UBT

Blerina Kllokoqi Rugova: 2013-ta, vit i sfidave

/ 7 minuta lexim

Dizenjatorja kosovare, Blerina Rugova Kllokoqi, ka shënuar sukses përgjatë vitit 2013, me prezantime të ndryshme të ideve të saja në brendin e saj tashmë të njohur BKR. Ndërkaq, për vitin tjetër ajo synon edhe një risi. Brendi saj për klientelën e saj do të ofrojë edhe një brend të ri, atë urban, të cilin do ta sjell në muajin shkurt, dhe që është titulluar “Unë e dua vendin tim”. Përmes këtij brendi, klientët do të kenë mundësinë që në fustane të kenë pjesë të bukura të Kosovës, të gjitha këto, nëpërmjet një printimi kualitativ.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ky vit që po e mbyllim shënoi edhe pesë vjetorin e ekzistimit të BKR-së, nëse kthehesh në kohë, sa i vështirë ka qenë rrugëtimi deri këtu?

Blerina Kllokoqi Rugova: Secili person i ka pikësynimet e veta se ku dëshiron të arrijë gjatë jetës së tij. Mendoj që për këtë pesëvjetor, më është forcuar edhe më karakteri, duke pas parasysh se kam pas punë me njerëz që dallohen për nga karakteri i tyre i fortë, jam forcuar shumë dhe kam kaluar shumë sfida. Ndoshta mund ta quaj këtë vit, si vit sfidues.

KultPlus: Ju tashmë e keni krijuar stilin e BKR-së, identifikimi me stil nuk është bash i lehtë, do ta përforconi edhe më këtë stil apo jeni në kërkim të risive?
Blerina Kllokoqi Rugova: Arritja më e madhe e një dizajneri është kur të tjerët fillojnë ta njohin punën e e prezantuar pa i treguar se të cilit brend janë. Unë mendoj se e kam arritur kulminacionin në karrierën time prej dizenjatores, pasi që shumica e klientëve të mi, i njohin fustanet e mi, dhe kjo më dallon nga dizenjatorët e tjerë në Kosovë. Dhe për këtë fakt, BKR ka me qenë i njëjti brend edhe pas 100 viteve, me bel të theksuar, dhe jo shumë i ekspozuar në detaje.

KultPlus: Vazhdimisht po e përmendi edhe në 100 vitet e ardhshme, që lë të kuptohet se po besoni shumë në jetëgjatësinë e brendit BKR. Sa besoni në të vërtetë në këtë?

Blerina Kllokoqi Rugova: Unë nuk e di sa do të jetojë, por brendi im gjithqysh, edhe 10 mijë vjet, natyrisht që ka me pas faza të krizave, por që nuk do të lejoj që të më mposhtin. Besoj dhe shpresoj me qenë sa më jetëgjatë ky brend.

KultPlus: Po për disenjatorët konkurrentë, sa dallojnë nga njëri tjetri për nga stilet?

Blerina Kllokoqi Rugova: Krejt janë të mirë. Unë personalisht me të gjithë i kam raportet e mira. Fluturën e kam një prej mikeshave të mija më të mira, njëjtë edhe me dizenjatorët e tjerë. Secili e ka gjetur mënyrën e vetë në treg, por problemi më i madh është te ndërtimi i stilit, dhe për të arritur këtë duhet mos lejimi i ndërhyrjes së klientëve në stilin e një brendi. Te unë sikur tash por edhe në 100 vitet e ardhshme klientët nuk mund të ma imponojë idenë në ndryshim të stilit.

KultPlus: Flasim pak me syrin e dizenjatores, si vishet populli shqiptarë?

RCCOLA

Blerina Kllokoqi Rugova: Sa më shumë që përcillen televizionet, dhe sa më shumë që po del populli jashtë vendit, aq më shumë po vetëdijesohen. Unë mendoj që me veshje jemi shumë më përpara se sa vendet e rajonit, me qëndrim, me dukje, kemi bërë revolucion shumë të madh, duke pas parasysh se jemi popull i dalë nga lufta dhe kemi pas sfida të mëdha në jetë. Kemi pas edhe të kaluarën tonë që nuk na ka lënë të depërtojmë. Kemi ndryshuar shumë mirë, ndoshta edhe prezenca ndërkombëtare e ka rolin e vet, prezenca e brendeve evropiane në vendin tonë, dhe shumë detaje tjera. Ne si popull definitivisht kemi shumë shije.

