BIPBM në shërbim të avancimit dhe promovimit të vlerave fetare në Luginë të Preshevës

Më 21 janar, u mbushën 13 vjet, që nga themelimi i Bashkësia Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM), institucion i vetëm i licencuar fetar në rajonin e Luginës së Preshevës, i cili vepron si subjekt juridik mbi baza të normave dhe parimeve Islame, që nga viti 2003.
Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, janë zona Shqiptare të shkëputura administrativisht nga tërësia politike territoriale e Republikës së Kosovës me specifika të veçanta të organizimit të jetës politike dhe ekonomike.
Pas shpërbërjes dhe shkatërrimit të RSFJ-së, edhe tek shqiptarët e Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës ishin paraqitur shkaqe dhe nevoja të domosdoshme që e arsyetojnë riorganizimin e jetës fetare e cila do t`i përshtatet ndryshimeve me krijimin e shoqërive multietnike dhe multikulturore. Duke pasur parasysh situatën, përpjekjen dhe gjendjen e krijuar pas Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 për deklaratën e popullit për një autonomi territoriale, si dhe luftës në Kosovë, konfliktit të armatosur dhe në fund të ndërmjetësimit të monitoringut ndërkombëtar, Lugina e Preshevës ishte bërë një vend strategjik si për politikën ndërkombëtare ashtu edhe për Kosovën dhe Serbinë.
Pas luftës në Kosovë dhe ndryshimeve me reformat, dhe krijimin e rendit të ri botëror duke u mbështetur në shoqëritë multietnike dhe multikulturore Lugina e Preshevës mbetet prapë në sistemin e administratës së Serbisë dhe kështu me ndërmjetësimin ndërkombëtar kjo popullatë u desh që prapë të kyçet në administratën shtetërore të Serbisë dhe dalja në zgjedhje të parakohshme komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në vitin 2002.
Më parë, në Rajonin Presheves Bujanocit dhe Medvegjes, besimtarët myslimanë ishin të organizuar, ekskluzivisht, në Këshilla të Bashkësisë Islame të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët funksiononin në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës- BIK. Në ndërkohë, si domosdoshmëri e rrethanave të reja u strukturua një organizim tjetër me synim të riorganizimit fetar – Bashkësia Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo iniciativë u konkretizua si rezultat i përpjekjeve për të kërkuar identitetin dhe strukturimin organizativ si dhe realiteteve të krijuara pas vendosjes së administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut në Kosovë.
Bashkësia Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë BIPBM, është institucion i pavarur, i cili vepron si subjekt juridik mbi baza të normave dhe parimeve Islame, si dhe të ligjeve në fuqi, e cila është themeluar, më 21 janar 2003, në kontinuitetin e këshillave të mëparshëm.
BIPBM-ja, gjatë këtij 13 vjeçari të aktivitetit të saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin, koordinimin dhe bashkëveprimin me institucionet e tjera fetare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Bashkëpunimi i ndërsjellë mes institucioneve fetare në rajon, është në frymën e Islamit dhe ndikon pozitivisht në avancimin dhe promovimin e vlerave fetare në Luginë të Preshevës dhe më gjerë thuhet në komunikatën e Qendrës për Informim të BIPBM-së, në Bujanoc./rajonipress/