Uji Dea

Best(t)imi dhe poetizimi i botës së dashurisë…

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Bilall Maliqi – Vështrim kritik , (Fahrije Kllokoqi “Aromë burri” Sh.b. “Beqir Musliu” Gjilan, 2013, faqe 96).

Përmbledhja më e re me poezi “Aromë burri” e poeteshës Fahrije Kllokoqi paraqet një vazhdim të nisur në rrugën e pambarimtë të krijimeve poetike të autores. Duke e ditur se poezia si zhanër donë punë kur është fjala për gjetjen e motiveve, pajisjen e vargjeve me figura stilistike si dhe ndërtimin e tyre me mjete poetike, në masë të madhe këto i gjejmë tek ky vëllim poetik duke pasur parasysh edhe vendosmërinë e autores që poezitë e saj të dalin sa më të realizuara, sa më të kursyera nga fjalët e tepërta dhe përsëritjet e panevojshme gjë që në një mënyrë e ulin vlerën e poezive e që këto autorja në masë të madhe i ka eliminuar dhe si të tilla poezitë e librit na dalin të përpunuara me kujdes dhe të shkruara me një stil të veçantë dhe tejet origjinale.

Brenda librit shohim se autorja ka gjurmuar motive të cilat i ka vargëzuar me një individualitet krijues, gjithnjë duke u thirrur në vlerën ekzistuese të poezive të këtij vëllimi poetik.

Motivet që e rrumbullaksojnë këtë vepër janë thuaja shumica të motivit të dashurisë të cilat i ka rrahur bukur mirë duke përdoruar edhe figurat stilistike aty ku e kanë pasur vendin, duke mos e rënduar vargun me shprehje të tepërta, pra mund të themi se ky motiv është trajtuar bukur mirë nga autorja duke bërë thirrje për dashuri , për një pjesë më të dashur të jetës që sjell lumturi dhe kënaqësi shpirtërore.

Ky motiv është koherent sepse sa të jetë bota do të ketë dashuri, por esenca e gjithë kësaj është se me çfarë force shprehëse do ta ndërtoj poeti poezinë e këtij motivi dhe s’do mend se këtë motiv me shprehje të zgjedhura Fahrija ka arritur të futet m’u në thellësi të mendimit dhe të ndërtimit të vargut dhe jetësimit të poezisë.

Ky libër nuk është i ndarë në cikle poetike dhe si i tillë lexohet pa shkëputje dhe pa sinkopë deri në fund të përmbledhjes edhe pse në brendi të librit kemi edhe disa poezi të motivit të kurbetit dhe atij patriotik, megjithatë si tërësi libri ngërthen në vete poezi të motivit të dashurisë edhe pse dashuria shprehet edhe ndaj atdheut dhe dashuri shpirtërore të cilat me një vlerë të kënaqshme ka arritur ta bind lexuesin se kemi të bëjmë me një krijuese që din të gjurmoj vlera e motive dhe ato ti rregulloj e ti forcoj me kapacitetin e saj krijues.

Poezi ndjenjësore…

Krijuesja Kllokoqi sajimet dhe frymëzimet e saja poetike ka ditur ti vargëzoj dhe ta paraqes botën e saj inspiruese sa i përket planit të dashurisë, baticat dhe zbaticat, ecjet dhe ngecjet dhe si të tilla poezitë e këtij motivi kanë dalur të mira, sepse brenda tyre paraqitet një botë e dashurisë së vrullshme dhe fisnike, pra dashuri të fortë. Këtë dashuri e ilustron me vargje:

“Më shkoftë i zi moti
Mbetësha pa fe
Komb e flamur
Po të deshti kush
Më shumë se unë”

Këto vargje flasin shumë. Një betim, një dashuri e sinqertë, një pasqyrë e qartë e besnikërisë poetike të autores kundrejt të dashurit të saj. Këto janë vargje që tregojnë për unin e saj dhe dashurisë së zjarrtë të cilën e shpreh fuqishëm përmes vargjeve poetike.
Edhe në vazhdim të leximit të poezive të librit të motivit të dashurisë shohim se poetesha ka ditur të zgjedh edhe brumin poetik edhe ato ti përpunoj dhe t`i paraqes tamam poezi që shprishin emocione për një dashuri shumë të kërkuar nga autorja të cilën donë ta ketë afër madje edhe më afër sa mendojmë ne, në mënyrë që të notoj në pellgun e dashurisë, dhe kur nuk e ka afër shprehet:

ARKATANA

“Mendja më rri tek dashuria
Kur s’të kam më mbyt vetmia…”
Dhe krejt ajo fuqia shprehëse e autores karshi dashurisë paraqitet në vargjet aq të forta dhe aq bindëse:

Po më ike
Po më ike njëherë
Do mbetem në terr
Po më ike përherë
Do të ndjehem në Ferr”

Brenda shtjellimit të poezive gjejmë edhe poezi të drejtpërdrejta pa ndonjë hermetizëm të theksuar e shumica sosh kanë një hermetizëm të lehtë, por të cilat lexuesi i vëmendshëm mund ta nxjerr porosinë që fshihet brenda poezive të librit.

U mor vesh se motivi i dashurisë prezent në këtë libër është përpunuar mirë nga autorja si nga aspekti tematik ashtu edhe nga ai përmbajtësor. Duke u thirrur në këtë mendim atëherë mund të themi se qëllimi final i autores së librit në një mënyrë a tjetër është arritur sepse në tërë poezitë e këtij motivi ka bërë një strukturim dhe ndërtim të arsyeshëm të vargut dhe si të tilla poezitë ngelen koherente për kohët në vazhdim.

Nga motivi në motiv!…

Motivi patriotik dhe ai i kurbetit poashtu është i pranishëm në këtë vëllim poetik të autores. Shihet se ajo ndjen mall për Shqipërinë e për atdheun.

Si të tilla vargjet e poezive janë me mallëngjim të pasosur kurrë. Për këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar autorja na del me një poezi të shkurtër e cila i dedikohet shekullit të pavarësisë:
“Shih si qesh flamuri
Në këtë nëntor
Ismail Qemali
Erdhi prapë në Vlorë
Joni i sjell dallgë
Mali shkrin borë”
Poeten e gllabëron malli për Shqipërinë dhe shprehet:
“U theva si degët e lisit kur
Thyen era
U thava si toka pa shi
U verbërova nga malli yt
Shqipëri…”

E motivi i kurbetit vargëzohet edhe në këtë libër, motiv ky prekës dhe mjaft emocional të cilën Fahrija e ndjen thellë në shpirt sepse vetë është kurbetçare. Nuk ia heqin mallin e vendlindjes Alpet sepse nuk janë të bukura si Korabi e Sharri. Pra është një shpërthim mallëngjimi të cilën autorja e ka shprehur bukur mirë përmes vargjeve poetike.

Prej gjithë kësaj që u tha deri më tani për librin me poezi “Aromë burri” i poeteshës Fahrije Kllokoqi mund të arrijmë përfundimin se është një realizim i begatshëm poetik gjithnjë duke u thirrur në gjetjet motivuese, gjuhën e rrjedhshme poetike dhe pajisjen e vargjeve me figura stilistike të cilat përgjithësisht ia japin vlerën këtij libri si libër që vlen të lexohet e të analizohet edhe nga kritikët dhe studiuesit e tjerë të letërsisë./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.