UBT

Blatter: Vendimi për Kosovën mbetet

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter, në konferencën për medie pas përfundimit të punimeve të Kongresit të 62-të që është mbajtur më 24 dhe 24 maj në Budapest të Hungarisë, ka thënë prerazi se vendimi për Kosovën mbetet.

Është interesante se në konferencën për medie rasti i Kosovës ka qenë pyetja e parë për të cilën është pyetur presidenti i FIFA-së.

“Ne e kemi marrë qëndrimin tonë dhe vendimin e komitetit ekzekutiv, mund të përmirësohen vetëm modalitetet. Kjo nënkupton se anëtarët tanë mund të luajnë ndeshje miqësore me Kosovën. Vendimi nuk ndryshohet”, tha Blatter.

Ai pranoi se do të ketë takim me palën serbe më 31 maj, por ka mbrojtur në parim vendimin e komitetit të tij ekzekutiv dhe situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Mbetet të shihet nëse Kosova do të luajë vetëm si nikoqire apo si mysafir vetëm. Ne jemi të vetëdijshëm se në statutin e UEFA-së shkruan që për të qenë anëtar i tyre duhet të jesh i pranuar në OKB. Por, shikoni Kosovën e kanë njohur më duket 91 apo 92 shtete, pastaj nga Unioni Evropian, i cili është institucion politik i rëndësishëm e kanë njohur 22, them sërish 22 nga 27 shtete anëtarë sa i ka”.

KKVITI

Blatter pranoi se ka pasur reagim nga serbët, por premtoi se baza e vendimit nuk ndryshon.

“E di se ka pasur reagime lidhur me këtë vendim dhe jemi pajtuar me Federatën e futbollit të Serbisë që të takohemi, vetëm për të diskutuar modalitetet e mënyrës së implementimit. E them se baza e vendimit nuk ndryshon”, tha presidenti i FIFA-së.

Komiteti ekzekutiv i FIFA-së të martën ka aprovuar kërkesën e Federatës së futbollit të Kosovës, t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare përfaqësueseve dhe ekipeve të saj. Në këtë vendim nga 24 anëtarët e komitetit ekzekutiv të FIFA-së, 8 përfaqësuesit nga Evropa kishin abstenuar në votim dhe jo që kanë votuar kundër si ishin shprehur mediet serbe.

Vendimi kishte hasur në një reagim të ashpër jo vetëm nga Serbia, por edhe nga UEFA dhe presidenti i saj, Michel Platini, i cili vendimin e kishte cilësuar politik.

Mediet serbe të premten pasdite kanë raportuar se vendimi është suspenduar, por si shihet nga deklaratat e lartpërmendura, vendimi mbetet.(zeri)