Bilall Maliqi, Në kërkim të veprës së Profesor Begzad Baliut
(Bilall Maliqi, “Në kërkim të veprës së profesor Begzad Baliut”, shb. “Era” Prishtinë, 2023, fq. 460).
Prof. ass. dr. Faton Krasniqi
Bilall Maliqi tashmë është emër i njohur në fushën e letërsisë, kulturës dhe publicistikës shqiptare. Ai në vazhdimësi ka ndjekur ritmin e zhvillimeve letrare, kulturore e publicistike të zonës prej nga vjen (Luginës së Preshevës), Kosovës (ku është i pranishëm prej vitesh pothuajse në të gjitha aktivitetet letrare) dhe mbarëkombëtare (zëri dhe fjala e të cilit nuk mungon).
Prandaj edhe nuk na u duke i rastësishëm ky vëllim jo i vogël për nga vëllimi dhe për nga përmbajtja. Këtë vepër autori ka përmbledhur një numër shkrimesh, studimesh, recensionesh, intervistash, kumtesash, diskutimesh, reagimesh, vlerësimesh për Prof. dr. Begzad Baliun apo të shkruara nga ai dhe të botuara në shtypin ditor, të lexuara në aktivitete letrare, të botuara në portale ditore e madje edhe në faqen e tij të internetit.
Nëpërmjet kësaj vepre autori na ofron një përmbledhje të rëndësishme të krijimtarisë kulturore dhe intelektuale të Profesor Begzad Baliut. Kjo vepër si e tillë, vjen si rezultat i kërkimeve e hulumtimeve disavjeçare të autorit dhe si e tillë është përmbledhur me një elan, përkushtim e angazhim shumë profesional, kolegial e miqësor.
Siç e thamë më lartë, Bilall Maliqi, tashmë i mirënjohur në tërë hapësirat shqiptare, si poet ka dëshmuar vetën me krijimet e tij në vazhdimësi dhe tani na vjen me një vepër të re dhe shumë të vlerësuar e të arrirë.
Qasja e autorit është intelektuale, kërkimore, hulumtuese, produktive dhe i sjellë lexuesit shqiptar njohuri dhe të dhëna të pasura e shumë herë të panjohura për një personalitet si Profesor Baliu. Kjo vepër e këtij formati ka vlera të veçanta, pasi del në pah një pjesë e mirë e krijimtarisë shkencore e prof. dr. Begzad Baliut, pastaj prirja e mbarështimit, kultura gjuhësore e autorit, metodologjia e tij kërkimore, filozofia e strukturimit të tematikave përbërëse janë të veçantat.
Është më se e njohur se studiuesit dijen e shohin si veprimtari mendore universale, e cila, e diktuar nga dëshirat utilitare të vullnetit, e synojnë zotërimin e informatës për idenë që e diskutojnë. Dija, si e tillë, ka tretmanin e lëndës së një dëshire të vullnetit, me ç`rast, që të njihet diçka, paraprakisht është e nevojshme që ajo të dëshirohet. Duke iu nënshtruar dëshirës së prejardhur nga vullneti për zotërimin praktik të realitet, dija ndryshe nga njohja, njeriun e fut në marrëdhënie utilitare me botën dhe sipas kësaj logjike e vazhdimësie njerëzit, studiuesit, hulumtuesit ndjekin dëshirat, pasionet, me të vetmin qëllim për të arritur rezultate në fusha të caktuara dhe njerëzit në dijen dhe vetëdijen e tyre konceptojnë vepra të ndryshme të fushave të ndryshme dhe shumica prej tyre edhe nuk i realizojnë për çështje subjektive, por Bilall Maliqi këtë vepër e ka konceptuar, ideuar dhe realizuar me shumë zell e përkushtim.
Vlerësimet, kritikat, recensionet, veprat poetike janë një dëshmi e gjallë e përvojës, përkushtimit intelektual disavjeçar të Bilall Maliqit.
Ai sot vazhdon suksesshëm drejt së ardhmes me vepra e me krijime të reja letrare e publicistike. Përmbajtja e kësaj monografie do t`u shërbejë në radhë të parë studiuesve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, po edhe historisë, kulturës e publicistikës shqiptare, që këtë vepër ta kenë një pikë reference dhe gjithashtu duhet ta theksojmë se kjo vepër e Bilall Maliqit e shkruar me shumë përkushtim përmbush kriterin përmbajtjesor e kriterin kërkimor e metodologjik.
Ne mendojmë, se këto të dhëna për krijimtarinë shkencore të prof. dr. Begzad Baliut, si materiale, recensione, intervista, e diskutime (qofshin edhe vetëm fragmentare), punime e
studime të përmbledhura mjeshtërisht nga Bilall Maliqi, në këtë vepër paraqesin një ndihmesë të vlershme në fushat e dijes kombëtare, si dhe janë me vlerë të pamohueshme dhe të një rëndësie të veçantë për kulturologjinë, si dije dhe si pasuri kombëtare.
Në këtë vepër të ideuar nga Bilall Maliqi, janë përfshirë një pjesë teksteve të tij për veprën kryesisht letrare e publicistike të Profesor Baliut dhe një numri intervistash, tekstesh, diskutimesh e vlerësimesh gjatë pothuajse dy dekadave të fundit, paraqesin ose përfaqësojnë pak a shumë edhe një kontribut njohjes dhe plotësimit të dijes për veprat përfaqësuese të Prof. dr. Begzad Baliut, tashmë i vlerësuar edhe në nga shumë studiues dhe qendra kërkimore në botën shqiptar e më gjerë.
Duke përfunduar këtë vlerësim, më shumë nderues për autorin dhe protagonistin, se sa vlerësues, dua që ta përgëzoj Bilall Maliqin, duke e ftuar që të vazhdojë këtë udhëtim me vepra artikujsh, krijimesh letrare e publicistike, sepse të nderosh mikun është virtyt i lartë. Të nderosh kolegun është nderim për vetën, për miqtë që të rrethojnë dhe për brezin me të cilin jeton.
Veprat si kjo janë shembulli më i mirë i këtij nderimi për individin, kulturën dhe shoqërinë, në të cilën po jetojmë./rajonipress/