Besim Murati, ambasadori i Kosovës në fushat elitare të golfit botëror, nga Gjilani në SHBA dhe rrugëtimi i një kampioni modern
Gjilan – Në arenën sportive ndërkombëtare, ku përfaqësimi i shtetit kërkon talent, disiplinë dhe identitet të fortë kombëtar, emri i Besim Muratit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. I lindur dhe rritur në Gjilan, Murati sot po e prezanton fuqishëm flamurin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke garuar me sukses në sportin e golfit, një disiplinë elitare dhe mjaft konkurruese. Me paraqitjet e tij në SHBA, Besim Murati po e vendos emrin e Kosovës në hartën e golfit ndërkombëtar, duke u shndërruar në një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë sportive përtej kufijve.
Në skenën e sportit ndërkombëtar, aty ku vetëm përkushtimi i jashtëzakonshëm dhe karakteri i fortë e dallojnë kampionin nga masa, Besim Murati po shkruan një histori suksesi që flet shqip. Nga Gjilani në arenat më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai po e bart me krenari flamurin e Kosovës, duke e shndërruar sportin e golfit në një mision përfaqësimi kombëtar.
Me disiplinën e një kampioni, përvojën e një sportisti legjendar dhe vizionin e një ambasadori sportiv, Murati sot është një nga emrat që po e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare të golfit, duke u bërë frymëzim i gjallë për brezat e rinj që ëndërrojnë sukses përtej kufijve.
I njohur fillimisht si sportist i karatesë, Besim Murati ka dëshmuar se pasioni për sportin dhe përkushtimi ndaj disiplinës janë vlera që tejkalojnë kufijtë e një fushe të vetme. Sot, në Nju Jork, ai po shënon rezultate mbresëlënëse si golfist, duke u bërë pjesë e garave kombëtare dhe ndërkombëtare, ku përfaqëson jo vetëm veten, por edhe Kosovën.
“Kur e ke flamurin e shtetit tënd në krah, siç është ai i Kosovës, nuk ke asnjë arsye të ndihesh keq. Përkundrazi, kjo më motivon çdo ditë e më shumë që të arrij rezultate dhe ta përfaqësoj Kosovën në mënyrë dinjitoze”, ka deklaruar Murati për rajonipress, duke theksuar rëndësinë emocionale dhe motivuese të përfaqësimit kombëtar.
Sipas tij, një nga garat më prestigjioze ku merr pjesë është “Presidents Cup USA Team vs International Team”, e cila zhvillohet çdo vit në Rye Golf Club at Westchester, New York. Kjo garë, që ka gjashtë vjet që organizohet, ka fituar rëndësi të veçantë në botën e golfit, ndërsa Murati është përzgjedhur të jetë pjesë e ekipit ndërkombëtar për tri vite me radhë.
“International Team deri më tani ka fituar gjashtë kupa, ndërsa USA Team kater. Çdo vit gara bëhet edhe më interesante, por ajo që më motivon më së shumti është fakti se garoj duke mbajtur flamurin e Kosovës, duke përfaqësuar njëkohësisht shtetin tim dhe qytetin tim të bukur, Gjilanin”, shprehet ai.
Murati thekson se golfi është një sport financiarisht i kushtueshëm, por sipas tij, kënaqësia dhe krenaria që vjen nga përfaqësimi i vendit e tejkalojnë çdo vështirësi. Përmes angazhimit dhe përkushtimit të tij, ai po dëshmon se sportistët kosovarë mund të jenë konkurrues edhe në disiplina që tradicionalisht nuk kanë qenë të zhvilluara në vend.
Me paraqitjet e tij në SHBA, Besim Murati po e vendos emrin e Kosovës në hartën e golfit ndërkombëtar, duke u shndërruar në një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë sportive përtej kufijve.
Në prag të garës së radhës në golf, kanë mbetur vetëm edhe disa ditë para nisjes drejt Balkan Open të 8-të, ku do të përfaqësohet Kosova.
Kosova do të marrë pjesë me krenari në këtë turne prestigjioz me shtatë golfistë, në Kampionatin e 8-të të Balkan Open, i cili do të zhvillohet në Belek, Turqi, nga 18 deri më 25 janar 2026. Përfaqësuesit kosovarë synojnë paraqitje dinjitoze dhe rezultate të suksesshme, duke e ngritur edhe më lart emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të golfit.
