Bersant Celina e pranon se në verë ishte afër kalimit te klubi spanjoll
Bersant Celina ka mundur të ndërrojë mjedis, pasi në verë është kërkuar nga Racing Santanderi që garon në La Liga 2 dhe aktualisht është lider.
Interesimin e Racing Santanderit e ka konfirmuar vetë mesfushori i Kosovës, që ka thënë se ato lajme kanë qenë të vërteta.
“E vërtetë se më donin në skuadre spanjolle, por ka qenë e qartë për mua se doja të qëndroja tek AIK-u dhe nuk ndodhi që unë të transferohesha atje”, deklaroi Celina për “fotbolldirekt”.
Mesfushori i njohur nuk ka treguar nëse ai do të transferohet në afatin e ardhshëm kalimtar, pasi Racing aktualisht i prinë tabelës me 29 pikë nga 12 ndeshje të luajtura.
“Nuk e di, nuk kam dëgjuar diçka. Spanjollët më donin në verë dhe ndoshta do të më duan edhe në dimër. Unë jam i fokusuar tek AIK-u. Më pëlqen të jem këtu dhe nëse do ta kem mundësinë, do të qëndrojë për disa vjet këtu”, ka thënë Celina.
Ai ka kontratë me AIK-un suedez deri në vitin 2026, ndërsa në edicionin aktual Celina në 28 ndeshjet ka katër gola të shënuar e tri asistime. /Telegrafi/