RCCOLA

Beteja e rrezikshme kundër mediave

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Qeveria dhe institucionet tjera kanë nisur një betejë me mediat, të humbur që në fillim. Përpjekja për t’i shpallur gazetarët dhe mediat armiq të qeverisë është e rrezikshme dhe nuk duhet legjitimuar. Në vend që të ofrojnë transparencë radikale, çfarë ishte premtuar, institucionet po ofrojnë veç sulme e linçime radikale.

Thuajse nuk ndodh që mediat të raportojnë për çfarëdoqoftë që qeverisë nuk i pëlqen, e që anëtarë të saj, deputetë e zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje të mos reagojnë. Pra, të kundërshtojnë raportimet dhe të etiketojnë mediat dhe gazetarët që kanë raportuar. Në përpjekje për të krijuar përshtypjen se shumica e mediave në Kosovë janë joprofesionale dhe shumica e opinionbërësve janë armiq të qeverisë, ata nuk ngurrojnë të godasin secilin dhe secilën që nuk mendon si ata, duke iu dhënë lloj-lloj epitetesh dhe duke krijuar kështu një atmosferë armiqësore për ta në sytë e publikut.

Mediat e kanë për detyrë të raportojnë çfarë qeveria bën e nuk bën dhe detyrë e qeverisë, po ashtu, është që të tregojë çfarë ka bërë e çfarë jo, çfarë ka bërë mirë e çfarë keq. Por, problem i theksuar i kësaj qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti është mungesa e transparencës dhe refuzimi për t’u përballur me kritikët.

Që nga Kurti e poshtë, zyrtarët qeveritarë rrallë shihen në përballje nëpër studio televizive, me përjashtim të rasteve kur iu ofrohet mundësia që të thonë atë që duan. Gazetarët e kanë vështirë të marrin pwrgjigje nga qeveria, që iu duhen gjatë punës së tyre të përditshme. Përgjigjet mungojnë edhe në shumicën e kërkesave për qasje në dokumente publike. Pra, institucionet në njërën anë nuk ofrojnë informacionin e kërkuar dhe të domosdoshëm për mediat, e në anën tjetër kritikojnë mediat për raportime jo të plota. Gjuha e përdorur karshi mediave dhe gazetarëve është e ashpër – që nga cilësimi si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, deri tek “media të shitura e të blera”.

Në një situatë të tillë u shënua edhe 3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Asociacioni i Gazetarëeve të Kosovës aktivitetet i pwrmblodhi nën moton ”Mediat nuk janë armiku”. Por, qeveria mendon ndryshe. Edhe Zyra e Presidentes. Të paktën gjatë muajve të fundit e kanë dëshmuar këtë.

* * *

Zyrtarë të qeverisë dhe jo vetëm i japin vetes të drejtë që të vlerësojnë se cilat raportime qenkan profesionale e cilat jo, cilët gazetarë qenkan profesionistë e cilët jo. Ndërkaq, në rastet kur nuk iu pëlqen çfarë raportojnë mediat ose çfarë thonë opinionistët, ata në rrjetet sociale i sulmojnë e linçojnë ata. Duke vepruar në kwtë mënyrë dhe duke mos ndjekur procedurat e nevojshme pwr të adresuar shpifjet dhe fyerjet e pretenduara, ata vendosin një standard të rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë e fjalës.

Kosova ka një kornizë ligjore të plotë dhe të avancuar për mediat. Ka organizata dhe institucione që i adresojnw të gjitha çështjet dhe dilemat që kanë të bëjnë me to. Ka ligje që mundësojnë padi ndaj shpifjeve dhe fyerjeve. Por, zyrtarët shtetërorë nuk veprojnë sipas ligjeve dhe rregulloreve. Ata zgjedhin sulmet publike, duke i vënë në shwnjestër të gjithë gazetarët dhe mediat të cilat, sipas tyre, janë armiq të qeverisë.

Fidanishtja

Së fundi është bërë e ditur se ministrive iu është kërkuar që të caktojnë nga një zyrtar që do të merret me lajmet e rrejshme, një precedan ky që më shumë dëmton sesa ndihmon. Pyetja elementare është se mbi cilat kritere këta zyrtarë do të vlerwsojnw se çfarë është lajm i rrejshëm e çfarë jo dhe cila është kompetenca e tyre për ta bërë një gjë të tillë?

Në vend se të forcojnë më shumë bashkëopunimin me organizata dhe institucione që adresojnë çështjet që kanë të bëjnë me mediat dhe gazetarët, ata zgjedhin të krijojnë struktura të reja që do të vazhdojnë betejën me mediat.

* * *

Gazetarët dhe mediat në Kosovë kanë funksionuar në kushte dhe rrethana dhe më të vështira se këto tash. Ata janë përballur me zyrtarë e zyrtarë qeverish, të cilët vazhdimisht kanë pasur në shënjestër raportime që nuk iu kanë pëlqyer. Qasja e kësaj qeveria nuk është e re.

Por, ndonëse Vetëvendosja dhe Albin Kurti kanë ardhur në pushtet me slloganin se nuk janë si të tjerët dhe kanë premtuar transparencë radikale, ata nuk po veprojnë kështu. Radikale i kanë vetëm sulmet ndaj mediave dhe linçimet ndaj gazetarëve.

Mediat dhe gazetarët nuk janë armiq të qeverisë dhe është e rrezikshme që ata të konsiderohen të tillë nga institucionet. Natyrisht, mediat nuk janë të përkryera, e aq më pak qeveria. Por, ky nuk duhet të shërbejë si shkak për të krijuar përshtypje të gabuar.

Transparenca më e madhe e qeverisë dhe bashkëpunimi më i mirë me mediat do të shërbente që puna e gazetarëve të lehtësohej. Ndërkaq, diskursi mbi gazetarët si armiq duhet të zhduket sa më parë.