Fundamenti

Besiana dhe jeta e saj si nuse

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Këngëtarja Besiana Mehmedi është njëra prej këngëtarëve që më së shumti i ka mbetur besnik muzikës me vlera, përkundër sulmeve nga të gjitha anët që i bëhet kësaj muzike sot. Ajo në një intervistë për Express flet për jetën e saj bashkëshortore, udhëtimet e gjata, vozitjet e shpeshta por edhe për atë se çka do të presin adhuruesit e saj gjatë vitit që vjen.

Express: Si po ju duket jeta bashkëshortore?

Besiana: Asgjë ndryshe, përveç që tashmë jetojmë bashke me Shkodranin (Tolaj) që është kthyer në vendlindje dhe banesën tonë, ku e gjejmë qetësinë, e kemi në Tetove, kurse lëvizjet i bëjmë vazhdimisht në distancë të mëdha: Prishtinë – Deçan – Tiranë – Kërçovë e ndonjëherë edhe jashtë vendit. Realisht, unë të qenit nuse, në aspektin tradicional shqiptar e kam ndjerë vetëm një ditë pas dasmës kur është dashur të vesh fustan nusesh, të shërbej kafe e ndonjë llokum në shtëpinë e Shkodranit. Meqë ne jemi martuar me 19 gusht dhe ishte periudhe vere, u desh të kthehemi menjëherë në Tetovë, dhe ta vazhdojmë jetën e zakonshme.

Express: A jeni ende në fazën e shijimit të martesës, apo keni menduar që ta zgjeroni familjen e juaj?

Besiana: Sigurisht, jemi në fazën e shijimit të jetës së përbashkët por edhe të sukseseve të përbashkëta. Mbase kemi aq shumë plane të avancimit profesional sa nuk kemi menduar për zgjerim të familjes sepse në momentin e krijimit të saj, do përkushtim dhe ne të dy jemi nga ata njerëz që mendojmë se duhet vet t’u përkushtohemi fëmijëve dhe jo ti lëmë në përkujdesje të dikujt. Megjithatë njerëzit bëjnë plane, por fjalën dhe vendimin e fundit e ka “ ai lart”.

Express: Për çka debatoni më së shumti me Shkodranin?

Besiana: Unë jam tip që i dua debatet, qoftë dhe për tema të vogla. Debate pothuajse çdo ditë kemi për koncepte profesionale dhe jetësore. Madje Shkodrani me ngacmon shpesh, se si arrijë të flas në punë me student, të flas jashtë pune në mbledhjet që kemi në Ministrinë e Kulturës, dhe nuk pushoj as në shtëpi. Megjithatë mendoj se debati është pjesë e kulturës familjare. Unë jam rritur në një familje ku është debatuar për çdo gjë dhe asnjë temë nuk ka qenë tabu me babin (Qani Mehmedi). Kurse Shkodrani është rritur me kulturën e Odave të Dukagjinit andaj dhe mendohet gjatë për ta formuluar një fjali që thotë shumë. Debatet nuk i do, por s’ka si iu ikën në një bashkëjetesë me mua.

Express: A pritet që këngëve të reja më të cilat jeni prezantuar në festivale t’i realizoni videoklipe?

Besiana: Nuk jemi këngëtarë që jemi shfaqur dhe promovuar me klipe dhe them se aq shumë klipe bëhen brenda muajit sa ka kaluar në një “modë”. Shkodrani është i prirë që të ecë ndryshe nga çfarë bëjnë të gjithë dhe këtë edhe unë e vlerësoj. Për ne klipi nuk është mënyra më e mirë e plasimit të një kënge, aq me pak kur sot klipi është vetëm fotografi dhe jo mesazh. Ne, videoklipet mendojmë t’ua bashkangjesim vetëm këngëve që rezultojnë si të suksesshme.

Express: Ku e kaloni më shumë kohën e lirë?

Besiana: Koha e lirë, kalohet kudo që ndodhemi. Nëse na ndodh një e diel e lirë, për ne pak rëndësi ka nëse jemi në Kërçovë dhe dalim në Ohër, nëse jemi në Prishtine, Shkup apo diku tjetër. E rëndësishme është të jemi bashke. I duam dyqanet kualitative dhe restorantet, po ashtu, me ushqim specifik.

Express: Pse e zgjodhe Shkodranin për t’u martuar, çka ju pëlqej tek ai?