KultPlus: Po figurat publike pa i dalluar në gjini, si duken?

Blerina Kllokoqi Rugova: Nëse ndalem me emra do të dal subjektive, pasi që shumica e fytyrave publike vishen nga brendi BKR. Po mendoj që vishen shumë bukur. Por atë që e kisha rekomanduar për ata që nuk kanë ndonjë stilist, patjetër se duhet ta bëjnë, rast konkret kemi zgjedhjet e fundit në Kosovë, ku kam parë femra që kanë garuar nëpër komuna, dhe iu ka munguar veshja e duhur, sikurse që iu ka munguar edhe kombinimi mes flokëve dhe veshjes.

KultPlus: Po me nivel ndërkombëtarë, ku janë disenjatorët kosovarë?

Blerina Kllokoqi Rugova: Jemi afër. Shumica e disenjatorëve kanë bërë punë të madhe, duke pas parasysh edhe disa prej tyre që kanë përfunduar shkollimin në Evropë e më gjerë. Po kreativiteti definitivisht është me të lindur, por shkollimi e plotëson më pas.

KultPlus: Duke ditur për precizitetin e brendit, patjetër tashmë e keni planifikuar edhe vitin 2014. Çka më konkretisht?

Blerina Kllokoqi Rugova: Në muajin shkurt do të bëjmë hapjen e brendit të ri në kuadër të BKR-së, që është brend urban, brend i përditshëm. Brend krejt ndryshe prej kësaj që kam, ky i tanishmi është i fustaneve të veçantë, që janë me punim dore, kurse brendi tjetër do të jetë për fustane të përditshëm, për sheti. Është një brend që do të punohet me printim. Dhe ky brend do të jetë i pari në rajon, pasi që këtë lloj dizajni e punojnë vetëm shtëpitë e mëdha të botës. Por edhe ky brend do të jetë në stilin e BKR-së, pasi që brendi im asnjëherë nuk del prej stilit, do të jetë shumë klasik edhe urban, me linja të qarta dhe me detaje më të theksuara.

KultPlus: Më konkretisht çka është linjë e printuar?
Blerina Kllokoqi Rugova: Është punë që materiali printohet me diçka të përzgjedhur. Në rastin konkret kemi disa fotografi nga pamje të ndryshme të Kosovës dhe e kam quajtur këtë koleksion “Unë e dua vendin tim”, është koleksion që e kemi marrë prej krejt qyteteve të Kosovës dhe i kemi printuar dhe i kemi nxjerrë në fustan, është i printuar në kualitet të lartë, dhe fustani është tamam me një peizazh natyral. Njëherë për njëherë e kemi marrë shumicën e Prishtinës, ku e kam nxjerrë në fustan edhe objektin e Qeverisë së Kosovës. Në fakt për hapje të këtij brendi e kemi nis me fotografi të vjeshtës, dhe e kemi marr vjeshtën në Prishtinë, kurse, kur do të dal në shitje koleksioni, do të dalë pranverë-verë, ku kanë me qenë disa nga peizazhet, të cilat të vënë në mëdyshje nëse janë të Kosovës apo të vendeve më turistike e të zhvilluara botërore. Me këtë projekt nuk po prezantohet vetëm puna ime por po prezantohet edhe bukuria e Kosovës. Do të zgjerohem më pas me Podujevën, shumë shpejt do të shkojmë me Prizrenin,patjetër që do të marr edhe kalanë e Novobërdës…

KultPlus: A do të jetë projekti i vetëm i vitit të ri, apo…?

Blerina Kllokoqi Rugova: Është edhe një projekt, por nuk dua ta publikoj tashti. Faleminderit. Për mua ka qenë kënaqësi me qenë afër KultPlus-it, është një prej portaleve që unë shumë shpesh e klikoj, mos të them sa herë që i hapi sytë në mëngjes, pasi që më mundësoni të shoh se çfarë ka të re në jetën kulturore në vend dhe më gjerë. Gëzuar Viti i Ri 20014!/KultPlus.com