Hidromorava

Bombë e kurdisur

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Ngjarjet e fundit në Mitrovicë dëshmuan edhe njëherë se veriu i vendit është bombë e kurdisur që mund të shpërthejë edhe me provokimin apo lëvizjen më të vogël.

Ky shpërthim do t’i konvenonte Serbisë, e cila vazhdimisht deklarohet, në Kombe të Bashkuara dhe forume të tjera, se në Kosovë nuk ka siguri për serbët dhe se Serbia, me ndërhyrjet e saj në veri të vendit, po i mbron serbët që jetojnë në Kosovë. Përderisa disa ‘protestues’ në jug të qytetit të Mitrovicës sulmonin EULEX-in e gazetarët e medieve tona, në veri serbët duket sikur festonin se edhe këtë radhë ia arritën qëllimit: që ata të duken viktima, ndërkaq shqiptarët të duken agresorë.

Pasi panë se çfarë po ndodhte në Mitrovicë, shumë qytetarë filluan të brengosen se mos po përsëritet skenari i vitit 2004. Dhe për çudi, njëjtë sikur në vitin 2004, nuk dihet se kush e provokoi dhunën dje, dhe kush i shtyri ata provokues dhune që ta bëjnë një gjë të tillë duke e ditur dëmin që mund t’i shkaktojnë me këto veprime imazhit ndërkombëtar të vendit, por edhe atyre pak shqiptarëve që kanë mbetur në veri.

Ditën e nesërme, disa nga organizatorët e protestave deklaruan se protesta që ata organizuan kishte filluar dhe përfunduar e qetë, por një grup tjetër njerëzish që nuk ishin pjesë e protestës së organizuar kishin filluar sulmet ndaj policisë, duke djegur vetura e madje duke sulmuar edhe qytetarë. Se kush i organizoi dhe nxiti këto grupe të dhunshme, është çështje që duhet urgjentisht të hetohet nga organet e rendit.

UBT

Edhe këtë radhë, serbët dëshmuan dinakërinë e tyre, sepse për dallim prej barrikadave me rërë e gurë të vendosura në vitin 2011, të cilat i kritikonin të gjithë, barrikada e vendosur këtë radhe u quajt ‘Park i Paqes’, edhe pse ura u mbush me vazo të larta betoni që sërish kanë funksionin e njëjtë, pra barrikadimin dhe ndarjen e qytetit. Përsëri, mund të harrojmë për liri të lëvizjes, edhe pse Hashim Thaçi e Edita Tahiri do të vazhdojnë të krekosen se si nëpërmjet dialogut me Serbinë kanë integruar veriun. Fatkeqësisht, ajo që është më esencialja, pra liria e lëvizjes, mbetet tërësisht e parealizuar, sepse nuk ka shqiptarë që janë kthyer në veri, por vetëm raste të kundërta, pra të tillë që e kanë lëshuar veriun pas 15 vitesh të qëndrimit atje tërësisht të pambrojtur dhe pa kujdes institucional.

Institucionet e sigurisë, të stërmbushura me militantë partiakë dhe ku përgjegjshmëria ka rënë në nivelin më të ulët falë padrejtësive dhe nepotizmit që ndodh në to, janë të paafta për të ofruar siguri për qytetarët e të dy anëve të lumit Ibër. Në këto rrethana, veriu i Kosovës po shndërrohet në një konflikt të ngrirë, i cili, njëjtë sikur konfliktet e ngrira të shkaktuara nga Rusia nëpër shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, mund të përshkallëzohet në përmasa shqetësuese.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)