Berisha, ”një nga profilet më tërheqëse”

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri shqiptar Sali Berisha vazhdon të jetë aktiv në faqen e tij në rrjetin social Facebook, që e promovoi nga Tirana gjatë festimeve për 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, prej disa vitesh festë zyrtare në Shqipëri.

Një muaj nga hapja, kjo faqe ka arritur të kapërcejë numrin e 342 mijë fansave.

” Sot jemi mbi 341 mijë shqiptarë së bashku në një faqe të vetme! Dua ta nis ditën duke falënderuar përzemërsisht çdonjërin prej jush, që me pasion dhe përkushtim, brenda 1 muaji, e shndërruat këtë faqe një nga profilet më tërheqëse dhe më të ndjekura”, ka shkruar Berisha sot në Facebook.

Mobi Casa

Ai ka publikuar edhe të dhëna rreth aktivitetit në këtë faqe, duke treguar se kjo faqe shihet nga 1.7 – 2.05 milione qytetarë në javë, duke shtuar:

“Ju e keni bërë atë rrjetin më pasionant dhe me gjallërinë më të madhe. Bashkëveprimi (talking about) në faqen tonë është impresionues dhe frymëzues! 90% e miqve të mi janë aktivë këtu! Facebook-u ynë është më entuziasti dhe më rinori! 88 % e miqve janë nën 34 vjeç!!! Mirënjohjen më të thellë ndaj jush! Ju jeni të parët! “.

Kohë më parë, Berisha kishte ironizuar shpeshherë komunikimin elektronik të kryesocialistit Edi Rama dhe statuset e tij në Twitter. “Ai zotëria që rri ciu-ciu, duke qenë se i kanë thënë mos dil në media se humbet vota, por bëj ciu-ciu, ka një fantazi dhe e vuan shumë suksesin ekonomik të vendit”, ka thënë Berisha në një nga deklaratat e tij kundër Edi Ramës. /Indeksonline/