tha ai dhe tha se kjo kërkon përpjekje.

“Dhe shpresoj që Marrëveshja e Ohrit, e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur do të zbatohet dhe shënon rrugën drejt normalizimit dhe anëtarësimit në BE”.

Në fillim ai theksoi punët që janë bërë në raport me Kosovën dhe Serbinë në dialog.

Hidromorava

“Shumë punë [është bërë]”.

“E zgjidhëm çështjen e targave me njohjen reciproke nga Kosova dhe Serbia. Patëm sukses për dokumentet hyrëse/dalëse që më në fund qytetarët të lëvizin nga njëra-tjetra. Arritje të rëndësishme që nuk janë të lehta”, tha Borrell, derisa përmendi edhe çështjen e energjisë në veri të vendit, për të cilën tha se u zgjidh pas kaq vitesh.

Në fillim ai përmendi edhe rreshtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me politikën e jashtme të sigurisë të Bashkimit Europian.

Ai tha se s’mund të mbash lidhje me Rusinë dhe të bëhesh vend anëtar i BE-së – një aludim që u duk për Serbinë.

Më pas Borrell përmendi vendet që kanë arritur 100% përshtatje të politikës dhe për Kosovën tha se këtë e ka bërë vullnetarisht.

“Dhe ju thjesht s’mund të mbani lidhje me Rusinë ose të provoni të bëni biznes si zakonisht dhe të prisni që vendi yt të bëhet pjesë e BE-së. Është njëra apo tjetra. Ndër vite kemi parë rreshtim të politikës sonë të jashtme, është indikacioni më i rëndësishëm i kandidatëve që ndajnë vërtet vlerat dhe orientimet politike. Disa nga partnerët tonë janë plotësisht të rreshtuar me politikën tonë të jashtme të sigurisë. Mund të përmendi Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, e cila është duke u rreshtuar vullnetarisht”.

Ndërkaq, për Moldavinë dhe Ukrainën ai ka thënë se në mënyrë domethënëse janë duke i përmirësuar.