Mobi Casa

Besiana: Me zgjodhi ai mua. Hahahahah. Do të duhej ta pyesni atë pse synoi një femër si Besianën. Për të qenë e sinqertë, dikur, para zgjedhjes se Shkodranit dy gjera që nuk doja ishin: të zgjedh një njeri që i takon botës së artit dhe që jeton jashtë trojeve shqiptare. Për çudi, ishte Shkodrani ai që erdhi në vendlindje dhe funksionojmë si duet në jetë dhe këngë. Ka gjera që me kanë penguar e që me kohë eliminohen, por dhe gjera që çmoj. Gërshetimin e elementit tradicional dhe shumë modern në konceptin dhe qasjen e tij ndaj gruas (pra ndaj meje) e çmoj jashtë mase për dallim nga unë që në koncepte jam shumë patriarkale dhe radikale.

Express: A merreni me ndonjë sport?

Besianën: Ndonjëherë kohën e lirë e shfrytëzojmë duke ecur. Realisht asnjeri nuk jemi tipa sportivë por kur vendosemi në hotele me qendra rekreative se paku një orë në ditë i kalojmë në pishinë dhe palestër.

Express: Cila punë ju lodh më së shumti?

Besiana: Të gjitha punët që bej: ligjërimin, këndimin, punën në gazetari (që e bëj tash e tre vite, si korrespondente në radio australiane, programi shqip), pastrimin në shtëpi, gatimin, të gjitha i bëj me dashuri dhe nuk ndjej lodhje. Më të lodhshme janë organizimet e evenimenteve, pra çështjet teknike ose kur me bie të merrem me ndonjë punë që nuk me takon mua. Por të lodhshme i quaj edhe xhirimet e Vitit të Ri, meqë jemi në periudhën e tyre, sepse në të njëjtën kohë grumbullohen shumë punë dhe ka momente kur humbet përqendrimi dhe durimi.

Express: A je e mirë në vozitje?

Besiana: Ooooo jam tepër e shkathet në vozitje. Vite të tera kam qenë vetëm në rrugë dhe vozitje shpesh të pakujdesshme. Madje me dukej se gjithnjë jam vonë në termine teksa isha me timon. Kam pasur aksidente të vogla por pa pasoja. Kam marre lejen pa ditur të ngas makinën mirë sepse testin e mësova dhe e dhashë me 100 pikë, kurse qëlloi që për ditëlindje ta kem provimin e vozitjes dhe u erdhi keq instruktoreve. Ma dhanë lejen duke me thënë mos dil vetëm në rruge. Dhe ashtu ndodhi. Me është dashur ta marr një instruktor që me ka ndihmuar disa ditë. Por me karakterizon diçka. Kur i kam thënë vetes se duhet të mësohem të vozis, kam dal nga ora 9 në mëngjes deri në 20 në mbrëmje nëpër rrugë të ndryshme të Prishtinës dhe periferisë derisa u aftësova. Por mendoj se vozitësit e mirë janë guximtar. Tash që është Shkodrani këtu, kam hequr një gajle. Rrallë e për mall marr timon në dorë. I ikë vozitjes.

Express: A e mbani në mend ditën më të lumtur të jetës suaj?

Besiana: Ka shumë ditë të veçanta dhe nuk do të përmendja vetëm një. Çdo sukses imi dhe familjes sime me bën të ndjehem me “krahë”. Gëzohem dhe ndjej njëlloj për vete dhe njerëzit e mi. Por gjithnjë mendoj se akoma do të vinë, ditë më të mira.

Express: Çka i premtoni publikut për këtë fundvit?

Besiana: Ne, pra bashkë me Shkodranin, kemi punuar shumë se bashku gjatë tërë vitit duke sjell gjëra të veçanta. Premtoj se do të jemi besnik në atë që kultivojmë duke mos i ikur origjinalitetit. Do të veçoja gjatë këtij viti “Shqipet e Uskanës”, dhe “Drini Bardh e zi” dy këngë tipike shqiptare teksa po presim suksesin e festivalit te RTSH-se. Shfrytëzojë rastin që në emrin tim dhe të Shkodranit, t’u urojë shqiptarëve ngado që janë qetësi shpirtërore, mirëqenie në familjet e tyre dhe shumë suksese. Një vit të mbare për shqiptarët.