Bomba turke: Shaqiri te Galatasaray!

Ylli kosovar i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri mund të përfundojë te gjigandi turk, Galatasaray. Lajmin për një transferim të mundshëm të ‘Shaqës’ te skuadra nga Stambolli e kanë bërë publike mediat turke. Rreth këtij lajmi ka folur edhe vëllai i Xherdanit, Erdini që njëherësh është edhe menaxher i tij. Ai ka theksuare theksuar se kanë dëgjuar në media për një transferim të mundshëm, mirëpo nuk ka asgjë konkrete sa i përket këtij lajmi.
“Kemi dëgjuar se në media është shkruar rreth një kalimi të Xherdanit në Galatasaray, por një gjë e tillë nuk ekziston. Me ne askush nuk ka biseduar. Vëllai im nuk ka asnjë problem në Bayern dhe është i lumtur në Munih. Askush nga ekipi i Galatasarayt nuk ka kontaktuar me mua”, tha Erdini për mediat turke. “Në planet tona ekziston vetëm vazhdimi i punës me Bayernin. Aktualisht një plan apo opsion tjetër nuk ekziston. Ju e dini se vitin e kaluar, gjatë dimrit kemi marrë ofertë nga Galatasaray. Atë kohë kishim bisedime të nxehta, por që marrëveshje nuk kishte”, theksoi tutje vëllai i Xherdanit.
Ofrojnë 15 milionë për ‘Shaqën’
Lojërat e mira të Xherdanit ka bërë që çmimi i tij të ngritët për tre milionë euro, pra 15 milionë euro, aq sa Galatasaray është e gatshme të ofrojë për të. ‘Verdhekuqtë’, dëshirojnë lojtarin huazim nga Bayerni për një sezon, me mundësi blerje për 15 milionë euro një vit më vonë. Zyrtarët e Bayernit nuk janë prononcuar për një marrëveshje të tillë me gjigantin turk.