Besim dhe Bashkim Murati, emra të respektuar të karatesë kosovare
Historia sportive e Gjilanit dhe rrethinës është e pasur me emra që kanë nderuar qytetin dhe Kosovën në arena kombëtare e ndërkombëtare. Ndër këta emra të spikatur, një vend të veçantë zënë vëllezërit Besim dhe Bashkim Murati nga Bresalci i Gjilanit, dy sportistë që me përkushtim, disiplinë dhe talent ndërtuan një karrierë të suksesshme në sportin e karatesë, në stilin Shotokan.

Gjatë viteve të tyre aktive, vëllezërit Murati u shndërruan në sinonim të suksesit në karate. Ata u përzgjodhën disa herë si sportistët më të dalluar të Gjilanit, ndërsa Federata e Karatesë e Kosovës i vlerësoi vazhdimisht si ndër më të mirët në vend, falë rezultateve të qëndrueshme dhe paraqitjeve dinjitoze në gara të ndryshme.
Kulmi i suksesit ndërkombëtar
Viti 2002 shënon momentin më të rëndësishëm të karrierës së tyre sportive. Në Kampionatin Botëror të mbajtur në Hungari, Besim dhe Bashkim Murati u shpallën kampionë bote në stilin Shotokan, duke e ngritur flamurin e Kosovës në piedestalin më të lartë të garave ndërkombëtare dhe duke hapur horizonte të reja për karrierën e tyre.
“Ishim të rinj, plot entuziazëm dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm. Kulmin e arritëm në Hungari në vitin 2002, kur u shpallëm kampionë botërorë. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme ta përfaqësosh vendin tënd në nivelin më të lartë”, kujton Bashkim Murati.
Sakrifica, vullnet dhe epokë e artë e karatesë
Bashkimi flet me nostalgji për vitet e arta të karatesë kosovare, sidomos në periudhën pas luftës, kur kushtet ishin të vështira, por motivimi ishte i jashtëzakonshëm. Ai thekson se, ndonëse ushtronin deri në pesë orë në ditë në kushte jo ideale, rezultatet nuk mungonin.
“Ishim 22 dhe 24 vjeç, ushtronim shumë dhe jetonim për sportin. Sot kushtet janë shumë më të mira, por fatkeqësisht mungojnë rezultatet e veçuara në Shotokan, gjë që mbetet për t’u reflektuar”, shprehet ai.
Karriera përtej Atlantikut
Që nga viti 2002, vëllezërit Murati jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëri në Florida dhe tjetri në New York, ku kanë vazhduar aktivitetin sportiv dhe profesional. Gjatë qëndrimit në SHBA, ata patën mundësinë të stërviten për tri vite me një nga figurat më të njohura botërore të karatesë, Aziz Kheder, karateist me famë ndërkombëtare me prejardhje egjiptiano-amerikane.
“Ka qenë privilegj të stërvitesh dhe të garosh përkrah një legjende të karatesë. Kemi arritur suksese të rëndësishme në turne të ndryshme në Amerikë dhe kjo na bën krenarë”, thekson Bashkim Murati.
Mesazh për brezat e rinj
Si ish-kampion i shumëfishtë i Kosovës dhe kampion bote, Bashkim Murati ka një porosi të qartë për sportistët e rinj: dashuria për sportin, përkushtimi profesional dhe edukata sportive janë çelësi i suksesit. Megjithatë, ai shpreh edhe keqardhje që për më shumë se një dekadë mungoi vëmendja institucionale ndaj kontributit të tyre.
“Shpresoj që një ditë dikujt t’i kujtohen vëllezërit Murati, që dikur e bënin krenar Gjilanin dhe Kosovën”, shprehet ai.
Trashëgimi sportive dhe qytetare
Besim dhe Bashkim Murati nuk ishin vetëm karateistë me përmasa ndërkombëtare. Ata ishin dhe mbeten shembull i sportistit të ndershëm, të disiplinuar dhe qytetarit të përgjegjshëm, që dhanë maksimumin për sportin e Gjilanit dhe Kosovës. Trashëgimia e tyre sportive vazhdon të jetojë si frymëzim për brezat e rinj që synojnë suksesin përmes punës, sakrificës dhe dashurisë për sportin./rajonipress/






