UBT

Blerja e kohës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Opinioni publik në këto ditë të nxehta dhe të pushimit po ballafaqohet me deklarime të zyrtarëve të lartë të PDK-së të cilët nuk ndalen së ëndërruari – gjatë ditës – për mundësinë e krijimit të numrave në Kuvend. Këto klithma të fundit që po i jep kjo parti tregojnë për një realitet të cilin e kanë krijuar vetë PDK-ja (pra realitet të refuzimit nga të tjerët) si shkak i keqqeverisjes ekstreme dhe humbjes së besueshmërisë nga partitë tjera politike.

Refuzimi i LDK-së, por edhe i partive të tjera, për të bashkëqeverisur me PDK-në është parimor dhe nuk bazohet në inate dhe në inercione të situatave politike. LDK asnjëherë nuk ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partitë parlamentare, por ky bashkëpunim me establishmentin aktual politik të PDK-së është absolutisht i pamundur.

Në një situatë të tillë politike, ku PDK nuk ka mundësi për të bërë 61 vota në Kuvend, kjo parti po tenton të krijojë destabilitet institucional përmes opsionit të zgjedhjeve të reja të cilat nuk mbështeten nga thuajse asnjë parti parlamentare e as nga komuniteti ndërkombëtar.

Në zgjedhjet e fundit, qytetarët kanë bërë detyrën e tyre dhe përmes votës së tyre kanë përforcuar shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike; kanë zgjedhur modelin e sistemit politik dhe po ashtu kanë zgjedhur përfaqësuesit të cilët në emër të tyre do të udhëheqin me shtetin dhe shoqërinë. Dhe ata që do të udhëheqin, si në çdo vend tjetër, duhet ta kenë shumicën. Dhe këtë shumicë PDK nuk do të mund ta ketë në këtë legjislaturë, pavarësisht se sa mund të blejnë kohë duke zvarritur ndërtimin e institucioneve.

Ironia tjetër e kësaj partie është thirrja e disa zyrtarëve të lartë të PDK-së, por edhe të disa pseudo-analistëve të saj kundër bashkëpunimit me Listën Serbe. A nuk ishte pikërisht PDK ajo e cila këmbëngulte për vazhdimin me çdo kusht të vendeve të rezervuara dhe atyre të garantuara për minoritetin serb, apo kompromiset tjera të dhimbshme që kjo parti bëri me qeverinë në Beograd për mosshtrirje dhe mosfunksionalizim të institucioneve të shtetit të Kosovës jo vetëm në veri por edhe në jug të lumit Ibër? Uria për pushtet dhe mungesa absolute e parimeve e bënë PDK-në parti e cila ishte në gjendje të bënte koalicion me këdo (madje edhe me ato që avokojnë ekstremizëm) vetëm e vetëm që ta ruajë pushtetin.

Hidromorava

Prandaj është paradoksale që në sistemin aktual politik të Kosovës të bëhen kalkulime të tilla për ose kundër bashkëpunimit me komunitetet joshumicë kur dihet mirë se çka na obligon Kushtetuta sa i përket pjesëmarrjes së tyre si në Qeveri si dhe në institucione të tjera shtetërore.

Krejt në fund, PDK doli nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar me mbi 20 mijë vota më pak dhe humbi tri komuna të mëdha; Gjilanin, Mitrovicën dhe Ferizajn. PDK pësoi rënie kumulative të votës edhe gjatë zgjedhjeve të qershorit dhe nëse marrim për bazë numrin e votave te partnerëve të tyre të koalicionit, PDK si e vetme, nuk do të fitonte më shumë se 30 mandate në Kuvend. Në një situatë të tillë, shkuarja në zgjedhje të parakohshme jo vetëm që nuk do të prodhonte një situatë të re politike, por ajo do të ishte katastrofale për imazhin dhe të ardhmen e vendit.

Njëjtë si edhe në të kaluarën, PDK nuk brengoset shumë as për të parën e as për të dytën, sepse në të dyja situatat kemi të bëjmë me interes shtetëror dhe interes të qytetarëve dhe jo me interes personal. Blerja e kohës, që ata tentuan ta bëjnë duke dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, është e kotë, sepse nuk do t’ua ndryshojë mendjen partive politike për mosbashkëpunim me PDK-në, sepse për dallim prej kësaj të fundit, ne i respektojmë marrëveshjet.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)